RCCOLA

Zgjerimi 2030, a mund ta kap Kosova trenin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian?

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Kthesë e re për Ballkanin po konsiderohet deklarata e presidentit të Këshillit Evropian, që përmendi vitin 2030 si mundësi për zgjerimin e radhës të BE-së. Kosova, sipas njohësve të proceseve integruese, vlerësohet se është larg në këtë proces, dhe do të ishte me fat nëse do të arrinte të bëhej pjesë e unionit brenda kësaj periudhe.

Fundi i vitit të kaluar shënoi një hap të Kosovës që u konsiderua si historik, por i cili nënkupton një rrugë të gjatë përpara konkretizimit.

Kosova, më 15 dhjetor aplikoi për anëtarësim në Bashkimin Evropian, derisa vendet e rajonit, kanë bërë disa hapa tutje në këtë proces.

Negociatat për anëtarësim ka vite që i kanë nisur Mali i Zi dhe Serbia, ndërsa në korrik të vitit 2022 ato i nisën edhe Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.

Bosnje-Hercegovina e ka marrë statusin e vendit kandidat në dhjetor të vitit të kaluar, ndërsa Kosova ka vetëm Marrëveshje Stabilizim –Asociimit me BE-në.

Derisa mbetet një kandidat potencial, shpresë së fundmi ka ngjallur Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel.

Në Bled të Sllovenisë, përmendi vitin 2030 si një vit kur BE-ja do të mund të ketë valën e re të zgjerimit.

Mobi Casa

Njohës të marrëdhënieve ndërkombëtare, faktin që është përmendur një vit konkretisht, e shohin me qëllim të shtyrjes përpara të reformave në vendet aspiruese.

“Ka qenë ndoshta qëllimi që në një farë mënyrë t’i stimulojë të dyja palët, edhe Bashkimi Evropian të bëhet gati për zgjerim, po edhe Ballkanin Perëndimor që t’i thellojnë reformat e tyre drejt integrimit në familjen evropiane. Dhe vitin 2030 e shoh si pikë referuese, se ku kanë mbërri vendet me afrimin në integrimi evropian. E shoh si një datë, si një vit që mund të jetë pikë kthese, me e pa ku gjendet Ballkani Perëndimor”, ka thënë Dritëro Arifi, profesor i Marrëdhënieve Ndërkombëtare.

Ndërsa profesori universitar Abit Hoxha, rikujton se viti 2030 nuk është shumë larg, për çka ka skepticizëm nëse mund të mbërrihet niveli i kërkuar për tu bërë pjesë e bllokut.

“Mendoj se ajo deklaratë është shumë deklaratë optimiste, dhe Kosova do të ishte shumë me fat nëse mundet në vitin 2030 të jetë në atë stad të integrimeve evropiane, viti 2030 nuk është shumë larg”, ka shtuar Abit Hoxha, ligjërues universitar.

Në deklaratën e tij Michel u bëri thirrje shteteve të rajonit të Ballkanit Perëndimor që të zgjidhin konfliktet e tyre dypalëshe, në mënyrë që të njëjtat të mos barten në BE pas integrimit të tyre potencial.

Shteti i fundit që është bërë pjesë e Bashkimit Evropian, është Kroacia, një dekadë më parë, saktësisht 10 vite pasi kishte aplikuar për anëtarësim./RTV Dukagjini/