KKVITI

Zhbogar: Zbatimi i marrëveshjes, jo me forcë

/ 3 minuta lexim
Eco Higjiena

Përfaqësuesi Special i BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar, ka thënë se në veri nuk do të përdoret kurrfarë force për zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Nuk kemi mekanizëm të forcës për ta implementuar marrëveshjen e arritur. BE-ja nuk funksionin sipas mekanizimit të forcës. Forca nuk është zgjidhje. Nuk mund t’ia impononi askujt zgjidhjen. BE-ja e ka fuqinë e bindjes dhe argumentin. Rruga e Serbisë drejt integrimit në BE është drejtpërdrejt e lidhur me zbatimin e marrëveshjes”, është shprehur Zhbogar të mërkurë gjatë një ligjërate në Kolegjin ISPE me temën “Kosova dhe Bashkimi Evropian”.

Ai ka thënë se është i vetëdijshëm se brenda Kosovës ka zëra skeptikë për sa i përket zbatimit të kësaj marrëveshje nga ana e Serbisë. “Shoh skepticizëm nga të gjitha anët e Kosovës për sa i përket gatishmërisë së Serbisë për implementimin e marrëveshjes së arritur më 19 prill. I kuptoj këtë zëra skeptikë për shkak të kaluarës, por besoj se lidershipi i dy shteteve janë seriozë që ndryshimet të ndodhin. Shumica kanë qenë septikë edhe për arritjen e marrëveshjes, por ja që ndodhi. Marrëveshja mundëson që Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës të respektohen në tërë territorin e saj”, ka thënë Zhbogar, duke shtuar se Serbia shumë shpejt do ta pranojë planin për zbatimin e marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve në mes të Prishtinës dhe Beogradit. “Besoj se shumë shpejt do ta marrim planin e zbatimit të marrëveshjes për arsye se Serbia është e interesuar t’i fillojë negociatat për anëtarësim në BE. Kjo është ajo pika lidhëse në këtë drejtim”, ka deklaruar përfaqësuesi special i BE-së në Kosovë, raporton Epoka e Re.

Mobi Casa

Sipas Zhbogar, është e domosdoshme të zbatohen disa pika të marrëveshjes si dhe të përafrohen qëndrimet edhe për dy temat e ardhshme që do të diskutohen në mes të kryeministrit Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq. “Temat e radhës të dialogut janë energjia dhe telekomunikacioni. Shtetet anëtare presin që për këto dy tema deri në muajin qershor të arrihet marrëveshje. Nëse palët dëshirojnë të diskutojnë në mes vete është çështje tjetër”, është shprehur Zhbogar, duke vlerësuar lart konstruktivitetin e Kosovës në procesin e dialogut me Serbinë. Ai ka vlerësuar se në momentin kur do të fillojë zbatimi i marrëveshjes Kosovë – Serbi të gjithë do të fokusohen në çështjet e natyrës sociale dhe ekonomike.

Ai ka thënë se me fillimin e zbatimit të marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, politika, mediet dhe njerëzit e rëndomtë do të fillojnë të merren me çështje nga jeta e përditshme siç janë zhvillimi ekonomik dhe zbutja e papunësisë.