Zyberaj: Koalicionet në Gjilan e Kamenicë konform interesave të elektoratit të AKR-së

Gjilan – Jetlir Zyberaj këshilltar politik i Behgjet Pacollit tha për rajonipress se AKR ende është duke e shqyrtuar pozicionin e saj. Por ajo çka dihet është fakti se presidenti Behgjet Pacolli do të vendos konform interesit të elektoratit të AKR-së si dhe qytetarëve jo vetëm për Gjilanin e Kamenicën, por edhe për qendra tjera në Kosovë.
AKR-ja ende nuk është pozicionuar se cilin kandidat në balotazh do ta përkrah në Gjialn e Kamenicë. Derisa në Kamenicë, Fatmir Matoshi kryetar i kësaj dege veçse ka treguar përafrimin me PDK dhe ka thënë se pret përgjigjen e Behgjet Pacollit, në Gjilan është një situatë krejt ndryshe, raporton rajonipress.
Dega e AKR-së në Gjilan nuk ka dhënë asnjë prononcim rreth koalicioneve të mundshme. Megjithatë rajonipress ka kontaktuar Jetlir Zyberajn këshilltar politik i Behgjet Pacollit i cili tha se AKR ende është duke e shqyrtuar pozicionin e saj. “Presidenti Behgjet Pacolli do të vendos konform interesit të elektoratit të AKR-së si dhe qytetarëve jo vetëm për Gjilanin e Kamenicën, por edhe për qendrat tjera në Kosovë” tha Zyberaj.
Ndërkohë ishte Faton Bislimi kandidat për kryetar komune nga Koalicioni për Gjilanin i cili ka dhënë një sqarim rreth dy kandidaturave që do të përballen në balotazh. “Unë dua ta sqaroj publikun se unë kam qenë kandidat jopartiak për kryetar të komunës nga radhët e Koalicionit për Gjilanin, një nismë qytetare kjo e përkrahur nga disa subjekte politike dhe forume jopolitike. Andaj, në respekt të votuesve të mi, unë mbetem i përkushtuar që të punoj për të mirën e Gjilanit dhe vendit tim, dhe të jem i pa involvuar në procesin e balotazhit. Unë i dëshiroj fitore Gjilanit!” ka thënë në sqarimin e tij Bislimi.
Bislimi ka thënë se subjektet që kanë mbështetur kandidaturën e tij e kanë të drejtën e tyre legjitime që të përcaktohen për përkrahje ndaj njërit ose kandidatit tjetër dhe unë nuk do të jem i involvuar assesi as në përcaktimin e tyre eventual./rajonipress/