Zhbogar: BE-ja do të ndihmojë Kosovën në zhvillimin Ekonomik
Ministri i Financave Avdullah Hoti, ka pritur sot në takim njoftues shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë/Përfaqësues i Posaçëm i BE-së Samuel Zhbogar, ku u diskutua për zhvillimet e përgjithshme ekonomike në vend, për sfidat dhe iniciativat e rëndësishme që e presin gjatë këtij viti Ministrinë e Financave.
Ministri Hoti gjatë takimit e falënderoi z. Zhbogar për punën, kontributin si dhe për bashkëpunimin e vazhdueshëm të Bashkimit Evropian me institucionet e Kosovës, në veçanti me Ministrinë e Financave dhe shprehi bindjen se ky bashkëpunim do të vazhdoj edhe në të ardhmen.
Gjatë takimit Ministri Hoti gjithashtu e njoftoi atë për gjendjen financiare të vendit, përkushtimin e Qeverisë për krijimin e kushteve më të mira për thithjen e investimeve të huaja në Kosovë, si dhe për përkushtimin e Ministrisë së Financave në luftimin e ekonomisë joformale, ku më këtë rast falënderoi Bashkimin Evropian për ndihmën e vazhdueshme që i ka dhënë Kosovës në këtë fushë.
Ndërsa, shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë Samuel Zhbogar duke uruar Ministrin Hoti për pozitën e re, shprehu gatishmërinë e Zyrës së Bashkimit Evropian për të ndihmuar Kosovën në zhvillimin ekonomik dhe në proceset integruese në Bashkimin Evropian.


