Zyrtare: Albin Krasniqi transferohet te Kolos

Kolos ka zyrtarizuar transferimin e mesfushorit ofensiv nga Kosova, Albin Krasniqi, duke shtuar një tjetër futbollist me mbiemrin Krasniqi në radhët e skuadrës.
Me këtë përforcim, klubi ukrainas ka tashmë dy lojtarë me mbiemrin Krasniqi në formacion.
Mesfushori 24-vjeçar, i lindur më 3 qershor 2001, vjen pas një karriere të suksesshme në Superligën e Kosovës, ku ka zhvilluar 141 ndeshje me klubet Drita dhe Prishtina.
Me Dritën, Krasniqi ka përfaqësuar Kosovën në kualifikimet për Ligën e Kampionëve dhe në kualifikimet për në Ligën e Konferencës.
Gjatë sezonit të fundit 2024/2025, me fanellën e Prishtinës ai ka zhvilluar 29 ndeshje në kampionat dhe 4 ndeshje në Kupë, duke kontribuar me 6 gola dhe 4 asistime.
Krasniqi ka qenë pjesë e kombëtares U-19 të Kosovës, ndërsa është thirrur edhe nga Kombëtarja A për një ndeshje miqësore ndaj Suedisë, ku megjithatë nuk u aktivizua.
Klubi Kolos ka shprehur kënaqësinë për këtë përforcim të ri, duke i uruar mirëseardhje futbollistit: “Mirë se erdhe, Albin! Jemi të lumtur që je pjesë e jona!”. /Telegrafi/