FIDANISHTJA

Zhvatja kriminale e zhbën shtetin për pak vjet

/ 9 minuta lexim
Uji Dea

Analistët theksojnë se populli nuk bën që të heshtë, pasi që e tërë bota po na sheh si shtet kriminal, si dhe popullin si tepër të papjekur dhe skajshmërisht të padijshëm, sepse nuk po dinë të ruajnë shtetin për të cilin na ndihmuan të huajt, të njëjtin shtet të cilit Hashim Thaçi po ia konteston kufijtë.

Hertica: Qytetari nuk duhet të heshtë ndaj këtyre dukurive, që po e shkatërrojnë shtetin nga kjo kastë e mjeranëve politikë

“Kosova dhe qytetarët e saj kanë mbetur peng i një grushti individësh të inkriminuar, të cilët për interesa personale e të një grupi të ngushtë po e çojnë këtë vend drejt shkatërrimit dhe falimentimit dhe zhbërjes dhe shtetin do të vazhdojë ta degradojnë përderisa askush nuk po e ka guximin dhe aftësinë që këtë grusht individësh në krye të shtetit ta çojë aty ku e ka vendin, për t’u përballur me drejtësinë”, thotë analisti Ali Hertica për gazetën “Kosova Sot”.

Njohës të rrethanave politike në vend theksojnë se për dy dekada rresht ky popull u zhvat pa mëshirë nga pushtetarët tanë të pasluftës dhe me këtë ritëm të zhvatjes, brenda pak vjetësh, falimentimi dhe zhbërja e shtetit do të jetë tema e ditës. Kjo ngase, sipas tyre, një grusht politikanësh autoritar u bënë temë që ashtu, siç sundojnë partitë e tyre, ngjashëm dhe më keq po e bëjnë kërdinë edhe në institucione, sepse po bëhen edhe miliarderë, madje pa punuar asgjë të vlefshme.

Analistët theksojnë se populli nuk bën që të heshtë, pasi që e tërë bota po na sheh si shtet kriminal, si dhe popullin si tepër të papjekur dhe skajshmërisht të padijshëm, sepse nuk po dinë të ruajnë shtetin për të cilin na ndihmuan të huajt, të njëjtin shtet të cilit Hashim Thaçi po ia konteston kufijtë.

Analisti politik, Ibrahim Kelmendi, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se fatkeqësisht, në mungesë të institucioneve funksionale, nuk po kemi të dhëna konkrete, sa dhe si është zhvatur populli, respektivisht shteti, prandaj po detyrohemi të bëjmë punë të opinionistëve dhe jo edhe të analistëve të të dhënave dhe ndodhive konkrete. “Rëndom, në shoqëri të prapambetura, për shkak të robërisë së gjatë, formohen grupe interesi e banda të krimit të organizuar. Kjo ndodh edhe në shtete të zhvilluara, por atje ka institucione që i penalizojnë, kur i kapin në flagrancë”, është shprehur ai, duke shtuar: “Në UNMIK-istan u vu themeli i institucioneve të korruptuara e të kapura, meqë shefat e UNMIK-ut i emëronin njerëzit në krye të institucioneve kryesisht me sugjerim nga Beogradi, por edhe me sugjerim të liderucëve partiakë, që në të shumtën e rasteve ngjanin me qenë marioneta të shërbimeve të huaja, armiqësore. Megjithatë, Kosova nuk ka kapacitete për të pasur kriminelë miliarderë, por për hallin e Kosovës, edhe kriminelët milionerë janë e keqja më e madhe, meqë me atë potencial ata ia dalin të konsolidojnë e legalizojnë krimin e tyre të organizuar. Rëndom askund në botë askush nuk bëhet dot miliarder, por me plaçkitje e zhvatje që u bëhen të punësuarve e shteteve. Ndërsa në Kosovë kjo lloj plaçkitje e zhvatje, ky korrupsion, po na godasin rëndë, meqë po e pengojnë zhvillimin ekonomik dhe drejtësinë sociale”.

Sipas Kelmendit, duhet të konsolidojmë institucionet e drejtësisë dhe kur ato të bëhen në gjendje për të zbatuar ligjet, ato do t’i “përpunojnë” këta sundimtarë kriminelë. “Në ato rrethana nuk do të kishim nevojë të pyesim e të përgjigjemi, nëse kriminelët do t’i penalizojnë institucionet e drejtësisë. Fatkeqësisht, për momentin, jemi larg e të qenit shtet i së drejtës e ligjor. Populli nuk është i konsoliduar si popull politik, që të jetë në gjendje të sfidojë sundimtarët kriminelë. Për momentin kemi të bëjmë me turma që rreshtohen pas liderucëve kriminelë, për hir të interesave të tyre egoiste. Rëndom, hesht ai që nuk di e nuk guxon të protestojë. Ndërsa tashmë Bashkësia ndërkombëtare, të cilën po vazhdojmë ta lavdërojmë, duke u përjarg, siç lavdëron përjargshëm skllavi padronin e tij, në përmasa rrezikuese, është bërë palë me kriminelë e me Serbinë, meqë tashmë ngjan të jetë bindur në terren se populli ynë nuk e meriton shtetin. Prandaj po përcaktohen ta komplotojnë edhe këtë pak shtet të brishtë që kemi”, është shprehur Kelmendi për gazetën “Kosova Sot”.

