Zvicra e qetë, Italia të kënaq
Migjen Basha debutoi fundjavën e shkuar me Comon në Serinë B italiane dhe në më pak se një tregoi se është lojtari që i duhet Comos, në garën për mbijetesë.
E përditshmja e qytetit të Comos, La Provincia, ka bërë një reportazh special me futbollistin e kombëtares shqiptare, duke i marrë një intervistë të gjatë, ku Basha ka folur për gjithçka, nga fëmijëria e deri te synimet e së ardhmes.
“Prindërit e mi janë shqiptarë, nga Kosova, por kanë jetuar në Zvicër që para se të lindja unë, në Lozanë. Nisa të luaja me ekipet e moshave te Lozana, kur presidenti i Lukezes u bë bashkëpronar. Erdhi trajneri i Lukezes, Giggi Simoni, për të na ndjekur, dhe i lashë përshtypje mjaft të mira. Isha 18 vjeç dhe vendosa të pranoj transferimin në Itali”, rrëfen Basha, i cili më pas kaloi te Viarexhio në C2, derisa në moshën 21-vjeçare erdhi kalimi te Rimini, në Serinë B.
Që aty, vetëm rritje, sepse erdhën aventurat te Frosinone, Atalanta dhe 4 vite te Torino, kulmi i karrierës së 29-vjeçarit.
“Ishin vite të bukura, e nisëm me ngjitje në A dhe shkuam në Ligën e Evropës, një arritje historike”.
Verën e shkuar kontrata me Torinon përfundoi dhe Basha zgjodhi të kthehej në Zvicër, por: “Mendova të afrohesha me shtëpinë, ndaj pranova ofertën e Luzernit, por gabova. Futbolli zviceran nuk është për mua, është krejt ndryshe dhe nuk u ambientova”.
“Sinqerisht, nuk më dukej vetja futbollist. Atje ka shumë qetësi, pak njerëz në stadium, askush nuk të bezdis, por unë nuk jam mësuar ashtu. Jam për futbollin italian, ndaj e pranova me vrap ofertën e Comos. Është një qytet shumë i bukur, po më pëlqen shumë. Kam stimuj të jashtëzakonshëm, besoj te mbijetesa më këtë skuadër”, ka thënë Basha.

