Fundamenti

Zyrtarizohet themelimi i shkollës së arteve pamore në Gjilan

/ 3 minuta lexim
ARKATANA

Gjilan – Qemajl Mustafa e ka quajtur të arritur të mirë lejimin e themelimit të shkollës së lartë të arteve pamore nga ana e MASH-tit. Ai ka përgëzuar së bashku me Bujar Nevzatin komunitetin e artistëve të cilët në të ardhmen do të ndërtojnë edhe objektin e tyre.

Ministri i Arsimit Ramë Buja i ka dhënë dritë jeshile themelimit të shkollës së mesme të lartë të arteve pamore në Gjilan. Vendimi i ministrit Buja është pritur mirë nga komuniteti i artistëve dhe i drejtimeve pikturë e dizajnë. Mbi të gjitha i relaksuar për këtë vendim dukej të mërkurën edhe Qemajl Mustafa e Bujar Nevzati të cilët edhe e kanë pritur në një takim koordinatorin e kësaj shkolle Avni Behlulin.

Mustafa duke e përgëzuar stafin e kësaj shkolle tha se vendimi i MASH-tit është i rëndësishëm sepse ishte një ambicie e kamotshme e personelit dhe e komunitetit të artistëve dhe njerëzve entuziast.

Mustafa tha se në kuadër të kësaj shkolle do të themelohen edhe drejtime tjera dhe tha se do të ketë një filtrim të nxënësve që vërtet meritojnë të jenë pjesë e kësaj shkolle.

Mustafa tha se tani duhet të kujdesemi që shkolla të ketë edhe objektin e saj dhe jo të jenë më qiraxhinj. Sipas Mustafës në ditët vijuese pritet edhe të hapet konkursi për projektin ideor të shkollës i cili do të qitet në diskutim publik dhe propozimi më i mirë do të shkojë në MASHT për aprovim.

Mobi Casa

Mustafa tha se lokacioni për shkollën e arteve është tek kompleksi i shkollave të mesme dhe pritet të ketë 5000 metra katror që kap një vlerë prej 2 milion eurove.

Kurse Bujar Nevzati drejtor i arsimit tha se Gjilani kaherë ka pasur nevojë për shkollën e arteve pamore. Edhe Nevzati premtoj se vitin e ardhshëm kjo shkollë mund të bëhet me objektin e saj.

Avni Behluli koordinator i shkollës së lartë të arteve pamore tha se vendimi i MASHT-it e ka gëzuar tej mase komunitetin e artistëve sepse kërkesa për hapjen e shkollës ka datuar qysh nga viti 1994. Behluli tha se fatkeqësisht pushtetet e mëparshme nuk janë treguar të gatshme të aprovojnë kërkesën e komunitetit të artistëve.

Behluli tha se shkolla e arteve pamore ka 164 nxënës me 13 paralele dhe 30 profesor. Në kuadër të shkollës janë tri drejtime, dizajn, pikturë dhe dizajn mode. /rajonipress/

Mund të ju interesoj: