UBT

Zgjedhjet e reja rrezikojnë të manipulohen dhe të mos pranohen

/ 9 minuta lexim
ARKATANA

Publicisti Adriatik Kelmendi, duke e komentuar vazhdimin e sagës për formimin e institucioneve të reja të Kosovës, ka theksuar se do të duhej “të ishe një Nostradamus” për t’iu përgjigjur saktë një pyetjeje se kush,përfundimisht, do ta ndërtojë Qeverinë e Kosovës. Mirëpo sipas tij, “ne mund të flasim nisur me premisat në të cilat qëndrojnë subjektet politike në momentum”.

Kelmendi ka thënë për Telegrafin se duke e vlerësuar barrikadimin e subjekteve politike, PDK-së në njërën anë, dhe LAN-it e LVV-së në anën tjetër, si dhe duke pasur tashmë dy aktgjykime të Gjykatës Kushtetuese lidhur me proceset, del sipas tij, se nuk mund të arrihet shumë në qoftë se nuk do të ketë vullnet nga të gjitha palët për pak kompromis nga pozicionimet aktuale.

“Opsionet që janë tash në tryezë duket se janë vetëm dy: zgjidhje, ose zgjedhje. Kosovës fare nuk i konvenon tash që të shkohet në zgjedhje të reja dhe kjo jo vetëm për koston financiare që ngërthen në vete një organizim i tillë. Është e vështire të pritet që pas gjithë këtij polarizimi politik, ku komunikimi i përgjithshëm politik ka rënë në nivelet më të ulëta që i kemi parë në këto 15 vjet, ku gjithkush dëshiron ta përbaltë gjithkënd që nuk mendon si ai, ku të gjithë kërkojnë të mbajnë pushtet, ose të marrin pushtet me çdo kusht, vështirë se do të prodhojë proces zgjedhor cilësor”, ka thënë ai për Telegrafin.

Autori i Rubikonit ka shtruar edhe një dilemë në rast se kemi përsëritje të zgjedhjeve, e ajo është që zgjedhjet do të mund edhe të mos pranoheshin dhe të manipuloheshin nga ana e partive politike.

“Mbase me këtë degjenerim, që po e shohim të na ndodhë, lehtë mund të presim edhe vjedhje të zgjedhjeve, si dhe mospranim të tyre nga ata që do të humbin”, ka theksuar Kelmendi.

Ai madje thekson se nuk e di se sa do t’i bënte nder kjo situatë Kosovës, shtetit që sipas tij, ka nevojë shumë për imazh pozitiv, gjashtë vjet pas pavarësimit dhe ende me shumë armiq të cilët nuk ia duan të mirën.

“Së këndejmi, liderët politikë, duhet ta kuptojnë se megjithatë duhet të bisedojnë mes vete dhe të gjejnë një zgjidhje kompromisi që do t’i shmangte zgjedhjet, dhe që do t’i formonte institucionet”, ka thënë Kelmendi, duke ngritur pyetjen se “a janë të gatshëm ata (liderët e partive politike) që ta mbajnë një shtet peng, vetëm duke u thirrur në faktin që kanë dalë të parët në zgjedhje, gjegjësisht se kanë shumicën”.

“PDK-ja e di se ka shumë shembuj nga shumë shtete kur partia e parë në zgjedhje nuk ia ka dalë t’i sigurojë votat për formim institucionesh dhe kanë zgjedhur të lëshojnë udhë, në të mirë të vendit. Si dhe LAN-i duhet ta kuptojë se në qoftë se nuk duam që të kalojmë në anarki, rrugë tjetër përveç respektimit të vendimeve të institucioneve të pavarura (pavarësisht dyshimeve të tyre në rregullsi) nuk mund të ketë në një demokraci”, ka theksuar Kelmendi për Telegrafin.

Mirëpo, sipas tij, klasa politike në vend të fajësimit të Gjykatës Kushtetuese, me ose pa të drejtë, do të duhet të shikojnë se cilat janë opsionet që do t’i bëjnë sërish fitues, duke shtuar se “nëse mendojnë se do të mund të shkojnë sërish në Kuvend, dhe pas dështimit të PDK-së, ata do ta kenë radhën për ta votuar kryekuvendarin, atëherë i bie se në fakt GJK-ja paska dhënë një aktgjykim shumë të favorshëm për LAN-in dhe jo për të”.

“Pasi që, nëse aktgjykimi lë të hapur mundësinë që herën e dytë ta propozojë kandidatin grupi i dytë më i madh parlamentar, kjo i bie se e ka ditur se PDK-ja i ka vetëm 37 vota dhe s’mund ta ketë kryeparlamentarin, kurse LAN me të tjerët i kanë votat dhe do ta votojnë Isa Mustafën. Atëherë, pra, mund të kuptohet se Gjykata ia paska punuar prapa shpinës PDK-së dhe i paska ndihmuar LAN-it. Mirëpo, kam përshtypjen se aktgjykimi nuk e ka lënë mundësinë që pas dështimit të grupit të parë parlamentar ta ketë këtë të drejtë dikush tjetër, meqë atëherë nuk do të ishte shpallur antikushtetuese zgjedhja e Mustafës edhe herën e parë, apo jo”, ka shtuar ai.

Kelmendi e ka parashtruar pyetjen se a kemi kohë që të shkojmë sërish në kërkim të interpretimit në Gjykatë Kushtetuese dhe kujt i duhet kjo.

