ARKATANA

Zhvatja perfide e milionave të Kosovës

/ 8 minuta lexim
Uji Dea

Analistët thonë se përgjimet e aferës “Pronto 2” janë edhe një dëshmi shtesë se si në Kosovë nuk ka asnjë shans që të fitohet ndonjë tender në procedura të rregullta, por kjo duhet bërë vetëm e vetëm duke e ndarë “tallin” me nëntokën kriminale që po udhëheq çdo gjë në Kosovën e sunduar. Por ajo që më së shumti i irriton ekspertët opozitën e shoqërinë civile është çështja se përse organet e drejtësisë po vazhdojnë “të flenë” dhe pse kemi hyrë në vitin 2017 nuk kemi asgjë nga aktakuzat ndaj personave të veshur me pushtet dhe bizneset oligarkike që punojnë për ta, e të cilët në mënyrë të paligjshme kanë zhvatur, zhvatin dhe do të vazhdojnë të zhvatin qindra miliona euro në kurriz të qytetarëve të Kosovës.

Prokuroria ende nuk po i heton aferën “Pronto” dhe skemat mafioze të oligarkëve

Eksperti i ekonomisë, Nehat Maxhuni, tha për gazetën “Kosova Sot” se Devollët gjatë këtyre më shumë se 10 viteve të fundit zhvatjen e parasë publike të qytetarëve e bënë me licencat e tyre të monopolizuara, në fushën e homologimit të automjeteve dhe terminaleve doganore, pastaj me kontratën e “Z-Mobile”, me tenderë, privatizimin e kriminalizuar të Fabrikës së Amortizatorëve, pastaj heqjen e akcizës në kafe, ku po ashtu e kanë monopolin, por edhe në shumë biznese të tjera të pista.

Sipas tij, Devollët e ndryshuan strategjinë e tyre të veprimit, duke zhvatur paratë në një formë tjetër, dukshëm më perfide, dhe atë përmes padive në arbitrazhet ndërkombëtare.

Ekspertë të ekonomisë, deputetë opozitarë të Kuvendit të Kosovës, përfaqë- sues të shoqërisë civile, njëzëri pajtohen se publikimi i përgjimeve të bisedave të klanit “Pronto 2” dhe lidhjet e tyre me shumë politikanë dhe biznesmenë, siç janë mafio-oligarkët Shkëlqim e Blerim Devolli, pastaj Ekrem Lluka me kompaninë “Dukagjini” e shumë të tjerë, janë pasqyra më e mirë që dëshmon për mënyrat e sofistikuara si ushqehet politika kriminale nga bizneset e inkriminuara oligarkike. Kjo aferë sipas tyre e tregon mënyrën se si përfitohet paligjshëm dhe pandershëm nga tenderët publikë dhe format e tjera të favoreve të pushtetit të korruptuar dhe përmes krimit të organizuar, ku vlerat arrijnë në qindra miliona euro.

Analistët thonë se përgjimet e aferës “Pronto 2” janë edhe një dëshmi shtesë se si në Kosovë nuk ka asnjë shans që të fitohet ndonjë tender në procedura të rregullta, por kjo duhet bërë vetëm e vetëm duke e ndarë “tallin” me nëntokën kriminale që po udhëheq çdo gjë në Kosovën e sunduar. Por ajo që më së shumti i irriton ekspertët opozitën e shoqërinë civile është çështja se përse organet e drejtësisë po vazhdojnë “të flenë” dhe pse kemi hyrë në vitin 2017 nuk kemi asgjë nga aktakuzat ndaj personave të veshur me pushtet dhe bizneset oligarkike që punojnë për ta, e të cilët në mënyrë të paligjshme kanë zhvatur, zhvatin dhe do të vazhdojnë të zhvatin qindra miliona euro në kurriz të qytetarëve të Kosovës. Ata me këtë rast pyesin se si të shpjegohet rasti konkret tashmë i publikuar në opinion nga përgjimet e fundit ndikimi dhe kontakti aq i shpeshtë i Adem Grabovcit mbi biznese, siç është kompania “Dukagjini” e Ekrem Llukës dhe me kompaninë “Devolli”, pronë e vëllezërve Shkëlqim e Blerim Devolli.

Po këta analistë dhe opozitarë dhe shoqëria civile pyesim publikisht se kur do të zbardhet se kush qëndron prapa këtyre kompanive të inkriminuara, cilët politikanë janë realisht pronarët e kompanive në fjalë, si dhe shumë kompanive të tjera që kanë marrë qindra e mijëra tenderë në KEK, PTK, në Qeveri, nëpër ministri, si dhe shumë e shumë institucione të tjera publike.

