Zhbogar dhe EULEX i përgjigjen Lenjanit, shqetësimet e karaqevasve adresohen edhe në NATO

Gjilan – Samuel Zhbogar përfaqësues Special i Bashkimit Evropian i është përgjigjur shqetësimeve të Selver Lenjanit rreth vijës kufitare në Karaqevë, ku mungojnë patrullimet e policisë kosovare. Zhbogar pasi është pajtuar me shqetësimet e Lenjanit ka thënë se është përtej kompetencave të tij ligjore që t`i japë leje Policisë së Kosovës të kalojë përmes rrugëve anësore. Kërkesa e banorëve të Karaqevës sipas Zhbogarit është përcjellë në NATO dhe KFOR.
Samuel Zhbogar për dallim nga liderët e Kosovës dhe përgjegjësit e institucioneve i është përgjigjur letrës së Selver Lenjanit përfaqësues i fshatit Karaqevë. Lenjani më 24 qershor 2014 kishte kërkuar nga Samuel Zhbogar dhe shtetet e Quintit që të bëjnë të mundur patrullimin e policisë kufitare në pjesët ku vazhdimisht provokon xhandarmëria serbe, raporton rajonipress.
Në letrën e Zhbogarit që mbanë datën 22 gusht 2014 që mban firmën e Thomas Muehlmann shef i kabinetit të EULEX-it në Kosovë thuhet se “në lidhje me letrën tuaj që e keni dërguar më 24 qershor 2014, të cilën ia keni dërguar përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian zotit Samuel Zhbogar, në të cilën keni kërkuar nga ai që t`i japi leje policisë së Kosovës që të kalojë përmes rrugëve anësore të KFOR-it/NATO-së në mënyrë që të kenë qasje në fshatin tuaj. Në lidhje me këtë, ju lutemi keni parasysh që përgjigja e mëposhtme është dhënë nga EULEX-i siç është deleguar nga Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së” thuhet në letër.
“Edhe pse i ndaj shqetësimet e juaja dhe bashkë ndiej me gjendjen e vështirë në të cilën gjendet fshati Karaqevë e Poshtme, me keqardhje ju njoftojë që është përtej kompetencave ligjore të EULEX-it që t`i japë leje Policisë së Kosovës të kalojë përmes rrugëve anësore të KFOR-it/NATO-së, prandaj kërkesën tuaj ia kam përcjellë NATO-së/KFOR-it drejtpërdrejtë”.
Në fund të letrës shefi i kabinetit të EULEX-it e falënderon Lenjanin.”Ju falënderoj që më keni informuar lidhur me këtë çështje. Në rast se paraqitet ndonjë problem tjetër, EULEX-i është i gatshëm të ofrojë mbështetje në pajtim me mandatin e tij” përfundon përgjigja e Thomas Muehlmann.
Ndryshe, Selver Lenjani përfaqësues i fshatit Karaqevë ishte detyruar që t`i shkruaj letër publike Samuel Zhbogarit dhe shteteve të Quintit për të kërkuar prej tyre ndërhyrjen në zgjidhjen e kontestit kufitar në Karaqevë. “Policia e Kosovës ende nuk po patrullon në dy pikat kyçe ku ruhet territori shqiptar dhe kjo situatë e pa definuar e kufirit nuk ishte misioni as i NATO-së e as i BE-së” e kishte përkujtuar Lenjani Zhbogarin.
I zhgënjyer nga institucionet e Kosovës duke filluar nga presidenca, Parlamenti e Qeveria, Selver Lenjani përfaqësues i fshatit Karaqevë kishte ndërmarrë një hap tjetër senzibilizues për t`i përkujtuar shtetet e Bashkimit Evropian se vija administrative në kufirin Kosovë – Serbi është ende “bombë” e kurdisur.
Lenjani e ka përkujtuar Zhbogarin se misioni i NATO-së dhe i Bashkimit Evropian nuk ishte që Karaqeva të mbetet e izoluar dhe në pasiguri të plotë. “Ne jetojmë para tytave të xhandarmërisë serbe dhe jetojmë e flemë në pasiguri totale dhe gjithnjë me frikën se do të ndodhë më e keqja” kishte shkruar Lenjani në letrën e tij dërguar Zhbogarit.
Lenjani ka kërkuar edhe nga shtetet e Quintit që të kyçen në bisedimet rreth vijës kufitare dhe të bëjnë presion tek Qeveria serbe që mos t`i gllabërojë dhunshëm 11 mijë metra katror territor të Kosovës. “As ju të nderuar ambasador e diplomat ndërkombëtar nuk do të kishit lejuar që shteti i juaj të trazohet e pengohet nga një shtet fqinjë. Keni parasysh se ne kemi fëmijë, gra, pleq e të moshuar që kanë frikë të qëndrojnë në zonat kufitare dhe të jetojnë të lirë e të punojnë tokat e tyre lirshëm” ka shkruar Lenjani.
Lenjani ndërkaq ndihej shumë i lumtur që megjithatë ka marrë një përgjigje zyrtare nga Zhbogari dhe shqetësimet e banorëve të Karaqevës kanë arritur deri në NATO. “Unë nuk do të ndalem asnjëherë rreth sensibilizimit të Karaqevës dhe problemit të saj sepse toka e Kosovës dhe vija administrative e saj duhet të jetë e garantuar dhe e paprekshme. Zhbogari me shumë kujdes e ka pranuar letrën time dhe ma ktheu përgjigjen kurse institucionet tona me vite jemi ankuar dhe kurrë përgjigje nuk më kanë kthyer” u shpreh Lenjani. /rajonipress/