Zgjedhjet, mes manipulimit dhe mashtrimeve të reja

Shpërndarja e kësaj legjislature të radhës të Kuvendit të Kosovës dhe vendimi për të shkuar në zgjedhje të reja të jashtëzakonshme, vlerësuar nga njohësit e zhvillimeve të deritanishme politike në vend, vetëm sa do ta thellojë agonin qytetare dhe shton pakënaqësitë në këtë klasë të tejkonsumuar politike, ngase edhe këto zgjedhje do të jenë vetëm një farsë dhe gënjeshtër e radhës me premtime të pafund.
Asnjë parti nuk ka vizion të qartë zhvillimor
Shpërndarja e kësaj legjislature të radhës të Kuvendit të Kosovës dhe vendimi për të shkuar në zgjedhje të reja të jashtëzakonshme, vlerësuar nga njohësit e zhvillimeve të deritanishme politike në vend, vetëm sa do ta thellojë agonin qytetare dhe shton pakënaqësitë në këtë klasë të tejkonsumuar politike, ngase edhe këto zgjedhje do të jenë vetëm një farsë dhe gënjeshtër e radhës me premtime të pafund.
Ky koalicion që u shkurorëzua ditën e djeshme, konsiderohet se ka qenë vetëm një skemë mashtrimi e politikës, kryesisht e PDKsë për të shkuar në zgjedhje pa reformën zgjedhore, të cilën kjo parti me LDK-në e dështuan qëllimisht.
Analisti politik Ali Hertica tha se nga e gjithë ajo që u fol edhe në seancën e fundit të Kuvendit, në seancën e rrëzimit të koalicionit artificial e të zorit mes PDK-së e LDK-së, ai mllef i ndërsjellë mes fytyrave të stërvjetruara dhe të mbushura me mëkate të mëdha flet mjaftueshëm se nga kjo kastë politike nuk mund të ketë ndryshim pozitiv për qytetarin as pas zgjedhjeve të radhës. “Me të drejtë ekziston frika, që edhe këto zgjedhje të mund të manipulohen, vidhen dhe përshtaten nga nëntoka dhe krimi i organizuar, që janë ngulitur thellë te një pjesë e konsiderueshme e politikës kosovare”, tha Ali Hertica. Ai konsideron se kjo ndërprerje e mandatit qeverisës nga PDK-ja dhe opozita është një sulm i rëndë prapa shpinës për LDK-në dhe një goditje e dytë për LDK-në nga PDK-ja, duke e mashtruar sikur në rastin e ish-presidentit Sejdiu.
Nuk ka strategji zhvillimi
Njohësi i zhvillimeve politike në vend Gurakuq Kuqi, drejtor në “Independent Institute for Political and Media Studies”, thotë se zgjedhjet e reja nuk do t’i ofrojnë asgjë Kosovës, asnjë alternativë zhvillimi, luftë ndaj korrupsionit dhe krimit, etj. “Vetëm do të jetë edhe një valë e re me njerëz e premtime kryesisht të vjetra, me mendësi të njëjtë dhe udhëheqje të njëjtë. Çdo koalicion që do të bëhet para apo pas zgjedhjeve do të jenë vetëm marrëveshje politike me përfitime personale pa strategji zhvillimi. Udhëheqja e vendit do të vazhdojë me tenderomaninë, korrupsionin, skemat e njëjta kriminale që kanë kapur çdo sferë politike, kanë krijuar monopole ligjore dhe sipas ligjit duken të përsosur”, tha Kuqi për “Kosova Sot”.
Ai thotë se derisa zgjedhjet janë të pashmangshme, sepse subjektet politike sidomos dy më të mëdhatë, kanë arritur që të krijojnë skema të manipulimit ndaj qytetarëve, duke ndërlidhur me mitin e UÇK-së dhe rugovizimit, me klientelizmin dhe nepotizmin. “Pastaj duke shfrytëzuar edhe të metat e tjera siç është mosreformimi i Ligjit për zgjedhje, pastrimi i listave zgjedhore e shumë anomali të tjera, dhe të njëjtët do të rirreshtohen edhe në legjislaturën tjetër. Dhe kjo u konvenon, që akoma ta shfrytëzojnë këtë gjendje dhe përderisa janë këto anomali zgjedhje pa zgjidhje për qytetarët do të kemi vazhdimisht. Këto çështje nuk zgjidhen nga vetë njerëzit, që i kanë krijuar këto probleme, as nga mendësia dhe pakultura politike, dhe si e tillë Kosova do të vazhdojë të mbetet shumë larg vendeve të Bashkimit Evropian dhe integrimit në BE”, u shpreh Kuqi.
Qeveria solli eksodin
Edhe sipas politologut Skënder Mulliqi, ndryshime pozitive nuk mund të priten edhe pas këtij cikli të ri zgjedhor nga zgjedhjet e shpejta dhe të jashtëzakonshme, pasi që praktika e deritanishme e qeverisjes së vendit ka treguar se gati krejt pushtetet e pasluftës, me ndonjë përjashtim të vogël, kanë punuar për realizmin e interesave personale të grupeve të interesit të politikës së sa për realizmin e interesave të qytetarëve për çka edhe ishin të thirrura. “Qeveria e cila ka punuar më së keqi deri më sot ishte qeveria ‘Thaçi 1’ dhe ‘Thaçi 2’.
Në vend që të funksionojë ashtu si duhet këto qeveri më për dy mandate u kapën pas krimit të organizuar, pas pasurimit të klaneve të caktuara dhe tarafeve, duke i anashkaluar interesat e Kosovës. Dihet se sa aferat politike dhe aferat ekonomike i përcollën qeveritë ‘Thaçi’ bashkë me klanin “Pronto” . Dhe, të gjitha ato probleme të grumbulluara i trashëgoi qeveria e ‘Isa Mustafës’, pasi LDK-ja që bëri koalicion të panatyrshëm me PDK-në. Këto probleme veç sa iu shtuan Kosovës edhe nën qeverisjen e Mustafës”, ka potencuar ai. “Nuk pamë ndonjë përparim të gjithëmbarshëm, por sërish u ballafaquam me probleme të theksuara politike siç është Demarkacioni dhe “Zajednica”. Nuk pamë vende të reja të punës, të cilat iu premtuan qytetarëve të Kosovës. Pamë eksodin e dytë biblik të shqiptarëve për në Perëndim, pamë gaz lotsjellës, pamë protesta, pamë zgjedhjen e një presidenti gati në kushte të luftës. Pas gjithë këtyre veprave të këqija, Kosovën me këtë kastë politike nuk e pret e mira edhe pas zgjedhjeve, të cilat pritet të mbahen”, tha Mulliqi për “Kosova Sot”.