UBT

Zgjerohet skandali Sexgate

/ 6 minuta lexim
Mobi Casa

Skandali ‘CIA’s Sexgate’ i ish-gjeneralit dhe shefit të CIA, David Petraeus, nuk u mbyllë vetëm me të. Pas tij dhe komandantit të forcave amerikane në Afganistan, viktimë e re e skandalit është edhe agjenti i FBI që kishte hetuar Petraeus’in. Në mes të hetimeve agjenti ishte dashuruar në Jill, i dërgonte e-maile provokuese, bashkë me fotografitë e tij gjysmë të zhveshura.

Skandali CIA’s Sexgate fillimisht shkaktoi rënien e shefit të CIA, pas tij ra edhe komandanti i NATO’s në Afganistan, e tani joshjen me atributet e femrës misterioze, Jill Kelley, e pagoi me postin e tij edhe një zyrtar i lartë i FBI, i ngarkuar me hetimin e rastit Petraeus.

Pak pasi që u përfshi në hetimin e skandalit me dashnoren e gjeneralit David Petraeus dhe të gjeneralit John Allen, zyrtari i paemëruar i FBI, në mes të hetimeve që po i zhvillonte, filloi që zonjës Kelley t’i dërgonte e-maile provokues, të cilave ua bashkëngjiste edhe fotografitë e tij, në të cilat shfaqej gjysmë i zhveshur.

Menjëherë u “hoq nga rasti” dhe u suspendua, ndërkohë që, pas një kontrollimi shtesë, doli se ai – në mënyrë të paautorizuar – i kishte dërguar detaje konfidenciale të hetimeve edhe udhëheqësit të shumicës në Kongres, Eric Cantor.

Avokati i Clinton

Përderisa për çdo ditë po shitohet numri i personave nga kreu i ushtrisë politikës dhe shërbimeve sekrete që po implikohen në skandalin që për dekada nuk mbahet mend në SHBA, zeshkania e bukur nga Tampa Bay (në Florida, Jill Kelley, e cila për vite të tëra “simpatizohej” nga një numër gjeneralësh, ka angazhuar avokatin që dikur e përfaqësonte presidentin, Bill Clinton, në kohën e aferës me Monica Lewinsky.

Veç tij, ajo ka angazhuar edhe Michael Vick, i cili në kohën e presidentit Clinton ishte përgjegjës për marrëdhënie me publikun. E se zonjës Kelley vërtet i duhet një ekspert për Marrëdhënie me Publikun e tregon edhe fakti se tani është kuptuar se, me një rast, gjenerali Petraeus e kishte vizituar znj. Kelley, dhe se deri në shtëpinë e saj kishte ardhur me një kolonë të mbrojtur zyrtare, që përbëhej nga 28 vetura.

Mirëpo, një dozë të veçantë të bizaritetit gjithë këtij rasti ia shton fakti që opinioni publik, në njëfarë mënyre, qysh para një viti ishte i informuar për aferat jashtëmartesore të gjeneralit Petraeus, dhe atë nëpërmjet gazetës ‘The New York Times’. Burri i dashnores së parë të Petraeus, Paula Broadwell, e cila e kishte kërcënuar znj. Kelley që “të largohej nga mashkulli i saj”, i kishe dërguar një letër rubrikës “Çfarë të Bëjë”, nëpërmes së cilës kërkonte këshilla nga lexuesit se si të vepronte në situatën në të cilën u gjend. Edhe pse autori i letrës, në të cilën kërkohej mendimi i lexuesve se si të vepronte, për shkak se gruaja e tij kishte një aferë dashurie me një zyrtar të lartë shtetëror, nuk ishte nënshkruar me emër, pas shpërthimit të aferës javën e kaluar, u bë e qartë se për kë bëhej fjalë.

Letra e botuar në ‘The New York Times’

“E këshillova që pa bërë bujë të madhe të kërkonte ndarje nga gruaja, edhe pse nuk e dija identitetin e tij e as të rivalit të tij, të cilin, përkundër të gjithave, duket se e respektonte. Kur Petraeus dha dorëheqje, e kuptova se prej nga vinte letra dhe kush e kishte dërguar”, deklaron Chuck Klosterman, nga ‘The New York Times’.

Paralelisht, edhe hetuesit amerikanë u dukën goxha të interesuar të kuptonin nëse gjeneralët dashnoreve të tyre, përveç fjalëve të buta, mbi jastëk ua pëshpëritnin edhe fshehtësitë shtetërore. Për këtë arsye, FBI kreu një bastisje të detajuar të shtëpive të Paula Broadwell dhe Jill Kelley.

Mobi Casa

Burimet e informuara mirë pohojnë se në kompjuterin e Broadwell janë gjetur të dhëna për sulmin ndaj Konsullatës së SHBA’ve në Benghazi, si pasojë e të cilit u vra ambasadori amerikan, Chris Stevens, dhe tre shtetas të tjerë amerikanë.

“E, çfarë të bëjë unë?…”

Letra e botuar më 13 gusht 2011 në ‘The New York Times’, përmes të cilës burri i Paula Broadwell kërkonte këshillë nga lexuesit, kishte këtë përmbajtje:

Gruaja ime ka një aferë. Po më mashtron me një zyrtar shtetëror. Detyrë e tij është udhëheqja e një projekti, suksesin i të cilit e gjithë bota e sheh si demonstrim të lidershipit amerikan (mund të tingëllojë si hiperbolë, por nuk bëhet fjalë për kurrfarë stërmadhimi). E ka takuar disa herë dhe gjithnjë ishte gracioz (nuk besoj që është i vetëdijshëm që unë e di për aferën e tyre). Kam vërejtur se afera vetëm është forcuar gjatë vitit të fundit, por nga ajo kam përfituar edhe unë.

Ai e bënë një punë që nxit edhe interesimin tim, dhe jam i shumë i vetëdijshëm që ai absolutisht është njeriu i duhur për atë pozitë. E ndjej fuqishëm që zbulimi i kësaj afere do të shkaktonte pengesa të mëdha, të cilat do të ndikonin në suksesin e përpjekjeve shumë të rëndësishme të tij. Pyetja ime është kjo: A duhet ta zbuloj publikisht këtë aferë, dhe t’i detyroj kështu që ta ndërpresin? A duhet të vuaj në qetësi edhe një vit apo dy, derisa puna që ai bënë të mos përfundojë? A duhet të jem i sinqertë, ta kthej shpinën, të dalë nga kjo situatë e mjerueshme, dhe ta harroj gjithë këtë episod? Lexuesi Anonim.

Kush çfarë bëri në skandalin CIA’s Sexgate?

– Zeshkania misterioze, Jill Kelley, është gruaja e papunë e një mjeku lokal në Tampa Bay, në Florida.

-Xheloze ndaj Kelley, dashnorja e parë e gjeneralit Petraeus, Paula Broadwell, i dërgoi asaj disa kërcënime nëpërmjet e-malit. Kelley të gjitha i lajmëron në FBI, pa e ditur se kështu, pa dashje, po hapte një hetim.

-Si pasojë, bien me radhë të gjithë dashnorët, Petraeus, Allen, dhe agjenti i paemëruar i FBI, i cili ishte dashuruar në Kelley derisa po e vizitonte për shkak të hetimeve.

-Kelley angazhon avokatin dhe ekspertin për Marrëdhënie me Publikun, të cilët punonin për presidentin Clinton, në kohën e aferës Lewinsky.

-Në kompjuterin e znj. Broadwell FBI gjen të dhëna konfidenciale shtetërore.