Eko Higjiena

Zullumqarë e krenarë

/ 5 minuta lexim
ARKATANA

Nga Imer Mushkolaj – Nuk ka gjë më të ligë se të mbash në izolim e mjerim një popull të tërë, shkaku i papërgjegjësisë së një kaste qeverisëse. Edhe të bësh zullum mbi qytetarin, edhe të shfaqesh krenar për atë që bën nuk shkon. Nuk ma gjë më të ligë se t’iu bësh zullum qytetarëve tuaj, e në anën tjetër të shfaqesh krenar për atë që bën. Nuk ka gjë më të turpshme se të mashtrosh ata që i qeveris, e në anën tjetër të bësh çmos që të përfitosh nga prania partiake në institucione, pavarësia e të cilave është kusht për liberalizimin e vizave.

Sa e sa herë deri tash kemi dëgjuar zyrtarët qeveritarë, që nga kryeministri Isa Mustafa, duke thënë se i kanë përmbushur kriteret për liberalizimin e vizave. Këtë e thoshin edhe atëherë kur nuk kishin siguruar objekt për Avokatin e Popullit dhe, pa pikë turpi, këtë vazhdojnë ta thonë edhe tash kur nuk kanë siguruar ende funksionalizimin dhe pavarësinë e Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP). Kërkesën për ta përmbushur këtë kusht Mustafa e ka mbajtur në sirtar për një vit, ndërkohë që deputetët nuk i kanë votuar propozimet për të plotësuar bordin e OSHP’së.

Gaboheni nëse mendoni se kjo çështje është zvarritur për shkaqe parimore. Jo, këtu kemi të bëjmë thjeshtë me interesa partiake, respektivisht ndarje të “pushtetit” në OSHP ndërmjet partnerëve të koalicionit qeverisës, PDK e LDK.

Këta njerëz nuk e kanë dert pse pikërisht për këtë shkak kosovarët vazhdojnë të mbeten të izoluar, pa e pasur mundësinë e lëvizjes së lirë. Për ta është e rëndësishme që të përfitojnë sa më shumë dhe nuk brengosen pse e mbajnë peng një popull të tërë, për përfitime të veta. E pastaj, plot krenari, publikisht gënjejnë se i kanë përmbushur krejt kriteret.

Sikurse edhe në të kaluarën, edhe në qeverisjen e Isa Mustafës vazhdon praktika e kapjes së çdo insitucioni të pavarur, duke i mbushur ata me militantë partiakë dhe duke i pasur “në pikë” njerëzit e vet. Një pushtet klientelist që punon për të mirën e njerëzve të vet, e jo për të mirën e qytetarëve.

Përtej frazave që tingëllojnë bukur se janë duke punuarv për qytetarët, veprimet e qeveritarëve në të shumtën e rasteve tregojnë të kundërtën. Mjafton të shihet çfarë pasurie kanë arritur të bëjnë, me çfarë makinash luksoze lëvizin, sa shpenzojnë për udhëtime, dreka e darka dhe secili mund të krijojë një fotografi se sa iu bën këtyre njerëzve për qytetarët.

Të afërmit i kanë rehatuar në shërbimin diplomatik ose në insitucione, përpara qytetarëve shfaqen plot papërgjegjshmëri e arrogancë, nuk e kanë hiç dert të rrejnë, ndërkohë që zhvillimi ekonomik ka ngecur, papunësia nuk është zbutur e varfëria rritet çdo ditë.

Uji Dea

Ashtu siç rritet edhe mllefi i qytetarëve që nuk shohin gjë të mirë në vendin e tyre. Andaj, aktet e djegies së veturave të politikanëve, pavarësisht se janë të papranushme, të dënueshme dhe nuk duhet të ndodhin, nga qytetarët shihen me tjetër sy. Në njëfarë mënyre, ata brenda vetes sikur i përligjin veprimet e tilla, ngase pasurimi i shpejtë, jeta luksoze dhe qasja arrogante në publik ua projekton thuajse të gjithë politikanët “hajna” dhe “mashtrues”. Ua projekton si njerëz që pushtetin e konsiderojnë privilegj, e jo përgjegjësi dhe çdo dëmtim i pronës së tyre, të përfituar jashtëligjshëm dhe në mënyrë të dyshimtë, për ta është një satisfaksion. Mund të tingëllojë bizare, por a nuk është bizare gjithë kjo që ndodh me qytetarin e shkretë, që veç korrupsion, krim e dhunë sheh në këtë vend?

Nuk është kurrfarë mëkati të merresh me politikë. Por, po, është mëkat kur politikën dhe të qenit në pushtet e shfrytëzon për përfitime personale, familjare e klanore, pavarësisht se qytetarët ta kanë dhënë votën për t’i qeverisur me përgjegjësi e ndershmëri. Ta kanë dhënë votën që të mos ua keqpërdorësh.

Gjatë gjithë viteve të pasluftës politikanët janë kthyer në milionerë, e mjerimi i qytetarëve ka ardhur duke u rritur. Shto kësaj edhe izolimin shkaku i mosheqjes së vizave dhe mungesën e perspektivës.

Frustrimi po kthehet në dhunë dhe shkaqet i dinë të gjithë. Sidomos ata që bëhen sikur nuk po marrin vesh dhe shfaqen krenarë për punët që po i bëjnë.

Dhe, përderisa qytetarët presin hapjen e qindra mijëra vendeve të premtuara të punës, pozita të rëndësishme nëpër institucione mbushen me militantë partiakë, kërkesat për ndihmë sociale shtohen dhe zullumi vazhdon. Por, edhe të bësh zullum mbi qytetarin, edhe të shfaqesh krenar për atë që bën nuk shkon. Siç nuk shkon t’i gënjesh qytetarët se janë përmbushur të gjitha kriteret për liberalizmin e vizave dhe të mbash të bllokuar procesin për shkak të interesave partiake, madje në prag të vizitës së misionit vlerësues të ekspertëve lidhur me përmbushjen e tetë rekomandimeve të fundit.

Me siguri pas takimit me ekspertët, krenarë dhe pa pikë turpi do të na thonë sërish se kriteret janë plotësuar. Zullumqarë dhe krenarë.