Fundamenti

Zgjedhjet lokale më 6 ose 13 tetor?

/ 2 minuta lexim
Fundamenti

Hajredin Kuçi ka konfirmuar se problemi i Veriut po e mban peng shpalljen e zgjedhjeve lokale në Kosovë. Megjithëkëtë, ai beson se në muajin tetor do të mbahen zgjedhjet lokale në krejt territorin. Burme të Express brenda Presidencës përmendin 6 dhe 13 tetorin si data të mundshme për zgjedhje komunale.

Pavarësisht kërkesave të disa partive politike për t’i shpallur zgjedhjet lokale, Presidentja Atifete Jahjaga po pret të përfundojnë punët rreth marrëveshjes së arritur mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, për të caktuar datën e zgjedhjeve.

Në fakt, Jahjaga po e pret ratifikimin në Kuvend të marrëveshjes për të parë pastaj kohën me të mirë për t’u mbajtur zgjedhjet në krejt Kosovën.

Burime të Express brenda Presidencës kanë thënë se shpallja e zgjedhjeve do të bëhet në koordinim të plotë me zbatimin e marrëveshjes së arritur me Serbinë.

“Posa të sqarohen detajet e marrëveshjes Presidentja do të publikojë vendimin”, ka thënë një zyrtar i Presidencës, pa dashur t’i përmendet emri në gazetë.

Sidoqoftë, Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka thënë se janë duke u koordinuar me Presidenten dhe partitë politike për të shkuar në zgjedhje lokale në gjithë Kosovën.

RCCOLA

“Besoj se në muajin tetor duhet të ndodhë kjo. Por, mbetet në koordinim të partive politike dhe një vendimi të Presidentes së Republikës”, ka thënë Kuçi, gjatë raportimit në Komisionin për Legjislacion.

Ai ka pranuar se marrëveshje me Serbinë është duke e shtyrë caktimin e datës së zgjedhjeve.

“Jemi pajtuar që zgjedhjet lokale të mbahen në gjithë territorin e Republikës së Kosovës dhe kjo besoj se bashkë me vendimin e Presidentes së Republikës. Për këtë nuk e kemi caktuar ende datën, kemi dashur t’i japim autoritetin kushtetues. Jemi pajtuar ta kemi një lehtësim nga misioni i OSBE’së, por sipas ligjeve të Kosovës”, ka shtuar ai.

Burime tjera i kanë thënë Express se datat që kanë qenë të paraparë për mbajtjen e zgjedhjeve – 22 dhe 29 shtator – tash janë 6 dhe 13 tetor.

“Edhe balotazhi do të mbahet gjatë muajit tetor dhe nuk është ndonjë problem as për shumicën e partive politike”, ka thënë ai.