Fundamenti

Zhvatja me naftën, abuzim skandaloz me çmimet në Kosovë

/ 10 minuta lexim

Së paku 10 dollarë ka zbritur një ton naftë gjatë muajit tetor

Askush nga institucionet dhe specialistët e kësaj fushe nuk është në dijeni se përderisa nafta ka shënuar rënie të çmimit në tregun botëror, në Kosovë nuk po zbresin çmimet e naftës. Shi për këtë, nga njohësit e kësaj fushe thuhet se derisa në Francë ka protesta kundër rritjes së çmimeve pas taksës së Qeverisë franceze, për çudi në Kosovë askush nuk po reagon. Prandaj, analistët dhe deputetët e opozitës me të drejtë po pyesin se si dhe kur do të ndalet abuzimi me derivatet nga kompanitë që dyshohet me bazë se janë në pronësi të pushtetarëve. Në Francë, çmimi i 1 litri të derivateve të naftës është 1.48 euro, ku rroga mesatare është 2250 euro dhe pensioni 900 dhe me një social prej 450 eurosh.

Ndërsa në Kosovë, çmimi i 1 litri të derivateve të naftës është 1.20 euro, rroga mesatare 350 euro, pensioni 75 euro dhe sociali 70 euro. Në një përgjigje të mëhershme të zyrës për informim të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë për gazetën “Kosova Sot”, mbi të cilën bie përgjegjësia për rregullatorin e çmimit, thuhej se kjo Ministri është duke i studiuar praktikat më të mira në rajon dhe në shtetet e BE-së për të vendosur nëse është i nevojshëm rregullatori i veçantë për përcaktimin e çmimit të derivateve.

Sipas tyre, në shumë shtete rregullohet çmimi maksimal apo marzha maksimale, siç është rasti me shumë shtete të rajonit, mirëpo askund nuk rregullohet çmimi minimal. “Një gjë e tillë është në kundërshtim me Traktatin e Komunitetit të Energjisë, nënshkruese e të cilit është edhe shteti ynë”, thuhet në përgjigjet e MTI-së. Nga kjo Ministri insistojnë se çmimi aktual i produkteve të naftës rregullohet nga tregu i lirë. Megjithatë, rregullimi i çmimeve lejohet me legjislacionin aktual. MTI-ja do të vendosë nëse është e arsyeshme që edhe Kosova të ketë rregullator për përcaktimin e çmimit të naftës”, kishte theksuar MTI-ja. Shoqata ia lë fajin mungesës së rregullatorit Ndërsa, kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës Fadil Berjani, për gazetën ” Kosova Sot”, thotë se arsyeja se përse nuk ka ulje të çmimeve në tregun vendor qëndron në mungesën e një rregullatori që do të përcaktonte këto çmime. “Me rregullatorin e çmimit do të krijoheshin çmime stabile dhe të arsyeshme. Prandaj, e them me bindje të plotë se rregullatori do të duhej për shumë arsye; pasi siguron një treg liberal të barabartë dhe me pamundësi të manipulimeve në emër të çmimeve, po ashtu me rregullator përfiton edhe buxheti i shtetit, pasi ka një çmim zyrtar si dhe do të rregullonte sasinë e deponuar dhe gjendjen momentale në treg”, u shpreh ai. “Me vullnetin e Qeverisë dhe MTI-së, rregullatori do të mund të bëhej në afatin sa me optimal, hiç më shumë se në periudhën prej 15 ditësh”, potencoi më tej Berjani.

Ndërsa, afaristi i derivateve të Naftës, Ramadan Maloku, pronar i kompanisë “Racional-Komerc”, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se njëra nga arsyet se përse i kemi çmimet më të larta në rajon është edhe fakti se shteti i Kosovës vazhdon që të ketë akcizën pothuajse më të lartën nga vendet e rajonit për importet e derivateve të naftës, 35 centë për një litër. “Kjo, sepse nafta, apo ari i zi, është ndër produktet më të kërkuara dhe më fitimprurëse edhe në Kosovë. Pasi Kosova nuk ka rafineri të veten, operatorët ekonomikë brenda një viti importojnë rreth 650 milionë litra të këtyre derivateve”, u shpreh ai.

