Zhvatëset e fondeve favorizojnë partitë politike
Shteti i ri i Kosovës, sipas vlerësimit të analistëve politikë, akoma nuk po arrin ta ketë një shoqëri civile proaktive dhe të konsoliduar, që mund të sillet si opozitë serioze karshi pushtetit politik dhe lidhjes së tij me krimin e korrupsionin, për ta denoncuar dhe kundërshtuar atë, por më shumë është duke funksionuar si një grup njerëzish për përfitime grupore e individuale.
Fetahu: Një pjesë e konsiderueshme e shoqërisë civile, e rreshtuar në anën e krimit të organizuar.
“Te ne gjithçka është kapur nga politika. Të gjitha organizatat joqeveritare, madje edhe rrjetet rinore të formacioneve të ndryshme kryesisht janë të mbushura me militantë të rinj politikë, dhe në mënyrë direkte apo indirekte kultivojnë edhe urrejtje ndaj subjekteve të tjera rivale”, është shprehur analisti Ali Hertica,raporton Gazeta Kosova Sot
Shteti i ri i Kosovës, sipas vlerësimit të analistëve politikë, akoma nuk po arrin ta ketë një shoqëri civile proaktive dhe të konsoliduar, që mund të sillet si opozitë serioze karshi pushtetit politik dhe lidhjes së tij me krimin e korrupsionin, për ta denoncuar dhe kundërshtuar atë, por më shumë është duke funksionuar si një grup njerëzish për përfitime grupore e individuale. Pra, fitohet bindja se ne ende kemi një shoqëri civile vetëm për të zhvatur paratë e donatorëve, por jo një shoqëri civile, që është e fuqishme për të ndryshuar gjërat në Kosovë. Në Kosovën e varfër, shoqëria civile është bërë trampolinë për kalime në politikë, prandaj kemi një mori anëtarësh të shoqërisë civile, që ka kaluar nëpër parti politike kryesisht në PDK.
Fetahu: Ka vetëm zhvatje të fondeve e keqpërdorime të jashtëzakonshme Analisti politik, Nexhmedin Spahiu, thotë se edhe shoqëria civile është një pasqyrë e vetë shoqërisë, që ka një shtet, dhe nuk mund të dalë krejtësisht nga ai ambient shoqëroro-politik për të bërë ndryshime “revolucionare” të shpejta. “Shoqëria civile është pjesë e shoqërisë sonë dhe ajo mund të jetë më shumë e zhvilluar ndoshta sesa fushat e tjera (klasa politike, ekonomia, biznesi, kultura, industria, bujqësia, gazetaria etj.), por nuk mund të jetë shumë më e zhvilluar. Ne jemi këtu ku jemi. Nuk mund të kemi në politikë hajna e në shoqëri civile njerëz të ndershëm. Nëse kemi hajna në politikë, kemi edhe në shoqëri civile dhe anasjelltas. Por, ashtu siç kemi njerëz të ndershëm në politikë, kemi edhe në shoqëri civile. Problemi është se kush dominon”, theksoi Spahiu për “Kosova Sot”.
Edhe njohësi i fushës së të drejtës, Ilir Fetahu, thotë se është një fat i keq, që as shoqëria civile kosovare nuk ka mundur të krijojë imunitet dhe të mos kapet nga zhvillimet e bujshme politike në vend, deri në ngjyrimin e saj të skajshëm politik apo angazhimin vetëm sa për përfitime materiale të grupeve të caktuara të interesit, pavarësisht që ka edhe ndonjë përjashtim me përpjekje për reflektime pozitive të ndryshimeve në shoqëri. “Edhe shoqëria civile e Kosovës është pjesë përbërëse dhe pjesëmarrëse aktive e të gjithë të mirave dhe të këqijave që kanë ndodhur në Kosovës deri më sot, në gjithë këtë periudhë të re kohore të pasluftës. Në aspektin pozitiv, ndonjëherë ka pasur përpjekje të denoncimit të disa të këqijave, që kanë ndodhur nëpër institucione, në një fazë të hershme të funksionimit të shoqërisë civile, por me kalimin e kohës, në një fazë të mëvonshme, konsideroj që edhe një pjesë e konsiderueshme e shoqërisë civile është rreshtuar në anën e krimit të organizuar në Kosovë, që do të thotë se është absolutisht në shërbim të klaneve të caktuara. Dhe, nëse bëhet një auditim përmbajtjesor i fondeve të shoqërisë civile, do të shohim se aty ka vetëm zhvatje të fondeve, ka keqpërdorime të jashtëzakonshme, por edhe anime të mëdha politike. Për fat të keq, konsideroj se një pjesë e konsiderueshme e një krahu të shoqërisë civile dhe të disa medieve janë vënë në funksion të se keqes”, u shpreh Ilir Fetahu për “Kosova Sot”.

