ARKATANA

10 milionë euro për dështim

/ 4 minuta lexim
KKVITI

Nga Enis Veliu – Keq e nisën e keq e finalizuan. Përfundimisht më 31 dhjetor të vitit që lamë pas Qeveria e Kosovës e shpalli si të dështuar procesin e privatizimit të 75 për qind të aksioneve të Postës dhe Telekomit të Kosovës (PTK).

Shumëkush kishte besuar se do të ndodhë një gjë e tillë, përjashto këtu ministrat dhe kryeministrin që deri në momentin e fundit kanë qenë të bindur se shitja do të kontrabandohet së bashku me miratimin e Ligjit për Buxhetin e vitit 2014.

I bindur dhe i prerë se PTK-ja përfundimisht do të privatizohet, ishte shprehur edhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli, vetëm një dhjetë ditë para përfundimit të vitit.

Ai kishte thënë se procesi ka përfunduar, dhe, sipas tij, kontrata është dashur të nënshkruhet para krishtlindjeve. Në fund deklaratat mbetën, por procesi dështoi.

Pas shumë tentativave shefi i Qeverisë nuk arriti ta bindë dot opozitën, jo për ta votuar shitjen, por vetëm për të bërë kuorum në sallë sa për të kaluar votimi. Por, e kotë.

Kryeministrit i dolën kundër edhe deputetë nga partia e tij. Madje i ashpër e kritik ishte edhe kreu i Kuvendit, Jakup Krasniqi, i cili tash e një kohë është distancuar nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK).

Dështimi i shitjes së PTK-së dëmtoi rëndë kompaninë, dëmtoi rëndë imazhin edhe ashtu të brishtë të Kosovës.
Në anën tjetër kënaqi një grup të punëtorëve për të cilët anarkia është e vetmja shpresë për t’u pasuruar. Konkurrenca për këta është e dëmshme, e investimet e huaja të panevojshme.

Eco Higjiena

Këta të fundit shpesh organizuan protesta, e ku në të shumtën e rasteve nuk e dinin as vetë qëllimin e tyre. Ama dorën në zemër zhurmë bënin, pavarësisht se efekti i tyre ishte zero. Këta të PTK-së e donin më shumë se shtëpinë e tyre. Disa nga ta paralajmëruan se do të vdesin për të nëse e kërkon puna.

Nëse kthehemi pak mbrapa e shohim shumë qartë se procesi i privatizimit që nga fillimi nisi keq. Fajtori tashmë po dihet. Edhe këtu është Qeveria. Këta të fundit i bënë pazaret, dhe në fund përgjegjësinë për shitjen tentuan që t’ia veshin Kuvendit të Kosovës, por edhe përkundër joshjeve opozita nuk u pajtuar dot.

Madje, shefi i AAK-së, Ramush Haradinaj, edhe publikisht e tha se është dëmtuar për shkak të afërsisë së tij me Qeverinë. Në seancën e fundit edhe deputetët e AAK-së më në fund e lëshuan sallën.

E ndërkaq ata të LDK-së dhe të VV-së që nga fillimi ishin kundër mënyrë së privatizimit. Por, jo edhe kundër privatizimit të kompanisë më fitimprurëse në vend.

Për vite me radhë nga ky proces, në kuptimin financiar, Kosova u dëmtua shumë, pasi këshilltarët e transaksionit morën hiç më pak se 10 milionë euro, por edhe në anën tjetër kompania pati rënie të vazhdueshme.

Zvarritja përreth pesë vjet e procesit të privatizimit të PTK-së nga ana e Qeverisë së Kosovës, dëmtoi rëndë operatorin publik në Kosovë, pasi që me vendim të kësaj të fundit të gjitha investimet në këtë kompani u ndaluan.

Me rastin e PTK-së Qeveria e Kosovës hodhi poshtë të gjitha reklamat milionëshe që i ka bërë nëpër mediume të huaja, duke i ftuar investitorët e huaj që një pjesë të kapitalit të tyre ta investojnë në vendin tonë.