RCCOLA

Zhurmë, shqiponja kineze dhe qengja në hell

/ 6 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Astrit Gashi- M’u ka mbushur mendja se sa herë kemi festa të rëndësishme, shpërfaqemi krejtësisht si shtet, si shoqëri e si individë.

Shpërfaqemi aq shumë, dhe e qesim sheshazi pagdhendshmërinë tonë në mënyrë aq spontane, sa që po besoj që po të kemi njerëz kreativë, nga festimet tona do të dilte një film a serial i mirë për skenën ndërkombëtare, i tipit të “Boratit” të Sasha Baron Cohen. Pa shtuar e pa hequr asgjë. Madje edhe simpatik.

Nuk e kam fjalën për festimet individuale, të secilit prej nesh, por e kam fjalën për këtë ngarendjen euforike institucionale për të bërë kinse po festojmë e kinse po dimë të festojmë. Një ngarendje kjo e axhamillëk, i cili në mënyrën më brutale e qet cullak papërgjegjësinë, sharlatanizimin, amatorizmin me të cilin ata e kryejnë një punë kaq të thjeshtë, sa festimi. Këtu fatkeqësisht edhe do të kuptojmë se në fakt kështu e trajtojnë dhe e kryejnë secilën punë që kanë përpara dhe për këtë arsye jemi kështu si jemi sot- ndër më të pazhvilluarit në Evropë.

E di që është festë, e di që është eufori, e di që kemi të drejtë që jemi të gëzuar, por për hatër të kësaj nuk mund t’i mbyllim sytë dhe të heshtim ndaj gjërave që na e vrasin syrin- e që do duhej të na i hapnin sytë për të ardhmen. Veç aty mund të ndërhyjmë dhe veç atë mund ta bëjmë sipas dëshirave, vullnetit, shijeve e ambicieve tona. Ambiciet tona, si shoqëri, për të ardhmen padyshim se nuk janë në përputhje me gjendjen e sotme. Shihni si i kanë lidhur si të jenë lecka flamujt kuqezi, gjithandej nëpër Kosovë, kuvendet komunale te të gjitha partive.

Nuk është se nuk e duan flamurin apo se e trajtojnë si leckë, por kështu i kryejnë punët udhëheqësit tanë, shkel e shko. Për të shtyrë shpërfaqjen e papërgjegjësisë edhe më tutje, po për këta flamuj të vendosur në kryeqytet, e që dolën të mos jenë të njëjtë në pamje me atë zyrtarë, Komuna e Prishtinës arsyetohej se faji është te fituesi i tenderit. Mentalitet ky tenderashësh- që një kompanie private i jep peshën e shtetit a zotit vetë, ndërsa paratë janë tonat si taksapagues.

Kur t’i dëgjosh duke folur kështu, të shkon mendja se ata – Komuna pra- janë aty për dekor burokratik, për të dhënë tendera e jo edhe për t’i mbikëqyrur ato e për të kërkuar llogari të menjëhershme. Në një komunë e shtet normal, sapo lajmi të jetë bërë i ditur, flamujt do të hiqeshin, kompania do të ndëshkohej, dhe do të urdhërohej vendosja e menjëhershme e të tjerëve- kualitativë e zyrtarë. Nuk është vetëm Prishtina po gati kudo.

Derisa në flamurin kuq e zi doli gusa në vend të shqiponjës, dikush tjetër do që të na japë ngrohje në njëqind vjet ngrirje. Marrëzia e ndërmarrjes publike “Ngrohtorja e qytetit”, doli në skenë. Këta të fundit deshën t’i gëzojnë klientët e tyre me lajmin “ se gjatë festës do të funksionojë ngrohja”. Si nuk iu vjen turp, se përgjegjësi më nuk ka mbetur hapësirë që të ju kërkojmë!

Eco Higjiena

Për rikujtim kjo ndërmarrje publike ( pra e të gjithë neve) dhe menaxhmenti i saj e kanë për obligim kontraktues të punës që të ofrojnë mallin e tyre për ditë dhe te secili e jo vetëm për festa. Pasi që nuk janë në gjendje të bëjnë këtë, të paktën duhej të turpëroheshin e të mos dërgojnë lajme të tilla e të na trajtojnë si qengja apo dele. Nuk kanë turp, dhe jo vetëm këta.

Qengjat e importuar në fakt do të jenë viktima numër një e kremtimit të 100- vjetorit të shtetit shqiptar. Bashkia e Tiranës, në mënyrën me bizare, ka vendosur të qerasë kremtuesit me ka një shpatull qengji, duke therur qengja e larë rrugët me gjak. Edhe kjo na duhej, gjak e mish për 100-vjetorin. Një reagim i Brigitte Bardos që mbron të drejtat e kafshëve, më duket të jetë i pashmangshëm sapo ky lajm të shpërndahet nëpër ekranet e rrjetet sociale. Festim për ta lakmuar secili kanibal i mbetur nëpër botë! E tmerrshme.

Në këtë vorbull budallakishë, pyetja është e pashmangshme: Çka kanë këta njerëz që me doemos duhet ta prishin e ngarkojnë këtë festë, e secilën festë? Pse nuk dinë të festojnë të paktën nëse nuk dinë që të qeverisin? Përgjigjen po u la që ta keni secili. Unë veç mendoj që janë të papërgjegjshëm, shkel e shko, dhe para së gjithash nuk kanë shije. Për asgjë as për të ndërtuar shtetin.

Meqenëse jemi te historia, duke u kthyer mbrapa e duke i krahasuar me këta të sotmit, ata burrat që shpallën shtetin 100 vjet më parë më duken shumë më vizionarë, shumë më të përgjegjshëm, më të dijshëm e më kreativë. Si munden ata që jetuan 100 vjet më parë të ishin më kreativë se ne?

Vetëm imagjinoni kohën në të cilën kanë jetuar, nuk kishe televizion, as internet, e qasja në informacion ishte e limituar, shkollimin e kishin jokualititativ, dhe krahasojeni me mundësitë e sotme dhe aftësitë e liderëve tanë.

Si ditën ata të kenë një flamur? Nuk jam i sigurt që këta të sotmit do të kujtoheshin për të.

Gëzuar Shqipëri 100-vjetorin. Shqiptarë kemi qenë edhe më herët.