Qeveria e mban të lartë akcizën qëllimisht Për çmimet e larta të derivateve të naftës që po mbretërojnë në Kosovë të hënën është ankuar edhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, nga tabori i opozitës, Salih Salihu (PSD). Ai për gazetën ” Kosova Sot’ thotë se është për keqardhje se çmimet e derivateve të naftës, që kanë shënuar rënie në gjithë botën, nuk kanë reflektuar sa duhet edhe në vendin tonë. “Ndaj, qytetarët, por edhe pronarët e bizneseve në vend, po vazhdojnë edhe më tutje të përballen me çmime të larta të naftës në vendin tonë, derisa në vende të ndryshme çmimi i saj thuajse ka rënë deri në masën 30 për qind”, vlerëson ai.

Deputeti Salihu është i mendimit se problemet me çmimet të larta po ndodhin për shkak të mungesës së një tregu vendor, ku në mungesë të tij po dëmtohet konsumatori si dhe ekonomia e vendit. “Prandaj, mosrënia e çmimit të derivateve të naftës po e dëmton shumë konsumatorin, por mbi të gjitha po e dëmton ekonominë e vendit dhe imazhin e Kosovës. Andaj, këto probleme me çmimin po ndodhin për shkak se Kosova nuk ka treg vendor, nuk ka as ekonomi të rregullt dhe pa këto dyja nuk ka edhe strategji të zhvillimit ekonomik”, vijoi më tej ai. “Kur ne si deputetë po ankohemi në Qeveri, ne po marrim përgjigje se gjoja tregu është përgjegjës për rregullator të çmimeve. Prandaj, jam i mendimit se fajtorët kujdestarë për këtë çmim tepër të lartë janë Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës, që me qëllim po mbajnë këtë çmim për të përfituar nga akciza si dhe për të mbrojtur interesat e grupit politik. Sepse, përderisa çmimi i një litre të derivateve të naftës në Maqedoni është 1 euro e 4 centë gjithashtu edhe në pjesën veriore të vendit, kjo nuk ndodh në tërë vendin ku çmimi i naftës sillet nga 1.20 cent e në disa raste edhe më shtrenjtë”, ka thënë Salihu.

Derivatet me cilësi të dobët

Ndërsa njohësi i kësaj fushe, Jakup Gashi, ekspert i derivateve,për gazetën ” Kosova Sot”, thotë se e keqja më e madhe është se kemi këso çmimesh të larta, por edhe cilësi të dobët të derivateve të naftës, dhe mendoj se kjo vjen në veçanti nga krijimi i privilegjeve për kompani të caktuara të naftës të afërta me pushtetarët. “Por, kjo vjen edhe nga moskontrollimi gjithnjë me rastin e zhdoganimit të këtij produkti, mosfiskalizimi i këtyre operatorëve ekonomikë, që llogariten me qarkullim milionësh, që ndryshe janë vetëm disa nga parregullsitë që përmenden vazhdimisht në këtë sektor”, u shpreh ai. “E them lirshëm se tashmë ka ardhur koha që edhe në Kosovë të formohet një rregullator që do të përcaktonte çmimin e derivateve të naftës. Sepse, fundja kjo ka qenë edhe konstatimi i drejtuesve të Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës”, theksoi Gashi. “E keqja më e madhe, që është edhe konstatim i krerëve të Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, është fakti se naftëtarët kanë shfaqur shqetësimin e tyre se mbi 97 për qind e naftës që hyn në Kosovë nuk kontrollohet, po vetëm bëhet përshkrimi i analizave. vazhdimisht është kërkuar që kontrolli i cilësisë së derivateve të naftës të realizohet qysh në pikat kufitare”, ka thënë më tutje ai. “Karburantet e lëngëta të naftës janë duke hyrë në Kosovë me cilësi të dobët, dhe është duke u manipuluar me këtë produkt nëpër pikat e karburanteve brenda territorit të Kosovës. Së këndejmi, për këtë problem duhet të merren masa sa më shpejt që është e mundur dhe të bëhen përpjekje nga Qeveria e tashme për të përmirësuar dhe vendosur rend në sektorin e naftës”, vlerësoi Gashi.

