Zyra e Sinanit demanton LDK e Kamenicës

Gjilan – Zëdhënësi i komunës dhe kryetarit Begzad Sinani, përmes një reagimi e ka demantuar degën e LDK-së në Kamenicë rreth akuzave të saj se gjoja Begzad Sinani e ka shtuar numrin në administratës dhe se ka punësuar militant partiak. Edhe Sami Morina i cili është pjesë e LDK-së ka demantuar partinë e tij.Ndërrimi i vendit të punës është refleksion i një marrëveshjeje dypalëshe e aspak i ndonjë kërcënimi nga pushtetarët e rinj ka shkruar Morina.
Zyra e kryetarit Begzad Sinani ka reaguar ndaj akuzave dhe vlerësimeve që ka dhënë kryesia e degës së LDK-së në Kamenicë se gjoja pushteti i ri po punëson militant partiak.
“Kryetari Begzad Sinani e ka lënë Komunën e Kamenicës me 193 punëtorë në vitin 2009 dhe e ka marrë me 231 punëtorë në vitin 2013 që është tregues i qartë se kush e ka rritur numrin e të punësuarve. LDK bën gabimin e madh kur ish shefin e personelit e quan “të gjorë ”. Ai është e vërtetë se mund të mos ketë kryer detyrën e tij si duhet, por megjithatë emërtimi “i gjorë ” që ja bën partia e tij është i padrejtë” ka shkruar në reagimin e tij Faton Biqkaj.
Sipas tij është e papranueshme që brenda komunës zyrtarët komunal të ndahen me zyrtarë të kësaj apo asaj partie. “Kryetari Begzad Sinani ka premtuar një administratë efikase dhe përmirësimet në këtë drejtim po shihen ditë pas dite. LDK po tenton që përçarjet e saj brenda partisë t`i hesht me komunikata bajate si kjo që bëri disa ditë më herët. Pikërisht kjo parti nxori në rrugë dhe i detyroj të punonin punën e pastruesit të rrugëve Zyrtarin vetëm pse ishte anëtar të PDK-së, siç është rasti i Ramadan Rexhepajt. Fadil Hoda është pranuar në punë në drejtorinë e shërbimeve sociale dhe ardhja e tij si përfaqësues ligjor i komunës ishte shpikje e LDK-së .Zëvendës drejtori i QKMF-së nuk mund ta kryej detyrën e ushtruesit të drejtorit të këtij institucioni sepse ai menaxhment ka dhënë shembullin më të keq se si udhëhiqet shëndetësia e cila është në gjendje të rëndë pa asnjë investim kapital dhe reformat në këtë sektor janë shumë të nevojshme. Zyrtarja e informimit, aktivistja dhe kandidatja e LDK-së për asamble komunale Sabile Kastrati është pranuar në punë në vitin 2010 kur poashtu në këtë zyrë kanë qenë tre zyrtarë të informimit, duke u bërë punëtorja e katërt” ka thënë në reagimin e tij Faton Biqkaj Zëdhënës i Komunës dhe Kryetarit Sinani.
Kundër deklaratë së LDK-së ka reaguar Sami Morina. Në një sqarim që i ka dërguar rajonipress Morina ka thënë se duke pasur parasysh një reagim të “kryesisë së degës së LDK-së”, sidomos përdorimin e një gjuhe denigruese, me shprehje të cilat nuk i takojnë LDK-së, si parti e njohur për kultivimin e gjuhës së matur e intelektuale, anëtar i së cilës jam unë Sami Morina, vendosa të reagoj dhe ta shpreh indinjatën time të thellë!
Së pari është shumë e pabazë dhe irrituese përdorimi i shprehjes “i gjori” pa i ditur rrethanat fare! Është shumë paragjykuese fjalia e përdorur e reaguesit, “a donë me lëshu vendin me shku diku tjetër a po me shkua në shpi”! Vallë ku i paska dëgjuar ai këto fjalë!
Morina ka sqaruar se ndërrimi i vendit të punës është refleksion i një marrëveshjeje dypalëshe e aspak i ndonjë kërcënimi nga pushtetarët e rinj!
Ia bëj me dije reaguesit (LDK), se unë kam biseduar personalisht me shumicën e anëtarëve të kryesisë ku jam informuar saktësisht, se nuk është mbajtur asnjë takim i kryesisë së degës! Prandaj edhe i përdora thonjëzat për degën e LDK-së, pra ky është reagim individual e jo i forumit të partisë!
Në fund shtroj pyetjen, vallë me cilën të drejtë përdoret emri im, pa biseduar fare për rastin me mua! Kësaj radhe këtë reagim po e përmbyll me kaq, me porosinë që mos të mundohet dikush që në kurrizin tim të përfitojë pikë politike ka porositur partinë e tij Morina./rajonipress/