Zhvatja e shtetit, e mbrojtur me ligj!

Ja si e lufton korrupsionin koalicioni i dështuar, PDK-LDK. Mafiozët e politikës bëjnë miliona mbi kurrizin e taksapaguesve
Njohësi i fushës së legjislacionit në Kosovë, që ka të bëjë me luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, profesor Riza Smaka, konsideron se Ligji për konfiskimin e pasurisë në vepër penale jo vetëm që nuk e lufton korrupsionin, porse praktikisht i favorizon kriminelët. ‘’Sepse, për t’ia konfiskuar kujtdo qoftë një pasuri, do të duhej që në procedurë penale të persekutohej dhe kjo zgjat së paku një dekadë, sepse ne e dimë fare mirë se në vendin tonë lëndët zvarriten ose parashkruhen qëllimisht, ose zhduken fizikisht krejtësisht’’, tha Smaka
Pasuritë e politikanëve dhe konfiskimi i tyre shpeshherë ishin pjesë e diskutimeve publike, ku zakonisht u hodhën kritika për kufizimet që ligji lejon në këto raste, si dhe moszbatimin edhe aq efikas të tij në praktikë. Momentalisht, në Kosovë sekuestrimi dhe konfiskimi i pasurisë është i rregulluar me Kodin e Procedurës Penale si dhe Ligjin për Kompetencat e Zgjeruara për Konfiskimin e Pasurisë së Përfituar me Vepër Penale. Si sekuestrimi, po ashtu dhe konfiskimi i pasurisë, duhet të bëhen në kontekst të kryerjes së një vepre penale, përmes të cilës është përfituar ajo pasuri apo edhe pasuri eventuale të tjera.
Problemet apo të metat në këto dy ligje u përmendën në një publikim të lëvizjes “FOL” lidhur me konfiskimin e pasurisë së jashtëligjshme.
Sekuestrimi dhe konfiskimi i pasurisë duhet të bëhen në kontekst të kryerjes së një vepre penale përmes të cilës është përfituar ajo pasuri apo pasuri të tjera. Një gjë e tillë është e qartë – çdo vepër penale që gjeneron pasuri dënohet dhe ajo pasuri konfiskohet. Mirëpo, kemi situata kur një pasuri e caktuar nuk mund të justifikohet, ndërsa në anën tjetër as nuk mund të ndërlidhet me kryerjen e një vepre penale specifike. Në këtë drejtim, aktualisht, organet e ndjekjes dhe gjykatat kosovare janë të kufizuara dhe nuk mund të ndërmarrin veprime të sekuestrimit dhe konfiskimit në raport me ato pasuri, u tha në këtë publikim.
Kështu, pavarësisht se u tha shumë për këtë temë, në praktikë, të korruptuarit nuk u prekën nga drejtësia. Zyrtarët vazhduan të pasurohen, ndërsa pothuajse askush nuk guxon t’ua hetojë pasurinë e dyshimtë./kosova sot/