Zvicra nuk heq dorë nga shqiptarët

/ 7 minuta lexim

Mënyra e keqe e ndarjes së Zvicrës me Valon Behramin dhe Blerim Xhemailin nuk pritet të paraqesë problem për inkuadrimin e futbollistëve të tjerë shqiptarë në skuadrën helvetike pavarësisht faktit se shqiptarët i kanë dy opsione të tjera ideale – Kosovën dhe Shqipërinë. Largimin e Behramit dhe të Xhemailit Zvicra pritet ta zëvendësojë me dy futbollistë kosovarë. Albian Ajeti dhe Florent Hadërgjonaj, të cilët asnjëherë nuk u janë përgjigjur pozitivisht ftesave nga Kosova e Shqipëria, pritet t’i bashkohen Shaqirit e Xhakës në përfaqësuesen zvicerane.

Përkundër përjashtimit të Valon Behramit dhe Blerim Xhemailit numri i futbollistëve shqiptarë do të vazhdojë të jetë i madh në përfaqësuesen e Zvicrës.

Behrami qe 20 vjet i ka shërbyer ekipit helvetik, shkruan sot gazeta Zëri.

Shtatë vjet ka luajtur për ekipet e reja zvicerane, kurse në trembëdhjetë vjetët e fundit i ka shënuar 83 paraqitje për përfaqësuesen A, me të cilën ka marrë pjesë në katër Kampionate Botërore, gjë që nuk e ka bërë asnjë futbollist tjetër në historinë e futbollit zviceran.

Përkundër kësaj, Federata e Futbollit e Zvicrës (ASF) përmes një telefonate të vetme e njoftoi Behramin se Zvicra nuk llogarit më në shërbimet e tij.

Vendim i njëjtë është marrë edhe për shqiptarin tjetër Blerim Xhemailin, i cili po ashtu është njoftuar përmes një telefonate nga trajneri Vladimir Petkoviç.

Xhemaili prej vitit 2006 i ka regjistruar 69 paraqitje me ekipin helvetik, për të cilin i ka realizuar 10 gola.

ASF-ja dhe Petkoviç po kritikohen për sjellje raciste rreth mënyrës se ndërprerjes së bashkëpunimit me futbollistët shqiptarë, të cilët me zemër e me shpirt kanë luajtur ndër vite për ekipin helvetik, ku tashmë kanë mbetur vetëm Xherdan Shaqiri e Granit Xhaka, por me gjasë do të vazhdojë të luajë edhe Admir Mehmedi.

Disa drejtues të futbollit zviceran, por edhe një pjesë e opinionit dhe analistëve, kaherë i ka penguar fakti se futbollistët shqiptarë të Zvicrës asnjëherë nuk e kanë fshehur prejardhjen e tyre shqiptare ose festimi i golave duke e formuar shqiponjën dykrenore – simbol ky i kombit shqiptar.

Këto ose edhe tatuazhet e tyre me përmbajtje kombëtare shqiptare nganjëherë kanë krijuar polemika të mëdha në të gjithë Zvicrën, por edhe përçarje në kampin helvetik.

Ndërkohë, janë vetë futbollistët shqiptarë ata që i kanë qetësuar situatat.

Janë treguar profesionistë të mëdhenj, duke e lënë zemrën në fushë për ta ndihmuar Zvicrën në çdo lojë.

Njëjtë bënin edhe në ndeshjet më të vështira të karrierës së tyre, kur Zvicra luante ndaj vendit të origjinës së futbollistëve kryesorë të saj, Shqipërisë.

Futbollistët shqiptarë besnikëri të madhe ndaj Zvicrës kanë treguar edhe në rastin e anëtarësimit të Kosovës në UEFA e FIFA, kur disa nga ta kishin mundësi ta linin Zvicrën për t’iu bashkuar Kosovës.

Por nuk e kishin bërë një gjë të tillë, shkruan Zëri.

Andaj, është i pakuptimtë dhe për kritikë mënyra e largimit të Behramit e Xhemailit nga ana e Petkoviçit dhe drejtuesve të federatës zvicerane, të cilët po kritikohen edhe nga tifozët dhe mediet.

Sidoqoftë, problemi i fundit në mes Zvicrës dhe Behramit e Xhemailit nuk pritet të paraqesë problem për Zvicrën që në skuadrën e saj përfaqësuese të ftojë futbollistë të tjerë shqiptarë.

