UBT

Zotërinj të “Eco – Higjienës”

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Nga Veton Nevzadi – Duket se ka ndodh një evoluim në debatin mbi pretendimin tim për mos përmbushjen e obligimeve tuaja ndaj partnerit publik në rastin e marrëveshjes së Partneritetit Privat Publik (PPP). Bazuar në atë që thoni ju, edhe “ekspertët e pavarur”, (të cilëve nuk i jepni emër dhe mbiemër) e kanë vërtetuar se “dy partnerët deri më tani nuk i kanë përmbushur në tërësi obligimet e veta”.

Do të thotë kemi lëvizje të pozicioneve, ju e pranoni publikisht që nuk i keni përmbushur obligimet tuaja në tërësi. Tash e tutje duhet marrë me këtë çështje, sidomos ata që janë të thirrur dhe kanë kompetenca për këtë çështje.

Kjo deklaratë e juaja gjithashtu e konfirmon faktin se qëllimi im nuk është që të diskreditoj askënd publikisht, por të analizojmë publikisht pozicionet ku ka ngecje në zbatimin e marrëveshjes PPP.

Ju pohoni se “Eco Higjiena” është një kompani private, dmth nuk ka të bëjë asgjë me KRM “Higjiena”, apo thënë me terma tjerë nuk përfaqësoni pjesën e vjetër të kompanisë!

Me kureshtje të madhe pres të dëgjoj se ku e zhvilloni veprimtarinë tuaj, objektin dhe hapësirën e kujt e shfrytëzoni pa pagesë, infrastrukturën e kujt e shfrytëzoni kur operoni në terren, me klientelen e kujt bashkëpunoni dhe emrin e mirë të kujt e shfrytëzoni gjatë gjithë kohës?

Zotërinj, kompaninë rajonale për menaxhimin e mbeturinave me të gjitha këtë infrastrukturë nuk e solli askush në Gjilan, Kamenicë dhe Viti, por ajo ishte këtu me dekada në këto hapësira gjeografike.

Ju erdhët dhe parashtruat kërkesë për t’u bashkangjitur dhe për të investuar 1.5 milion euro me pretendimin që kompania e përbashkët të forcohet financiarisht dhe të pasurohet me një mentalitet tjetër të punës.

Fundamenti

Ju është besuar sepse keni prezantuar dëshmi se do të mund ta realizoni këtë projekt, por si duket ndryshimet e establishmentit politik ju kanë leverdisur për të justifikuar bishtrimin që po i bëni përmbushjes së marrëveshjes.

Askund në marrëveshjen PPP nuk shkruan se pala publike obligohet të kontribuojë me diçka gjatë kohës që pala private kryen investimet e parapara prej 1.5 milion euro. Pala publike u ka dhënë në dispozicion objektin e ri ku operoni tani, klientelën e gatshme në tri komunat, mjete tjera të punës, por edhe 2.000 kontejnerë të rinj si shenjë e vullnetit të mirë.

Ju keni nënshkruar marrëveshjen ku parashihet shumë qartë se ju lejoheni të hyni gradualisht si partner privat në menaxhimin e kompanisë së përbashkët për një periudhë 15 vjeçare pasi ti investoni mjetet e parapara.

E vërteta e shkruar në letër të bardhë aktualisht tregon se investimet nuk janë kryer ashtu siç e parasheh marrëveshja.

Nuk kemi asnjë arsyje t’i bëjmë asnjë ekuivok të vërtetës sepse ajo nuk njeh ballafaqim tjetër përveç sy më sy dhe ballë për ballë.

Përndryshe, nëse e vërteta ndonjëherë shndërrohet në diçka tjetër, atëherë, e paqim veten në qafë, thotë një thënie popullore e jona.

Veton Nevzadi