Afera “Pronto”, vetëm maja e ajsbergut

Deputeti opozitar, Zafir Berisha (Nisma për Kosovën), tha për “Kosova Sot” se këto afera publike që tashmë janë publikuar për fat të keq janë vetëm një storje e vogël e krimit shumë të madh e të organizuar që bëhet në Kosovë. “Por, ndonëse është e vogël, kjo është një storje e mjaftueshme që qytetarët tanë më në fund ta kuptojnë se në si këtë vend edhe në vazhdimësi po e menaxhon paranë publike krimi i organizuar i pushtetarëve të tashëm”, theksoi ai. Opozitari Berisha tha se kjo storje është shumë pak nga ajo që është bërë publike përmes aferës “Pronto”, sepse janë me miliarda euro para që ka qenë pasuri e shtetit të Kosovës që nga paslufta e deri më sot që kanë qenë në duart e oligarkëve, që janë pasuruar në kurriz të qytetarëve tanë dhe tash mafio-bizneset janë të lidhur si hallkë e pandashme edhe me politikën aktuale që është duke na sunduar më shumë se një dekadë në qeverisje të vendit.

UBT

Bosët e nëntokës, njerëzit e PDK-së

Deputeti tjetër i Kuvendit të Kosovës nga opozita, Salih Salihu (VV), për gazetën “Kosova Sot”, tha se nuk duhet të çuditemi fare se përse vitet e kaluara i përmbyllëm me lloj-lloj aferash korruptive e kriminale, këtë vit po e përmbyllim po ashtu me shumë afera të tilla dhe askush asgjë nuk po ndërmerr.

Ai thotë se kjo po ndodh ngase PDK-ja janë ” bosët” e nëntokës kriminale, që janë të lidhur drejtpërdrejt me të gjitha dallaveret që bëhen te ne që nga paslufta e deri më sot. “Prandaj, askush nuk po guxon që t’ua prish atyre tymin e duhanit, as Prokuroria, as Gjykatat, as Policia”, theksoi ai.

Opozitari Salihu tha se afera “Pronto”, e cila filloi me Hashim Thaçin dhe vazhdoi me Adem Grabovcin, tregoi se të gjitha punët e pista po bëhen përmes oligarkëve ekonomikë, për të futur në xhepat e tyre miliona e miliona para të buxhetit të shtetit të Kosovës nga tenderë milionësh në të dyja nivelet. Por, sipas Salihut, e keqja më e madhe është se me gjithë këto punë të pista dhe aferat shumë të mëdha e komprometuese, janë të njëjtit që pa fije turpi nuk hezitojnë të dalin nëpër foltore dhe gënjejnë dhe aspak nuk brengosen se krejt opinioni tashmë e di se ata po vjedhin, madje po vazhdojnë të vjedhin edhe më tutje. “Janë oligarkët, “Devolli dhe Ekrem Lluka, dhe ata të tjerët që u përmendën që në bashkëpunim me mafio-politikën vazhdojnë ta ushqejnë e ta helmojnë këtë popull me lloj-lloj ushqimesh të dyshimta e kancerogjene, të cilat e shkatërrojnë shëndetin e pambrojtur të qytetarëve me ushqim për kafshë, sepse ashtu i trajtojnë”, tha ai.

Manipulimi i ligjit

Përfaqësuesi i shoqërisë civile, Selatin Kaçaniku, tha për “Kosova Sot” se, sipas Ligjit për prokurim publik, tenderuesi më i suksesshëm zakonisht caktohet, përzgjidhet, vendoset ofertuesi i ” çmimit më të ulët ” ose ofertuesi “më i volitshëm”. “Kjo pra është lidhja dhe mënyra e lidhjes si dhe e veprimit të parapolitikës, politikës, institucioneve e organeve të kapura, bizneseve abuzuese në një “valle” që, në fund, edhe shtetin do ta dërgojnë në ankand skrapi”, theksoi ai.

Veç saj, Kaçaniku tha se nëse organet e hetuesisë, dëshmimit, mbrojtjes së shtetit e të ligjit, të drejtësisë, nuk reagojnë sipas lëndës ose “detyrës zyrtare ex officio”, atëherë i vetmi shpjegim dhe shpjegimi më i butë për mosveprim është “kapja nga mafio-veprimet”.

Po sipas Kaçanikut, është thënë disa herë se shumë figura e zyrtarë politikë e institucionalë kanë hise të drejtpërdrejta, të fshehta, publikisht të padeklaruara, në shumë biznese. “Natyrisht se ata i mbrojnë ato me mosveprim ose me veprim me interes personal, por jo në interes të qytetarit konsumator taksapagues. Të gjithat dihen, por rrjetëzimi i tyre ka ndikuar që ligjet në Kosovë të mos zbatohen as 40 për qind”. Veç saj, ai tha se po ashtu bizneset e mëdha, të mesme e të vogla, u japin “donacione” të gjitha partive politike, të gjithë zyrtarëve institucionalë./kosova sot/