ZRRE-së i jepet ultimatum për të anuluar vendimin për çmimin e rrymës

Rritja e çmimit të rrymës ka ngjallur pakënaqësi të shumta.Koalicioni i përbërë nga organizatat e shoqërisë civile, sindikatat dhe konsumatorët i ka dhënë shtatë ditë kohë ZRRE-së që të anulojë vendimin e jashtëzakonshëm për rritjen e çmimit të energjisë elektrike prej 5.18%.
Në të kundërtën ata paralajmërojnë hapa të tjerë, duke mos përjashtuar format e protestave dhe demonstratave qytetare si dhe thirrje për bojkot të pagesës së faturave.
Visar Azemi nga KOSID-i thotë se duke filluar nga java e ardhshme koalicioni do të bëjë mbledhje të nënshkrimeve për nismë legjislative, të cilat mundësojnë mbajtjen në nivel të përballueshëm të çmimeve të energjisë.
Ai ka thënë se ky vendim si dhe vendimi i mëhershëm i ZRRE-së për praktikat e faturimit nga ana e KEDS-it do të dërgohen edhe në Gjykatën Kushtetuese.