Zmbrapsja speciale e Thaçit

“Gjykata Speciale nuk mund të shfuqizohet dhe nuk do të shfuqizohet”. Kështu deklaroi gjatë ditës së djeshme presidenti i Republikës së Kosovës Hashim Thaçi, i cili tha se ky është qëndrim i shtetit të Kosovës, shkruan sot Gazeta ‘Zëri’.
Megjithatë, i pari i Republikës në një konferencë për medie gjatë së enjtes ripërsëriti se kjo Gjykatë është një padrejtësi që i është bërë Kosovës.
Ai foli edhe për tema të tjera, me ç’rast u shpreh i bindur se këtë vit Kosova do të bëhet me ushtri.
E duke e vlerësuar 10-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës si një periudhë të suksesshme për shtetin e Kosovës, presidenti Thaçi u shpreh optimist se çështjet e mëdha, siç është Demarkacioni, do të zgjidhen shumë shpejt.
Duke folur rreth Gjykatës Speciale Thaçi tha se themelimi i saj i ishte imponuar Kosovës.
“Sa i përket Gjykatës Speciale s’besoj që ka qenë dikush më i qartë se unë sa i përket kësaj. E kam thënë edhe më 2015-n, e them edhe tash. Themelimi i Gjykatës Speciale është padrejtësi që i është bërë Kosovës”, u shpreh ai.
Pavarësisht kësaj, i pari i shtetit vlerësoi se ky obligim ndërkombëtar duhet të çohet deri në fund, meqë Kosova nuk ka asgjë për të fshehur.