UBT

Zhbogar: Zgjedhjet përcaktojnë të ardhmen evropiane të Kosovës

/ 5 minuta lexim
Eco Higjiena

Prishtinë – Mbarëvajtja e zgjedhjeve lokale të 3 nëntorit është determinuese për të ardhmen evropiane të Kosovës, theksoi përfaqësuesi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar në një intervistë për RTK-në.

“Kjo varet nga mënyra se si do të mbahen këto zgjedhje, jo kush do të fitojë, por se si do të vijnë deri tek ai rezultat. A do të ekzistojë tek njerëzit ndjenja se ka pasur zgjedhje të lira demokratike dhe se nuk ka pasur probleme të mëdha, cili do të jetë rekomandimi i misionit të vëzhguesve të BE-së, të cilët do të bëjnë një vlerësim të pavarur, kjo do të mund të përcaktojë procesin e ardhshëm integrues të Kosovës. Nëse rikujtojmë gabimet dhe manipulimet e bëra në zgjedhjet e vitit 2010, vërtet shpresojmë që këtë herë Kosova të ketë zgjedhje të mira, që ato të jenë të lira të drejta e demokratike”, tha Zhbogar.

Sipas tij, vendim kyç gjatë dialogut Kosovë-Serbi është dakordimi i kryeministrave Thaçi e Daçiq që zgjedhjet të mbahen në tërë territorin e Republikës së Kosovës, ndërsa të gjitha vendimet e tjera kanë qenë pak a shumë teknike.

“Mendoj se procesi po ecën mirë, megjithatë në çdo pikë përballemi me sfida, gjë kjo që është e natyrshme, marrë parasysh se është hera e parë që zgjedhjet mbahen edhe në veri. I rëndësishëm mbetet fakti se po shohim konstruktivitet nga të dyja anët në kuptimin e përpjekjes për zgjidhje. Dua të jap lëvdata për vendimet e KQZ-së të cilat janë marrë brenda ligjeve të Kosovës, por të cilat kanë qenë edhe fleksibile, në mënyrë që t”u mundësohet serbëve në veri që të jenë pjesëmarrës në zgjedhjet e 3 nëntorit. Unë e di që kjo do të jetë hera e parë dhe se me këto zgjedhje do të ndryshojë gjendja në veri. Sigurisht se ka ende shumë paqartësi rreth së ardhmes së tyre, pra është me rëndësi që procesin e zgjedhjeve ta bëjmë sa më mirë që të jetë e mundur`, theksoi Zhbogar.

I pari i BE-së në Kosovë, më tutje gjatë intervistës vlerësoi se e rëndësisë së veçantë mbetet angazhimi i institucioneve të Kosovës për t”i bindur serbët e veriut se zgjedhjet e 3 nëntorit do ta ndryshojnë jetën e tyre për së miri.

Financimi që vjen nga Beogradi do të jetë transparent, vlerësoi Zhbogar, duke bërë të ditur se Bashkimi Evropian do të ndajë fonde të veçanta për zhvillimin e komunave veriore.

“BE do të ndajë fond të veçantë që ta ndihmojë veriun gjatë tranzicionit nëpër të cilin do të kalojë, pra nga sistemi i Serbisë në këtë të Kosovës. Gjatë këtij viti ne do të ndajmë 15 milionë euro, të cilat do të shpenzohen për projekte të ndryshme nëpër komunat e veriut. Me këto projekte shpresojmë të hapim vende të reja të punës, për ata që gjatë këtij tranzicioni do të humbin punën dhe për ata qytetarë që janë të papunësuar`, tha Zhbogar.

RCCOLA

Ai dënoi incidentet e fundit që ndodhën në veri, ku u sulmua bashkëshortja e njërit prej kandidatëve për zgjedhjet lokale, Oliver Ivanoviq, duke shtuar se siguria është esenciale për mbarëvajtjen e zgjedhjeve atje. Zhbogar beson se gjatë kohës së zgjedhjeve lokale do të rritet edhe prania e EULEX-it në veri.

“Siguria është shumë e rëndësishme për procesin zgjedhor. Së fundmi shprehim pakënaqësinë për sulmin që ka ndodhur ndaj bashkëshortes së z. Ivanoviq, i cili sigurisht ka motiv politik,apo sulmi në Partesh. Kjo vërtet është për të ardhur keq… Secili prej nesh do të duhej t”i mbështesë këta kandidatë pavarësisht kënd e përfaqësojnë apo çfarë liste i përkasin. Siguria është shumë me rëndësi. Unë besoj se EULEX-i në kohën deri në zgjedhje sigurisht se do të rrisë dukshmërinë dhe përgjegjësinë për veri. Tani kemi edhe komandant të emëruar për veri, dhe tani i mbetet edhe atij që të përforcojë sigurinë, meqë ky është një element shumë i rëndësishëm që qytetarët, të ndihen të sigurtë të votojnë, por edhe të paraqiten si kandidat”, tha Zhbogar.

E duke folur për barrikadën mbi lumin Ibër, i pari i BE-së në Kosovë shprehu besimin se kjo pengesë që po ndan Mitrovicën në dysh do të largohet shumë shpejt pas zgjedhjeve.

“Barrikada në Mitrovicë, mbi urën e lumit Ibër është më shumë politike, më simbolike. Besoj se do të vijë koha që do të hiqet ajo barrikadë apo do të bëhet e panevojshme. Unë do të prisja që një gjë e tillë të ndodhë pas zgjedhjeve, kur do të kemi kryetarët legjitim në të gjitha komunat, pastaj asociacionin. Pas kësaj kohe nuk mendoj se do të kalojë aq shumë ujë nën urë, para se barrikadat të hiqen” – theksoi Zbogar.

Zhbogar edhe gjatë kësaj interviste ritheksoi se roli i OSBE-së do të jetë vetëm lehtësues dhe se kjo gjë ka kohë që është përcaktuar.

“OSBE-ja është lehtësuese në veri. Roli është shumë i qartë, besoj. Ata punojnë shumë afër me KQZ-në. Sigurisht në detaje, ka shumë hollësi aty, por kemi besim në OSBE-në, organizatë me shumë kapacitetet që ka ndihmuar edhe organizimin e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë dhe besojmë në suksesin e tyre edhe në lehtësimin e zgjedhjeve në veri”, tha Zhbogar.