Zgjedhjet nuk shihen si opsion për dalje nga ngërçi politik

Zgjedhjet nuk janë opsion sepse ato mund ta risjellin të njëjtin momentum. Pos ndërkombëtarëve, as Presidenca nuk e sheh si opsion të shpejtë organizmin e zgjedhjeve. Këshilltari i presidentes, Arbër Vllahiu, ka thënë se e para e vendit do të vazhdojë takimet gjatë javës së ardhshme me liderët politikë për kapërcimin e krizës, raporton KTV.
“Nëse nuk ofrohet asnjë zgjidhje dhe nëse zgjedhjet shihen si e vetmja alternativë e mbetur, atëherë duhet që vendin ta nxjerrim nga kjo situatë e pamundshme. Presidentja ka kërkuar zgjidhje, marrëveshje dhe pajtim për të shmangur zgjedhjet”, ka thënë Vllahiu.
Ai ka shtuar se presidentja pret propozime, sugjerime konkrete që do të mundësojnë ndërtimin e institucioneve dhe përmbushjen e obligimeve ndaj qytetarëve të vendit dhe gjithashtu të proceseve të ndërlidhura me bashkësinë ndërkombëtare.
Edhe analisti Halil Matoshi thotë se ka ende solucione para se presidentja të vendosë për zgjedhjet.
Artan Muhaxhiri thekson se spektri politik kosovar është duke treguar mungesë të vetëdijes për gjendjen në të cilën gjendemi.
“Megjithatë, edhe dërgimi i lëndës kushtetuese për një interpretim shtesë në Komisionin e Venedikut merr kohë dhe mund ta sjellë po të njëjtin interpretimin me atë të Gjykatës Kushtetuese”, thotë ai, transmeton Koha.net.
Ndërkaq, sipas tij, organizimi i zgjedhjeve mund të krijojë një momentum konfliktual për arsye të tensioneve politike të cilat ekzistojnë.