FIDANISHTJA

Sipas tij, “atëherë, më mirë të kuptohet se askush s’mund të jetë fitues i vetëm në këtë situatë. P.sh. mund të merren vesh që PDK ta propozojë kryetarin e Kuvendit, kurse LAN, ndoshta edhe LVV, ta formojnë qeverinë, dhe të ketë zgjedhje të reja pas dy vjetësh”.

“Natyrisht se do të mund të ishte e mundshme vetëm nëse Mustafa, Haradinaj dhe Limaj do të jenë të gatshëm që edhe një herë të negociojnë marrëveshjen e tyre të brendshme, kur do të duhej rishqyrtuar edhe ndarja e posteve qeveritare, për shkak se ky është kulaçi i vetëm që po mbetet për t’u ndarë, në qoftë se nuk duam që të shkojmë në zgjedhje tash. Kurse, pas dy vjetësh ka mundësi që edhe skena politike të ndahet në dy blloqe dhe të formojë institucionet blloku që merr shumicën në zgjedhje. Në të kundërtën, situata po bëhet bukur patetike”, ka theksuar Kelmendi.

Ndërsa, në pyetjen se kujt i ka konvenuar me se tepërmi situata e krijuar- mos konstituimi i legjislativit kosovar dhe mungesa e Qeverise se re, autori i Rubikonit ka thënë se ka shumë palë që janë të interesuara që kjo bllokadë të zgjasë sa më shumë që të jetë e mundur.

“Ka shumë të interesuar edhe që shteti i Kosovës të dështojë. Ka edhe të atillë që gjithnjë kanë avokuar se shqiptarët nuk janë të denjë për shtet dhe presin secilin moment të mundur për të na përshkruar me tone negative. Situata kur shqiptarët ndërmjet vete luftohen egërsisht, kurse harrojnë gjithçka tjetër, nuk i bie asnjë të mirë Kosovës. Fituesit më të mëdhenj këtu janë Serbia, bizneset e lidhura me partitë politike, nëntoka etj. Për këtë po e them se është momenti që liderët tanë të fillojnë t’ia bëjnë këtë pyetje vetvetes dhe ta kuptojnë se megjithatë përfundimisht ka filluar t’i dalë në sipërfaqe synimi që thuaja gjithçka të sakrifikojnë vetëm për të mbajtur ose ardhur pikërisht ata vetë në pushtet”,ka shtuar ai.

Kelmendi i shqetësuar ka theksuar se asnjëra nga partitë nuk po merret me veriun, asnjëra nuk e bëri të madhe vrasjen e shqiptarëve në kufi me Serbinë, dhe askush sipas tij, nuk po interesohet për dialogun.

E kjo për të po ndodh për “vetëm për të mos ‘u prishur’ me Listën ‘Srpska’, e cila është dorë e zgjatur kryeministrit serb Aleksandar Vuciq, në votat e së cilës presin që të ulen poste udhëheqëse liderët e partive politike shqiptare. Përse nuk e dëgjuam as Thaçin, as Mustafën, as Kurtin, as Haradinajn e as Limajn të thonë se nuk e duan Listën ‘Srpska’ në koalicion, nëse kjo nuk pajtohet, ose nuk nënshkruan kushtet dhe programin e partive shqiptare”.

“Sa do t’i hakmerret kjo Kosovës, gjithë ky fuqizim i Listës ‘Srpska’, e cila tashmë e ka rritur pazarin aq shumë sa që po ndjehet komode të kërkojë edhe ndalje privatizimi/koncesionimi në komunat me shumicë serbe e edhe për Trepçën e Brezovicën, kthimin e pronës së Kishës Ortodokse serbe, formimin e asociacionit të komunave serbe etj. Çka do të kërkojë tutje nëse sillen kështu liderët politikë shqiptarë – ta revidojnë edhe shpalljen e pavarësisë. Pastaj, kjo kohë e humbur, siç po e shohim, po shërben që pushteti në ikje, si akshampazar, t’i rehatojë militantët e tyre nëpër poste të rëndësishme, të shpërblejë anëtarësinë e vet me leje për biznese fitimprurëse si Terminalet doganore ose edhe shumë të tjera që mund të mos i dimë, por të cilat do të vazhdojnë sigurisht”, ka thënë Kelmendi.

Sipas tij, vonesat në krijim të institucioneve të reja vetëm sa do t’i thellojnë këto të këqija, në kurriz të qytetarëve në përgjithësi, e sidomos në kurriz të shqiptarëve të Kosovës.

Ndërsa i pyetur se a pret që PDK-ja të dorëzohet për ballë LAN-it, Kelmendi ka theksuar se “nuk po flasim këtu për ‘fitore të mëdha’, ose për ‘dorëzime kapitulluese’. Sipas tij, “po flasim për realitete politike”.

“Realitet politik është se PDK-ja s’po ka aleatë dhe s’do të mund t’i krijojë institucionet. LAN e LVV, nëse mbesin bashkë, i kanë numrat, por s’po munden ta zgjedhin legalisht kryetarin e Kuvendit nëse më parë për këtë nuk janë marrë vesh edhe me PDK-në. Kështu që nëse nuk duam ta çojmë vendin drejt zgjedhjeve të reja, duke e vazhduar me degradimin shtetëror e shoqëror për të cilin fola më herët, atëherë duhet të gjejnë zgjidhje konsensuale, për hir të qytetarëve, të cilët kanë filluar të lodhen dhe të irritohen shumë”, ka konstatuar Kelmendi./Telegrafi/