FITORJA

Zori i turkut

/ 5 minuta lexim
Hidromorava

Nga Imer Mushkolaj – Politika mund ta ndryshojë historinë me zor, por krimet e masakrat e kryera ndaj shqiptarëve nga Perandoria Osmane kanë ndodhur dhe nuk kanë si të “zbuten”.

Mund të ndodhë lehtë që pas disa dekadash, stërmbesat e stërnipat tonë të mësojnë në libra historie se Republika Federale e Jugosllavisë/Serbia nuk ka vrarë e prerë në Kosovë. Deri atëherë është e mundshme që Kosova e Serbia të bëhen shtete mike dhe Beogradi të kërkojë nga Prishtina që t’i pastrojë librat e historisë nga disa terma “të pakëndshëm”, respektivisht ta ndryshojë historinë. Njësoj siç po ndodh tash, me kërkesën që shteti turk i ka bërë Kosovës.

Shumë dekada pasi ushtarët e Perandorisë Osmane dëbuan e dënuan, vranë e prenë shqiptarë, ua hoqën kokat e i ngulën në hanxharë, Turqia po kërkon që historia që e mësojmë të ndryshohet.

Tashmë është propozuar që në librat e historisë të shkollës fillore fjalët “dhunë” dhe “vrasje” të zëvendësohen me “pushtim” e “burgosje”. Ose, ta zëmë, fjalia “osmanët vranë shumë shqiptarë” të fshihet tërësisht. Madje, edhe fjala “ashpërsi” është propozuar të shndërrohet në “ndërhyrje ushtarake”, kurse “sundimi i egër osman” në “pushtimi osman”.

Pra, sipas kësaj del se Perandoria Osmane nuk ka vrarë, ushtruar dhunë apo ka qenë e ashpër me shqiptarët. Ajo vetëm ka sunduar, burgosur dhe ndërhyrë ushtarakisht!

Gjithë këto marifetllëqe i ka propozuar komisioni i caktuar nga ministri kosovar i Arsimit, pas vizitave që i bënë Kosovës “vëllezërit” turq – kryeministri, ministri i Jashtëm dhe ai i Arsimit.

Thjesht, shteti i Kosovës iu nënshtrua vullnetit politik të shtetit “vëlla” turk dhe nisi procesin e ndryshimit të historisë shekullore të shqiptarëve nën Perandorinë Osmane. Thuajse bëhet fjalë për diçka fort të parëndësishme, e jo për shekuj të tërë jete e identiteti shqiptar, që dikush me lehtësi zgjedh t’i fshijë ose t’i falsifikojë.

* * *

Nëse pranohen propozimet e komisionit, atëherë del se historia nuk është ndryshuar, por është falsifikuar. Me zor.

Nëse propozimet e komisionit merren si të mirëqena, atëherë në librat e historisë do të arsyetohen të gjitha të zezat e kryera ndaj shqiptarëve nga perandoria e dikurshme. Ose nuk do të mësohet fare për to, sepse do të fshihen sikur të mos kishin ndodhur asnjëherë.

Propozimet e komisionit janë ndërhyrje të rënda në historinë e një populli. Janë të kuptueshme iniciativat për heqjen nga librat të paragrafëve fyes ndaj turqve dhe Turqisë, por vrasjet, masakrat, dhunimet, torturat, përndjekjet kanë ndodhur dhe nuk kemi si t’i “zbutim”. Aq më pak është e papranueshme që ndryshimet provohen të bëhen me dekrete politike, e jo si rezultat i hulumtimeve shkencore nga historianët, të cilëve iu takon të merren me këtë punë. Politika nuk duhet të përzihet në shkrimin e historisë, pavarësisht se dikujt nuk i pëlqejnë faktet që prezantohen.

FIDANISHTJA

Turqia nuk është Perandoria Osmane dhe shqiptarët nuk e identifikojnë atë me perandorinë e dikurshme. Historianët duhet të sqarojnë këtë ndryshim në dukje të vogël, por shumë domethënës. Por jo edhe të shkelin mbi parimet themelore të shkencës, duke falsifikuar fakte për hatër të Erdoganit ose kujtdoqoftë tjetër.

Shumë më e rëndë se ndonjë fjalë e “pakëndshme” që mund të haset në libra historie ka qenë jeta e shqiptarëve nën perandorinë e cila, madje, ndryshe nga ç’bëri me kombe të tjera në Ballkan, shqiptarëve nuk u lejoi shtet të pavarur. Po ashtu, nuk kurseu masat represive për islamizimin dhe nënshtrimin e tyre.

Është e pandershme të thuhen e shkruhen gjëra të paqena, siç është fyese që shekuj historie të ndryshohen sipas tekave të politikës dhe me qëllime thellësisht jofisnike.

* * *

Para pak ditësh, në prag të Ditës së Kujtesës dhe pak ditë para 80-vjetorit të marrjes së pushtetit nga Adolf Hitleri, kancelarja gjermane Angela Merkel kujtoi se Gjermania ka “përgjegjësi të përhershme për krimet naziste, për viktimat e Luftës së Dytë Botërore dhe, para së gjithash, edhe për Holokaustin”.

“Duhet ta themi në mënyrë të qartë, brez pas brezi dhe ta rithemi, me guxim dhe kurajo civile, edhe secili nga ne mund të kontribuojë, derisa racizmi dhe antisemitizmi të mos kenë asnjë shans”, tha ajo.

Por ndryshe nga Merkel, udhëheqësit e lartë turq, në vend që të marrin përgjegjësinë që iu takon për të bëmat e paraardhësve të tyre, kanë zgjedhur të shtrembërojnë historinë. Kanë gjetur një shtet të brishtë dhe njerëz të dobët brenda tij që ta realizojnë skenarin e mbrapshtë. Kanë gjetur “vëllezër” që falsifikojnë.

Natyrisht, secili nga ne e kupton se Turqia është shtet mik dhe partneri më i rëndësishëm i Kosovës në rajon. Por, nuk duhet assesi që udhëheqësit e saj të keqpërdorin këtë miqësi dhe të kërkojnë – mbase edhe të kushtëzojnë – ndryshimin e historisë.

Kjo qasje aspak korrekte e Ankarasë ndaj Prishtinës duhet kundërshtuar. Miqësia nuk nënkupton edhe vasalitet ndaj dikujt. Qoftë edhe nëse ata janë “vëllezërit” turq.

Mbase është e tepërt të thuhet se, nëse nuk mësohet nga historia, ajo mund të përsëritet. Ne po na falsifikohet.

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Nëse e çaktivizoni këtë cookie, ne nuk do të jemi në gjendje t'i ruajmë preferencat tuaja.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.