As këta të fundit, kryesisht të rinj në moshë, nuk shohin problem për të pranuar ftesa nga Zvicra, ndonëse Kosova dhe Shqipëria i presin me krahë të hapur.

ASF-ja dhe Petkoviç kanë konfirmuar se planifikojnë ta ripërtërijnë skuadrën.

KKGJILAN

Sipas tyre, në vend të Valon Behramit, Blerim Xhemailit, Gelson Fernandezit, Johan Djorous dhe Setephan Lichtsteinerit do të ftohen futbollistë të tjerë të rinj, që tashmë i plotësojnë normat për të luajtur për Zvicrën.

Në vend të këtyre pesë lojtarëve të larguar do të ftohen pesë të tjerë dhe dy së paku pritet të jenë me origjinë shqiptare.

“Zëri” merr vesh se Albian Ajeti dhe Florent Hadërgjonaj do t’i zëvendësojnë bashkëkombësit e tyre Behramin e Xhemailin në ekipin helvetik.

Ajeti është 21 vjeç dhe luan si sulmues. Aktualisht luan për Baselin dhe së fundmi ishte golashënuesi më i dalluar në Zvicër.

Vëllai i tij Arlind Ajeti luan për Shqipërinë, e cila e ka ftuar dhe e ka pritur gjatë edhe Albianin.

Por ky i fundit nuk e ka pranuar ftesën shqiptare, ndërsa e kishte pranuar ftesën e Zvicrës për të marrë pjesë në grupin e gjerë të futbollistëve në kampin përgatitor për Botërorin 2018.

Mirëpo nuk kishte zënë vend në listën e ngushtë të Petkoviçit.

Por tani situata ka ndryshuar dhe Albian Ajeti është një shpresë e madhe e Zvicrës, e cila e fitoi luftën për këtë futbollist karshi Shqipërisë dhe Kosovës.

Në anën tjetër, Florent Hadërgjonaj është 24 vjeç. Aktualisht luan në Angli te Huddersfield Town në rolin e anësorit të djathtë.

Ai i kishte dyert e hapura në Shqipëri, por shumë më i afërt dukej me Kosovën.

Ish-selektori Albert Bunjaki, por edhe tifozët, e prisnin me krah të hapur në skuadrën dardane.

Por, lojtari nuk e pranoi asnjërën ftesë nga Kosova, ndërsa e pati pranuar të parën ftesë që e pati marrë nga Zvicra e të cilën e priste gjatë, andaj as nuk i refuzonte e as nuk i pranonte ato që merrte nga Kosova e Shqipëria. Para një viti ai ishte ftuar në miqësoren e Zvicrës ndaj Bjellorusisë.

Ndërsa pas largimit të disa veteranëve së fundmi Hadërgjonaj mund të bëhet “banor rezident” në skuadrën helvetike.

“Mendimi im është se Zvicra më dha mundësinë të rritem, të shkollohem dhe të edukohem. Më bëri një djalë të mirë dhe një futbollist e këtu ku jam, jam falë futbollit zviceran. Zvicra ua dha mundësinë edhe prindërve të mi të kenë një jetë më të mirë dhe kjo është ajo pse unë dua t’ia shpërblej”, kishte thënë Hadërgjonaj kur e kishte arsyetuar vendimin e tij për t’i refuzuar Kosovën e Shqipërinë e për ta pranuar ofertën e Zvicrës.

“Ishte një vendim shumë i vështirë edhe për mua njësoj si për lojtarët e tjerë, si Xherdan Shaqiri ose Granit Xhaka.

Të gjithë kishim presion. Familja ime është nga Kosova dhe unë shkoj atje një ose dy herë në vit për t’i vizituar të afërmit e mi.

Ishte një situatë e vështirë pasi disa nga njerëzit më thoshin:

‘Familja juaj është nga Kosova dhe duhet të luani për Kosovën, kurse të tjerë më thoshin të luaj për Zvicrën, ku kam lindur dhe ku jam rritur”, kishte deklaruar Hadërgjonaj, i cili ishte një opsion i Petkoviçit për ta ftuar edhe në botërorin “Rusia 2016”, gjë që nuk kishte ndodhur.

Mirëpo tani Hadërgjonaj ka mundësi dhe hapësirë më të madhe për t’i siguruar vend vetes në përfaqësuesen zvicerane. /Zëri/