Zyrtarët shqiptar e serb, mësojnë gjuhën e njëri tjetrit
Kamenicë – Sot u shpërndanë certifikatat për zyrtarët komunal të Kamenicës të cilët përfunduan kursin e gjuhës shqipe dhe serbe. Për gjashtë muaj zyrtarët serb të komunës vijuan kursin e gjuhës shqipe dhe zyrtarë shqiptar vijuan kursin e gjuhës serbe.
Ky kurs organizohet nga Qendra Evropiane për çështjet e minoriteteve – ECMI dhe është projekt i përbashkët i zyrës së kryeministrit dhe komisariatit të BE për pakicat.
Ndarjen e certifikatave e ka bërë Nënkryetari i Komunës Fatmir Matoshi, i cili në radhë të parë përgëzoj vijuesit e këtyre kurseve dhe mësuesit e tyre Nuhi Kosumi dhe Maria Kerstic e cila është edhe koordinatore e këtij projekti. “Njohja e sa më shumë gjuhëve është pasuri individuale e secilit prej nesh,Administrata jonë është e interesuar që të punësuarit e saj të njohin gjuhët e komuniteteve që jetojnë këtu, sepse kështu mund t`u shërbejmë më mirë qytetarëve tanë. Ne falënderojmë partnerin tonë ECMI që na ka mbështetur dhe përkrahur në këtë drejtim” tha nënkryetari Matoshi./rajonipress/