Hertica: Kapja e shtetit të Kosovës u bë nga politikanët tërësisht të inkriminuar

Njohësi i çështjeve politike, Ali Hertica, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se kapja e shtetit të Kosovës u bë nga politikanët tërësisht të inkriminuar për gjithë këto vite të pasluftës, të cilët e shndërruan Kosovën në një “oazë” të krimit të organizuar në të gjithë sektorët e shtetit dhe një lloj “Eldorado” të krimit të organizuar në çdo sektor.”Kosova dhe qytetarët e saj kanë mbetur peng i një grushti individësh të inkriminuar, të cilët për interesa personale e të një grupi të ngushtë po e çojnë këtë vend drejt shkatërrimit dhe falimentimit dhe zhbërjes dhe shtetin do të vazhdojë ta degradojnë përderisa askush nuk po e ka guximin dhe aftësinë që këtë grusht individësh në krye të shtetit ta çojë aty ku e ka vendin, për t’u përballur me drejtësinë”, është shprehur Hertica.

ARKATANA

Sipas tij, pastrimi nga njerëzit e inkriminuar duhet të shtrihet në gjithë shoqërinë tonë dhe jo vetëm në administratën publike.”Kjo nënkupton edhe pastrimin e anëtarësisë së partive politike dhe nevojën për hapjen e garës së vërtetë në sistemin zgjedhor, i cili sot është një sistem i mbyllur ndaj vlerave konkurruese, që vijnë nga apo jashtë partive politike. Ideologjia e re, tashmë, duhet nga njëra anë të largojë të inkriminuarit, por nga ana tjetër të sigurojë kurimin e vazhdueshëm të shoqërisë sonë nëpërmjet rivendosjes dhe rifuqizimit të meritokracisë”.

Ai tutje ka shtuar: “Pa meritokraci ne nuk do të jemi asnjëherë në gjendje të ndërtojmë një demokraci funksionale dhe s’do mund ta bëjmë kurrë Kosovën shtet ligjor dhe perspektivë për qytetarin nga këto banda të inkriminuarve politikë”. Hertica thotë se qytetari nuk duhet të heshtë ndaj këtyre dukurive që po e shkatërrojnë shtetin nga kjo kastë e mjeranëve politikë dhe analfabetëve.

Qytetarët: Po vazhdon zhvatja dydekadëshe

Qytetari nga Prishtina, Muhamet Jusufi, për gazetën “Kosova Sot” thotë se liderët janë fajtorë për nepotizmin e familjarizimin që rrënoi ekonominë e Kosovës.”Që të jemi më të suksesshëm. duhet që t’u besojmë më shumë kuadrove universitare dhe posaçërisht duhet që të fokusohemi në ngritjen e arsimit e të shëndetësisë”, është shprehur ai. Ndërsa qytetari tjetër, Driton Berisha, për gazetën “Kosova Sot” thotë se sidomos ky viti i fundit ishte një vit i dështimit në politikën e jashtme, në veçanti pati dështime në anëtarësimin e vendit në asociacionet ndërkombëtare.”E keqja është se çdo vit po e mbyllim me shpresën që do të jetë më mirë. Prandaj mendoj se liderët tanë për dy dekada nuk kanë bërë mjaft për këtë popull, sepse që nga paslufta vazhdojmë të kemi një skamje ,varfëri dhe mjerim të madh”, është shprehur ai

SHKODRA: EDI RAMA SILLET SI I DROGUAR

Analisti politik Shefik Shkodra, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se në mënyrë permanente, që afro njëzet vjet, një grusht politikanësh po e sjellin krejt në gisht Kosovën dhe qytetarët i kanë marrë nëpër këmbë.”Nuk mund të besojë njeriu normal se përfaqësuesi i shtetit do t’ia japë një pjesë të territorit të këtij vendi për të shpresuar në heqjen e akuzës kundër presidentit. Ky bashkë me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën, janë në një marrëveshje me presidentin serbë për dhënien e tokës shqiptare. Ky Edi Rama e meriton një portretizim për gojëfëlliqjen e tij, për sharjen që ua bën qytetarëve të Kosovës, të cilit fare nuk ka hije në vendin ku gjendet. Po vërtet duket sikur i droguar njeriu. Ai është njëri prej atyre banditëve që do të duhej ta presë një gjykim të rëndë, sikur edhe këtë klasën tonë politike”, është shprehur për gazetën “Kosova Sot” analisti Shefik Shkodra

ALIU: KY POPULL NUK DUHET TË HESHTË NGA KJO KLASË POLITIKE E INKRIMINUAR

Analisti Bislim Aliu për gazetën “Kosova Sot” thotë se pa dyshim se ky popull për dy dekada rresht dhe pandalshëm, me këtë ritëm të zhvatjes, brenda pak vjetësh, falimentimi dhe zhbërja e shtetit do të jetë sigurisht temë e ditës.”Për këtë situatë fajtorë janë një grusht politikanësh autoritarë, që ashtu siç po sundojnë me partitë e tyre, ngjashëm, bile edhe më keq, ata po e bëjnë kërdinë edhe nëpër institucione, duke u bërë miliarderë, pa punuar asgjë të vlefshme. E kemi dilemën, se a thua a do të sillen ndonjëherë para drejtësisë këta pushtetarë të niveleve të larta, si në nivelin qendror, po ashtu edhe në atë lokal, për vjedhjen e madhe, që ia kanë bërë dhe po ia bëjnë vazhdimisht këtij shteti dhe këtij populli të varfër. Ndaj, populli për këtë nuk bën të heshtë, pasi që e tërë bota po na sheh si shtet kriminal, por edhe popullin si tepër të papjekur dhe skajshmërisht të padijshëm, sepse nuk po di ta ruajnë shtetin, për të cilin na ndihmuan të huajt dhe të njëjtit shtet Hashim Thaçi po ia konteston kufijtë”, theksoi analisti Bislim Aliu për gazetën “Kosova Sot”

(Kosova Sot)