RCCOLA

Zv.kryeministri i Italisë: Kosova ka mbështetjen e Italisë për dialog

/ 2 minuta lexim
Mobi Casa

Zëvendëskryeministri italian dhe ministri i Jashtëm, Antonio Tajani në kuadër të Konferencës së Sigurisë në Mynih, ka takuar presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti, ku ka rikonfirmuar përkushtimin e Italisë për dialog konstruktiv ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti e falënderoi zëvendëskryeministrin Tajani për mbështetjen e Italisë, bashkëpunimin e afërt ndër vite dhe kontributin e vazhdueshëm për demokratizim dhe zhvillim të Ballkanit Perëndimor.

Sipas njoftimit nga Zyra e Kryeministrit, ata diskutuan për mënyrat e thellimit të marrëdhënieve ekonomike dhe rritjes së shkëmbimeve tregtare ndërmjet Kosovës dhe Italisë. Gjithashtu folën për mundësitë që Kosova ofron për investitorët e huaj, përkatësisht Italian dhe për përfitimet që mund të sjellë për të dy vendet forumi ekonomik italian në Kosovë, e i cili pritet të organizohet gjatë këtij viti.

Përveç bashkëpunimit në rrafshin ekonomik, biseduan edhe për format e bashkëpunimit bilateral në fusha tjera si ajo e sigurisë dhe mbrojtjes.

Në takim gjithashtu u diskutua edhe për procesin e dialogut dhe për propozimin evropian që krahas Gjermanisë, Francës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka mbështetjen edhe të Italisë.

Mobi Casa

Po ashtu Kryeministri Kurti, ka takuar edhe Kryeministrin e Suedisë, Ulf Kristersson, ku biseduan për marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet Kosovës dhe Suedisë.

Njoftohet se gjatë takimit Kurti ka njoftuar kryeministrin suedez për progresin e arritur në sundimin e ligjit dhe për indikatorët ekonomikë dhe demokratik që dëshmohen edhe nga raportet e organizatave ndërkombëtare, përfshirë raportin e BE-së për vendin.

Folën për aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe në Bashkimin Evropian, dhe për rëndësinë e integrimit të mëtejmë të Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Kryeministri Kurti shprehu falënderimin e tij për mbështetjen ndër vite dhe të vazhdueshme të Suedisë për Kosovën dhe për ndihmën ndaj institucioneve dhe shoqërisë së Kosovës përmes projekteve të ndryshme të financuara nga Ambasada e Suedisë në Kosovë.​