Zyhdi Rruga dënohet me 4 vite e 9 muaj burgim

Gjilan – Sot, një trup gjykues i Departamentit të Krimeve të Rënda të Gjykatës Themelore në Gjilan, ka shqiptuar një dënim unik ndaj të akuzuarit, Zyhdi Rruga, në kohëzgjatje prej 4 (katër) vite e 9 (nëntë) muaj burgim.
I akuzuari Zyhdi Rruga, shqiptar, shtetas i Republikës së Shqipërisë ka kryer veprën penale, blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotropike ose analoge dhe veprën penale sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare dhe veprën penale rrezikim i trafikut publik.
I akuzuari Rruga është shpallur fajtor, pasi që me datë 23.02.2014, në ora 11.08 minuta, me rastin e ndaljes nga patrulla e Stacionit Policor në Kamenicë, fillimisht ka refuzuar të hapë bagazhin dhe më pas duke i ikur policisë.
Me që rast, me të arritur në Gjilan shkakton një aksident trafiku dhe shkakton sulm ndaj zyrtarit policor.
Në momentin e ndaljes të akuzuarit iu është nxënë një sasi e substancave narkotike e llojit “marihuanë”, prej 53.740 gramë (pesëdhjetë e tre kilogram e shtatëqind e katërdhjetë gramë), të paketuara në 50 qese.
Ndaj të akuzuarit Zyhdi Rruga vazhdohet paraburgimi deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit, por jo më gjatë se dënimi i shqiptuar.
Palët gëzojnë të drejtën e kontestimit të këtij aktgjykimi në Gjykatën e Apelit në Prishtinë./rajonipress/