Uji Dea

Zharku dërgohet me polici në Gjykatë

/ 4 minuta lexim
Fundamenti

Ish-kryetarit të Kaçanikut, Xhabir Zharku, i ka shkuar vendimi në shtëpi për të shkuar në vuajtje të dënimit prej tre vjetësh burgim, por letrën nuk e ka marrë për shkak se nuk ishte në shtëpi. Një i afërm i tij ka “premtuar” se Zharku do të paraqitet të mërkurën në gjykatë, por nëse kjo nuk ndodh, ai pritet të dërgohet me polici në gjykatë.

Xhabir Zharkun e ndan nga fillimi i vuajtjes së dënimit me burg vetëm pranimi i vendimit të Gjykatës së Qarkut, me të cilën urdhërohet Gjykata Komunale në Kaçanik që të ekzekutojë dënimin.

Por, Gjykata Komunale në Kaçanik nuk ia ka dalë t’ia dorëzojë vendimin Zharkut, pasi që ai nuk ndodhej në shtëpi.

“Vendimi e kemi dërguar në shtëpinë e Xhabir Zharkut, por ai nuk ndodhej në shtëpi për ta pranuar atë”, tha Ramadan Gudanci, kryetar i Gjykatës Komunale në Kaçanik.

Sipas tij, “gjykata komunale ka njoftuar një anëtar të familjes së Zharkut, i cili ka thënë se ai do të paraqitet nesër (e mërkurë) në gjykatë”.

Por, ish-kryetari kontravers mund të jetë duke i ikur pranimit të vendimit të Gjykatës së Qarkut, në mënyrë që ta shtyjë shkuarjen në burg.

“Zharku mund të jetë duke i ikur pranimit të vendimit, por kjo do të vërtetohet nesër kur gjykata pret që ai të paraqitet për të marrë vendimin e Gjykatës së Qarkut”, thotë Godanci.

Pranimi i këtij vendimi nënkupton se ai duhet të shkojë menjëherë në burg.

Shtyrja e pranimit të vendimit mund të ndodhë vetëm deri nesër, kur Gjykata Komunale pritet të lëshojë një urdhëresë për sjelljen me forcë të Zharkut në gjykatë, përmes policisë.

“Nëse Zharku nuk paraqitet nesër në gjykatë, unë do të lëshoj urdhër për sjelljen e tij në gjykatë”, deklaroi Godanci, për Gazetën Jeta në Kosovë.

Uji Dea

Gazeta ka tentuar të kontaktojë edhe Zharkun, por në telefonin e tij është përgjigjur Bedri Elezi, i cili është prezantuar si nip i tij.

Ai tha se Zharku nuk ka marrë asnjë vendim nga Gjykata e Qarkut se i është refuzuar ankesa për shtyrje të ekzekutimit të vendimit.

“Ne duhet t’i respektojmë të gjitha procedurat. Ka mundësi apelimi ndaj refuzimit të ankesës të Gjykatës së Qarkut”, tha Elezi për Gazetën JnK.

Ish-kryetar i komunës së Kaçanikut tashmë i ka shteruar të gjitha mjetet ligjore për të shtyrë vuajtjen e dënimit.

Rruga e vetme i ka mbetur të shkojë në burg për tre vjet e ardhshme, për të zbatuar kështu aktgjykimin e shkallës së parë e të dytë, të cilat e gjetën atë fajtorë për veprën penale të detyrimit.

Xhabir Zharku, nga viti 2007 deri në maj 2012 e ka qeverisur Komunën e Kaçanikut. Ai është dënuar me tri vjet burg për detyrim dhe posedim të paligjshëm të armës. Dënimi me burg prej tri vitesh atij i është vërtetuar edhe nga Gjykata Supreme.

Zharku, së bashku me Arsim Kolshin, Besnik Hasanin dhe Nusret Cenën, si pjesë e një grupi, në kohë të ndryshme, prej ose më 26 qershor 2006, deri më 1 gusht 2006, me qëllim që të përfitojë për qëllime materiale për vete, ose për dikë tjetër, ka përdorur kërcënime serioze ndaj të dëmtuarve.

Ata i kanë kërcënuar me vrasje Shefket Lurin, Xhelil Sumën dhe Azem Sumën në rast se nuk do të tërhiqeshin nga tenderi i fituar nga Agjencia Kosove Privatizimit (AKP) në valën e 16-të për privatizimin e një ferme delesh, në sipërfaqe prej 32 hektarësh, në fshatin Rakaj të Ferizajt.

Gjashtë muaj pas marrjes së vendimit, Zharku ende ndodhet në liri, derisa aktvendimi për ekzekutimin e vendimit pas kësaj kohe, nga Gjykata e Qarkut të Prishtinës ka mbërritur në Gjykatën komunale të Kaçanikut. /gazetajnk/