Fidanishtja

Kontrabanda dhe shkelja e udhëzimit Analisti Dardan Grapci, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se pa asnjë dyshim sektori i derivateve të naftës, i njohur dhe si tregu më fitimprurës në Kosovë, karakterizohet me parregullsi të shumta, që nga importi e deri te shitja me pakicë e këtij produkti. “Ndërsa sa u përket këtyre çmimeve tepër të larta, e tëra kjo po ndodh, ngase Kosova nuk posedon rafineri të derivateve të naftës, kështu që ky produkt pothuajse më i kërkuari në Kosovë, importohet nga vendet e rajonit dhe të Evropës. Veç saj, janë evidencuar edhe raste të kontrabandës me naftë dhe derivate të saj në pjesën veriore të Kosovës, në kufirin me Serbinë”, u shpreh ai.

Sipas tij, që nga paslufta e deri më sot karburantet e lëngëta të naftës janë duke hyrë në Kosovë me cilësi të dobët, dhe është duke u manipuluar me këtë produkt nëpër pikat e karburanteve brenda territorit të Kosovës. “Për këtë problem duhet të merren masa sa më shpejt që është e mundur”, potencoi ai. “Inspektorët e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, vitin e kaluar kanë marrë rreth 580 mostra dhe nga ky numër 34 kanë dalë jo konform udhëzimit administrativ dhe me cilësi tejet të dobët”, ka thënë Grapci . Sipas tij, inspektorati ka qenë i detyruar që t’i procedojnë lëndën në gjykatat kompetente.

PËRFITIMET NGA RREGULLATORI

“Vërtet tash ka mundësi të formohet një rregullator dhe të hartohet udhëzimi administrativ ku do të përcaktohen detyrat dhe obligimet e anëtarëve të rregullatorit si dhe forma e krijimit të çmimeve. Prandaj, me rregullatorin e çmimit do të fitonin qytetarët dhe shteti”, tha Fadil Berjani për “Kosova Sot”. PUSHTETI ZHVAT QYTETARËT “Qeveria dhe Kuvendi po e mbajnë qëllimisht këtë çmim vetëm e vetëm për të përfituar nga akciza dhe për ta eksploruar qytetarin taksapagues një gjenerues të buxhetit të shtetit. Prandaj, kjo edhe është arsyeja se përse i kemi këto çmime aq të larta të derivateve, ngase prej tyre po financohen dhe po bëhen abuzime me derivatet nga kompanitë që janë në pronësi të pushtetarëve”, tha Salih Salihu për “Kosova Sot”.

IMPORTI QINDRA MILIONËSH

“Janë më shumë se 60 milionë litra derivatesh që importohen nga Serbia, kurse më shumë se 133 milionë nga Greqia dhe mbi 25 milionë litra në Bullgaria. Kurse një përqindje e madhe e naftës importohet nga Serbia dhe Bullgaria, por faktikisht, origjina e mallit është nga Rusia. Ndonëse e ndërrojnë origjinën se është nga Rusia dhe Bullgaria, por realisht është nga Rusia”, tha Ramadan Maloku për “Kosova Sot”.

NË TETOR, ÇMIMI RA 10 DOLLARË PËR TON

Konfindustria në Shqipëri shprehu shqetësimin për vazhdimësinë e mungesës së plotë të rolit rregullator dhe kontrollues të institucioneve shtetërore për çmimet e larta dhe cilësinë e dobët të karburanteve në tregun shqiptar. Qendra e Studimeve të Konfindustrisë analizon, se gjatë muajit tetor në të gjitha tregjet ndërkombëtare çmimi i naftës ka rënë me 10$/ton ndërkohë, që në Shqipëri ndodhi e kundërta. Çmimi i karburanteve në pikat e pakicës gjatë muajit tetor është rritur në të paktën 10 Lek/litër. Gjatë muajit nëntor 2018 vazhdon e njëjta kahe rënëse e çmimeve të karburantit në tregjet ndërkombëtare dhe dukuria e mospasqyrimit në tregun vendor.

(Kosova Sot)