UBT

Zhvillimet në veri, Kearns: Mosndëshkimi ngjall përbuzje për sundimin e ligjit dhe rendit

/ 2 minuta lexim
Uji Dea

Deputetja britanike Alicia Kearns, ka thënë se ka shumë fakte që duhen vërtetuar pas vrasjes së një polici kosovar në një sulm të organizuar terrorist të dielën në Banjskë të Zveçanit.

Por sipas saj, mosndëshkimi ngjall përbuzje për sundimin e ligjit dhe rendit.

Përmes një postimi në platformën X, deputetja Kearns është shprehur se llogaridhënia është prioritet krahas një rivlerësimi urgjent për të vendosur drejtësinë dhe ekuilibrin në qendër të qasjes ndërkombëtare ndaj Serbi-Kosovë.

UBT

“Shumë fakte që duhen vërtetuar pas vrasjes së një polici kosovar, por mosndëshkimi ngjall përbuzje për sundimin e ligjit dhe rendit, kështu që llogaridhënia është prioritet krahas një rivlerësimi urgjent për të vendosur drejtësinë dhe ekuilibrin në qendër të qasjes ndërkombëtare ndaj Serbi-Kosovë”, ka shkruar ajo.

Më 24 shtator, një pjesëtar i Policisë së Kosovës mbeti i vrarë kur persona të armatosur, rreth 30 sosh, sulmuan njësitet policore në fshatin Banjskë – zonë e banuar me shumicë serbe në veri të vendit.

Në përleshjet që pasuan midis grupit të armatosur dhe forcave të rendit u vranë tre sulmues dhe u arrestuan gjashtë persona që dyshohet se ishin të lidhur me ta, konfirmuan autoritetet.