Eko Higjiena

Zjarrfikësit në vijën e parë të emergjencës, Hetem Jakupi: Jemi 24 orë në shërbim të qytetarëve pas vërshimeve në Viti

/ 2 minuta lexim
Mobi Casa

Viti – Njësia Profesionale e Zjarrfikjes dhe Shpëtimit në Viti ka qenë në gatishmëri të plotë për t’iu përgjigjur situatës emergjente të krijuar nga reshjet intensive të shiut, të cilat shkaktuan vërshime dhe dëme të konsiderueshme materiale në fshatin Sllatinë e Poshtme dhe lokalitete të tjera të komunës.

Sipas njoftimit të komandantit të NJPZSH-së, Hetem Jakupi, ekipet e zjarrfikësve kanë reaguar menjëherë pas marrjes së njoftimeve, duke dalë në terren për të vlerësuar gjendjen, siguruar zonat e rrezikuara dhe ndihmuar familjet e prekura nga përmbytjet.

Si pasojë e vërshimeve, janë dëmtuar shtëpi banimi, oborre dhe objekte përcjellëse, ndërsa dëmet materiale vlerësohen të jenë të konsiderueshme. Megjithatë, lajmi më inkurajues është se nga kjo situatë nuk është raportuar asnjë person i lënduar apo viktimë.

Jakupi theksoi se të gjitha kapacitetet operacionale të Njësisë Profesionale të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit mbeten të mobilizuara dhe në gatishmëri të vazhdueshme për të ndërhyrë në çdo rast emergjent, duke garantuar mbështetje të pandërprerë për qytetarët.

Uji Dea

Ai u bëri thirrje banorëve për mirëkuptim dhe bashkëpunim me institucionet përgjegjëse, duke theksuar se menaxhimi i situatave të tilla kërkon koordinim të ngushtë ndërinstitucional, verifikim të dëmeve dhe prioritizim të rasteve më urgjente.

“Në këto momente sfiduese, solidariteti dhe bashkëpunimi janë po aq të rëndësishëm sa edhe reagimi i shpejtë i ekipeve emergjente. Ne mbetemi në terren dhe në shërbim të qytetarëve 24 orë në ditë, me qëllim që pasojat e kësaj fatkeqësie natyrore të tejkalohen sa më shpejt”, ka bërë të ditur Jakupi.

Institucionet lokale vazhdojnë të monitorojnë situatën dhe të vlerësojnë dëmet e shkaktuara, ndërsa qytetarët janë ftuar të raportojnë çdo rast që kërkon ndërhyrje emergjente./rajonipress/