ZRRE-ja duhet t’i zbresë tarifat e energjisë

Operatorët kërkojnë rritje, ekspertët kundërshtojnë. Vendimi i bordit merret deri në fund të marsit
Eksperti i energjetikës, Avni Kurshumliu, tha se pas rastit të eksplodimit të hidrogjenit, që pati ndodhur vjet në TC “Kosova A”, ZRRE-ja lejoi ngritjen e çmimit të energjisë për KEDS-in, në vlerën 5.17 për qind, me arsyetimin se duhet të rritet importi i rrymës elektrike. Sipas tij, tani kur ato rrethana janë tejkaluar, ZRREja është dashur që çmimin ta kthejë në gjendjen e mëparshme
Me gjithë kërkesat e KEK-ut dhe të KEDS-it për shtrenjtimin e çmimit të energjisë elektrike, stafi i ri drejtues i ZRRE-së, ende nuk ka marrë ndonjë vendim përfundimtar se a do të ketë apo jo shtrenjtim të energjisë elektrike.
Por, burime mirë të informuara të gazetës “Kosova Sot” brenda ZRRE-së kanë konfirmuar se për shkak të gjendjes shumë të rëndë ekonomike, që po mbretëron në vend dhe mundësisë për shpërthimin e pakënaqësive, këtë vit nuk do të ketë shtrenjtim të rrymës. Burimi në fjalë nga ZRRE-ja ka thënë në kushte anonimiteti se ndonëse ZRRE-ja akoma e nuk e ka marrë vendimin për rritjen e tarifave të energjisë elektrike, nuk beson se sivjet do të ketë shtrenjtim të energjisë, për shkak të situatës dhe çmimeve të rrymës, të cilat janë aktualisht. “Po ashtu është duke u vlerësuar se nëse rriten tarifat e rrymës, atëherë ekziston mundësia për shpërthimin e pakënaqë- sive të mëdha”, theksoi burimi./kosova sot/