Zyrtari i ATK-së dëshmon në rastin e Kabil Hajdarit e Nexhmedin Arifit

Gjilan – Të martën në Gjykatën Themelore në Gjilan ka vazhduar procesi gjyqësor kundër Kabil Hajdarit e Nexhmedin Arifit. Dëshmitari i radhës zyrtari i ATK-së Bekim Keqmezi tha se kemi kryer një kontroll financiare në bazë të kërkesës së policisë në ndërmarrjen “Univerzal”. Sipas tij nuk ka pasur devijime financiare sa i përket evidencës.
Të martën në Gjykatën Themelore në Gjilan ka nisur gjykimi ndaj kreut të Vitisë Nexhmedin Arifi i akuzuar për veprën penale “korrupsioni zyrtar” dhe Kabil Hajdarit i akuzuar për veprën penale “korrupsioni zyrtar” dhe “shmangie nga tatimi”, raporton rajonipress.
Dëshmitari i radhës Bekim Keqmezi zyrtar i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) ka dëshmuar rreth kontrollës financiare që ai i ka bërë kompanisë “Univerzal”. Keqmezi sipas avokatit mbrojtës të Kabil Hajdarit, Sabit Maliqi ka thënë se gjatë kontrollës financiare nuk janë vërejtur devijime financiare. “Librat i kanë pasur në rregull sa i përket evidencës financiare” ka thënë ky dëshmitar.
Sabit Maliqi tha për rajonipress se ka mbetur vetëm edhe një dëshmitar që duhet të japi deklaratën para trupit gjykues, pastaj i mbetet mbrojtjes që të japi propozime të reja.
Seanca e radhës është caktuar për datën 23 janar 2014 tha Maliqi.
Ndryshe sipas aktakuzës kryetari i Komunës së Vitisë Nexhmedin Arifi akuzohet për veprën penale “korrupsioni zyrtar” derisa Kabil Hajdari për veprën penale “korrupsioni zyrtar” dhe “shmangie nga tatimi”.
Sipas aktakuzës i dyshuari Kabil Hajdari në gusht të viti 2008 deri në maj 2011, derisa ka qenë drejtor në NP “Univerzal”, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore nga datat 24.03.2009, deri më 01.01.2011, mjetet e trustit pensional për punëtorët e kësaj ndërmarrjeje: Kadri Halabaku, Bajram Aliu, Berat Ymeri, Ruzhdi Musa, Hysni Beqiri, Sabit Salihu, Sabri Rrahimi, Ali Islami, Taf Mustafa dhe Agron Misini, edhe pse kanë qenë në listën e pagave, trusti pensional atyre nuk u është paguar fare, duke u shkaktuar dëm të dëmtuarve në vlerë të 16 mijë eurove.
Kabil Hajdari gjithashtu dyshohet se ka shmangur mos pagesën e tatimit në Administratën Tatimore të Kosovës në vlerën e 79.815.29 eurove.
Kurse, Nexhmedin Arifi dyshohet se duke qenë në pozitën e kryetarit të Vitisë më 22 gusht 2008, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për veti apo tjetrin, në kundërshtim me Ligjin mbi ndërmarrjet publike, ka marrë vendimin mbi ekzekutimin e vendimit të Kuvendit komunal për derajonalizimin e KRM”Higjiena”, njësia punuese në Viti e cila ishte pjesë integrale e “Higjienës” në Gjilan.
Arifi gjithashtu akuzohet se nuk e ka respektuar shkresën e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal e as vendimin e Qeverisë së Kosovës që të shfuqizojë atë vendim. Sipas aktakuzës Arifi i ka mundësuar Kabil Hajdarit që të keqpërdor mjetet e kompanisë publike duke e dëmtuar buxhetin e Kosovës në vlerën e 79 mijë eurove.
Edhe Arifi edhe Hajdari i kanë mohuar akuzat që nga dita e parë e këtij procesi. Madje Nexhmedin Arifi ka thënë se as që e dinë se pse ndodhet në këtë proces gjyqësor./rajonipress/