Zhvatja e milionave të shtetit kalon pa ndëshkime
Krimi ekonomik dhe ai financiar, si ndër format më të sofistikuara, ku ndodhin vjedhjet më të mëdha të aseteve publike, ku dyshimet gjithnjë të çojnë tek lidhjet me pushtetin, sipas analistëve dhe njohësve të fushës së drejtësisë nuk po luftohet sa duhet nga ana e institucioneve të drejtësisë.
Abuzimi me fondet dhe pasurinë publike nuk i brengos organet e ligjit.
Konfiskimet modeste të pasurisë dhe hezitimi për të hetuar e nxjerrë para drejtësisë të fortët e pushtetit e kanë zbehur besimin te sistemi i drejtësisë, se një ditë hajnat e buxhetit do të marrin dënimin e merituar,raporton Gazeta Kosova Sot
Krimi ekonomik dhe ai financiar, si ndër format më të sofistikuara, ku ndodhin vjedhjet më të mëdha të aseteve publike, ku dyshimet gjithnjë të çojnë tek lidhjet me pushtetin, sipas analistëve dhe njohësve të fushës së drejtësisë nuk po luftohet sa duhet nga ana e institucioneve të drejtësisë. Ndaj është shtruar dilema se a posedon prokuroria kapacitete të mjaftueshme që të trajtojë rastet e kësaj natyre apo po i neglizhon këto raste për shkak se aty dyshohet se janë të përfshirë politikanët e rangut më të lartë? Me konstatimin se krimi ekonomik është një formë e sofistikuar e krimit dhe nuk është as e thjeshtë dhe as e lehtë që të luftohet, është pajtuar edhe koordinatori nacional për luftimin e krimeve ekonomike, Shqipdon Fazliu, i cili, në një prononcim për gazetën “Kosova Sot”, ka thënë se sistemi i drejtësisë në Kosovë vazhdimisht po përpiqet të gjejë format më adekuate për luftim sa më efikas të krimit ekonomik. Sipas tij, në këtë drejtim, në vitin 2014 është themeluar Zyra e Koordinatorit Kombëtar për Luftimin e Krimit Ekonomik, me theks të posaçëm në sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurisë së krijuar me vepër penale.
Llogaridhënia ende e dobët Në kuadër të Policisë së Kosovës është Drejtoria për Luftimin e Krimit Ekonomik dhe Luftimin e Korrupsionit, që është një njësit ku raportohen dhe hetohen krimet ekonomike dhe ato që kanë lidhje me korrupsion.”Gjatë vitit 2016, KPK ka aprovuar edhe Planin Strategjik dhe Planin e Veprimit (2016 – 2018) dhe në kuadër të kësaj strategjie kemi edhe Njësitet e Posaçme në kuadër të PTH-së në Prishtinë, detyrë ekskluzive e së cilave njësite janë rastet që kanë të bëjnë me krime ekonomike dhe korrupsion. Në kuadër të DKR-së janë 6 prokurorë, ndërsa në DP kemi 4 prokurorë të tillë. Të gjitha këto veprime janë ndërmarrë me qëllim të rritjes së efikasitetit në luftimin e krimeve të tilla”, ka thënë Fazliu.
“Po ashtu kemi edhe Task- Forcën në kuadër të Policisë së Kosovës, si dhe PSRK-në, të cilat merren me raste të profilit të lartë”, ka vijuar më tej ai. Ndërsa sa i përket asaj se është arritur progres në këtë drejtim, sipas tij, flet fakti se vetëm gjatë vitit 2016 kanë pasur më tepër se 70,000,000.00 euro sekuestrime dhe rreth 2,000,000.00 euro konfiskime të pasurive të paligjshme, kurse vetëm në një rast, siç tha, kanë 400,000.00 euro para të gatshme që janë kthyer në buxhetin e MSH-së nga një rast që ka të bëjë me vjedhjen apo shpërdorimin e aseteve publike, derisa sipas tij për më tepër në rastin konkret janë të përfshira figura të profilit të lartë politik. “Natyrisht se kjo nuk do të thotë se jemi të kënaqur, ngase ende ka shumë për t’u bërë dhe absolutisht nuk ka vend për vetëkënaqësi, por duhet të bëhet shumë më tepër në drejtim të rritjes së llogaridhënies dhe politikës ndëshkimore, si parakushte për një efikasitet shumë më të lartë në luftimin e krimeve ekonomike dhe korrupsionit dhe shpresoj se KPK dhe KGJK do të punojnë shumë më tepër në këto dy drejtime, ndërsa në pikën e dytë edhe vetë MD, që ka në kompetencë hartimin e ligjeve”, ka theksuar koordinatori nacional për luftimin e krimeve ekonomike, Shqipdon Fazliu./kosova sot/


