ARKATANA

Zgjedhjet nacionale s`mund të mbahen në pranverë

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Edhe nëse reforma zgjedhore përfundon deri në fund të këtij viti zgjedhjet nacionale nuk mund të mbahen në pranverën e vitit 2014.

Kjo pasi duhet të ketë një afat prej gjashtë muajsh për të përgatitur zbatimin e bazës ligjore si nga ana e Komisionit Qendror Zgjedhor, ashtu edhe prej organeve tjera që merren me procesin e zgjedhjeve.

Por, reforma zgjedhore parashihet të përfundoj deri në pranverën e vitit të ardhshëm pasi deri në fund të këtij vitit partitë politike do të merren me zgjedhjet lokale të 3 nëntorit, balotazhin, certifikimin dhe njohjen e rezultateve të zgjedhjeve.

Në këtë drejtim, thirrjet për mosmbajtjen e zgjedhjeve nacionale pa reformë elektorale kanë bërë përveç ambasadorëve të QUINT’it, edhe liderët e partive politike

Megjithëkëtë, deputeti i AAK’së, Burim Ramadani thotë se reforma duhet të zhbllokohet dhe të përgatitet terreni për zgjedhje nacionale në pranverë.

“Reforma elektorale mund të ndodh dhe duhet të ndodh brenda një kohë tepër të shkurtë si vendim duhet merret për gjysmë ore për shkak se s’ka punë më shumë. Ai vendim duhet të merret ne forumin e liderëve dhe si i tillë duhet të kalojë në Kuvendin e Kosovës ku kërkohet vota e shumicës së deputetëve”, ka thënë Ramdani për Express, të dielën.

Sipas tij, PDK dhe LDK qëllimshëm janë duke bllokuar reformën zgjedhore për të përfituar në kohë.

Fundamenti

“Bllokadën që e ka bërë Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa duhet të tejkalohet. Zgjedhjet duhet të mbahen menjëherë në pranverë të vitit të ardhshëm me sistem të ri ose me reformë elektorale të përgatitur”, ka shtuar ai.

Por, Nënkryetari i PDK’së, Hajredin Kuçi të gjitha deklaratat për reformë zgjedhore i sheh në kuadër të fushatës për zgjedhjet lokale.

Ai thotë se posa të përfundojnë zgjedhjet lokale do të nisë puna edhe për përfundimin e reformës për të shkuar në zgjedhjet nacionale.

“Jemi në fushatë elektorale dhe duhet t’i kryejmë zgjedhjet lokale në mënyrë të ndershme, demokratike, ta pranojmë rezultatin, t’i konsolidojmë institucionet lokale dhe iu vjen koha zgjedhjeve nacionale dhe reformës zgjedhore”, ka thënë Kuçi, për Express.

“Kur të vjen koha e reformave flasim, por kushdo që flet zgjedhje nacionale mendjen e ka te zgjedhjet lokale”, ka shtuar ai.

Edhe zyrtarët e LDK’së kanë thënë se reforma duhet të përfundojnë për të shkuar në zgjedhje nacionale.