100 vjet për reflektimin shqiptar
100 vjetëve jetë të shtetit shqiptar, Instituti Albanologjik ka vendosur t`iu hyjë edhe njëherë nga fillimi.
Kjo është paraparë në dy ditët e konferencës shkencore “Shekulli i shtetit shqiptar”, e cila filloi të hënën në mesditë dhe do të zgjasë dy ditë me radhë, duke i kontribuuar kështu shkencës me ligjërata mbi çështjen e Kosovës, Shqipërinë, Vilajetin e Shkodrës, gjuhësinë shqiptare në 100 vjet pavarësi, shtresimet leksikore dhe leksikun e pasivizuar në të folmet popullore, e ligjërata tjera mbi historinë, gjuhësinë e letërsinë shqiptare.
Akademik Rexhep Qosja, në referatin e tij të gjatë me temën “Shqipëria – 100 vjet shtet”, foli ndër të tjera për atë se si shteti shqiptar u krijua në saje të intelektualëve dhe trimave.
“Nga viti 1912, Shqipëria u bë shteti që do ta gëzonte pa masë popullin shqiptar, por njëkohësisht ai edhe do ta dëshpëronte pa masë atë. Pa masë, sepse atë kohë gjysma e trojeve shqiptare dhe gjysma e shqiptarëve do të mbesin jashtë kufijve të këtij shteti. Që nga ajo kohë Shqipëria do të prodhojë disa ideologji kombëtare të trashëguara nga rilindja si ideologjia demokratike, komuniste e fashiste”, tregoi Qosja.
Në fjalimin e tij ai nuk harroi të përmendë se midis dy luftërave ballkanike e dy botërore sa përjetoi Shqipëria si shtet, në vitet ’99 ajo përjetoi edhe luftën e Kosovës.
“Këtë e përjetoi sado që si shtet nuk mori pjesë në të, por megjithatë oficerë e gjeneralë nga Shqipëria ishin të pranishëm në këtë luftë”, vazhdoi Qosja. Ai përmendi se në 100 vite shtet, Shqipëria për nga mënyra e sundimit më së gjati qëndroi si republikë dhe autokraci, e shumë pak si mbretëri dhe shoqëri demokratike.
Qosja nuk harroi të sillte në retrospektivë edhe lidhjet që Shqipëria kishte me Italinë fashiste, lidhjet ushtarake me Bashkimin Sovjetik dhe Paktin e Varshavës, lidhjet me Jugosllavinë apo ato me shtetin kinez. Ramë Buja, ministër i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, uroi shtetin shqiptar në këtë shekull, duke e quajtur si ndihmë për krijimin e shtetit të dytë shqiptar në botë.
“Uroj që ky shtet të jetojë sa malet, në mënyrë që ta fuqizojë të dytin. Realisht, çka do të ishte shteti i parë shqiptar pa të dytin, dhe anasjelltas. Kjo konferencë është një përgjigje e urtë për perspektivën e këtyre dy shteteve shqiptare në Ballkan”, pohoi Muja, duke përkrahur idenë e mbajtjes së një konference të tillë ‘në përkrahje ndaj rrjedhave të shtetit shqiptar”.
Në hapje të konferencës mori pjesë edhe Islam Lauka, ambasador i Republikës së Shqipërisë në Kosovë. Duke e quajtur konferencën si të qëlluar dhe me një agjendë përmbajtësore, Lauka shtoi se ky moment është ai i reflektimit dhe bilancit për shumë fusha jetësore dhe bashkëpunimi mes Kosovës e Shqipërisë.
“100 vjet nuk janë pak dhe gjatë gjithë kësaj kohe ka pasur sa gabime, aq edhe përmirësime në shtetin tonë. E kemi një alfabet dhe dialekt të 1972-tës, por i cili nuk është i përkryer, gjë e cila nuk do të thotë se duhet të vihet në diskutim apo të zhduket poshtë” shtoi Lauka. Ai tregon se kosovarët dhe shqiptarët megjithatë duhet të jenë më të bashkuar.
“Kur kërcënohet interesi themelor shtetëror, janë të nevojshme sakrificat. Siç ka thënë Kadareja, liria ka nevojë për një karburant i cili është gjaku, por kjo nuk do të thotë që ne ta përdorim atë vend e pa vend, pa epitet, kohë e pa kohë” shtoi Lauka.
Konferenca vazhdoi me seancën kushtuar historisë, ku ligjëruan ministri Ramë Buja, arkeologu Naser Ferri, Muhamet Pirraku, Esat Stavileci, Romeo Gurakuqi, Nikë Ugjini, Qerim Lita e shumë të tjerë. Sot (e martë) konferenca vazhdon punimet në sesionin e dytë për historinë ku do të ligjërojnë Jahja Drançolli, Fehari Ramadani, Kudusi Lama e autorë tjerë. (zeri)