Zgjedhjet në dorë të Thaçit – presidenti zvarrit procesin
Sot janë bërë tri javë prej kur Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqje nga posti i kryeministrit të Kosovës, pasi që mori ftesë për intervistim nga Gjykata Speciale. Derisa vendi ka mbetur pa qeveri funksionale presidenti Hashim Thaçi po vazhdon që të zvarrisë punën e zgjedhjeve. Këtë javë ai kishte paralajmëruar konsultat me partitë, por, që një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Për këtë çështje partitë politike kanë paralajmëruar se javën tjetër do të thërrasin seancë të jashtëzakonshme, për të shpërndarë Kuvendin.
GazetaExpress
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi një javë nuk e tha asnjë fjalë sa i përket veprimeve që do të ndërmarrë siç parashihen edhe në Kushtetutë pas dorëheqje së Ramush Haradinaj nga pozita e kryeministrit.
Për këtë javë ndërkaq i njëjti tha se do të thërrasë për konsultë të gjitha partitë politike, duke shtuar se do të diskutohet për gjetjen e një zgjidhjeje, por, që ai nuk përmendi asnjëherë zgjedhjet e jashtëzakonshme.
Nga presidenca përmes një njoftimi për media, thanë se konsultat do të fillojnë këtë javë, mirëpo, te zyrat e presidentit janë shfaqur deri më tani vetëm subjektet minoritare.
Ai deri më tash ka takuar përfaqësuesit e Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP) dhe ata të subjektit VAKAT nga Grupi Parlamentar 6 plus dhe partitë e komunitetit rom, ashkali dhe egjiptas, por nuk ka njoftime se kur mund të ketë takime me përfaqësuesit e tjetër të partive politike. Të njëjtëve nuk iu është dërguar as ftesë.
Partitë politike janë deklaruar ditë më parë për Express se te presidenti Hashim Thaçi do të paraqiten vetëm nëse thirren për të diskutuar për datën e zgjedhjeve, të gjitha po mohojnë se do të mund të bëhen pjesë e ndonjë skenari të qeverisë teknike.
Zyra e presidentit deri më tani nuk ka sqaruar se pse nuk iu është dërguar ende ftesë partive të mëdha, apo, se kur do të përcillen të njëjtat.
Ditë më parë presidenti i Kosovës është takuar me kryetaren e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Dakën, derisa, e njejta deklaroi se me presidentin kanë diskutuar për afatet ligjore, kjo nëse zgjedhjet mbahen.
Partitë politike në anën tjetër kanë paralajmëruar se nëse presidenti nuk i përshpejton procedurat, do të shkojnë me shpërbërje të Kuvendit.
Njejtë u deklarua gjatë kësaj jave edhe kryeministri në largim Ramush Haradinaj.
I njëjti shtoi se janë duke pritur që të shtunën të përfundojë procesi i brendshëm zgjedhor në LDK, derisa, menjëherë pas zgjedhjes së kryetarit në atë parti, do të thërrasin seancë të jashtëzakonshme./A.K/GazetaExpress/


