Eko Higjiena

Zgjedhjet e parakohshme në kohë të jashtëzakonshme

/ 5 minuta lexim

Nga Nexhmedin Saqipi – Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë, të cilat po mbahen sot, më 14 shkurt, s’ka se si të mos cilësohen ndryshme pos si jo të nevojshme, jo të dobishme, madje edhe të dëmshme.

Është vështirë, që të gjendet një periudhë kur zgjedhjet parlamentare në Kosovë, të kenë zgjatur, po aq sa zgjat mandati katërvjeçar, por përkundrazi ato kanë përfunduar shpejt, për të organizuar të rejat, të jashtëzakonshme, të cilat mjerisht kanë një kosto të lartë dhe të paarsyetueshme.

Mospajtimet e rivalëve politikë, bllokimi i punës së Parlamentit republikan, ngërçi politik dhe kolapsi politik, që vinin si rezultat i mosfunksionimit të koalicioneve qeverisëse, e kanë sjell Kosovën para një situate të vështirë, të sikletshme dhe e një imazh të keq para ndërkombëtarëve.

Parlamenti i Kosovës, në vend se të ishte stabil, efikas dhe përgjegjës, ai, mjerisht, kthehej në një cirk, nga disa grupe deputetësh, të cilët të shantazhuar nga qarqe të ndryshme, përdornin të gjitha mjetet: gazin lotsjellës, hedhjen e shisheve të ujit dhe fishkëllimat e pipëzave të ndryshme, duke degraduar punën e institucionit më të lartë në nivel republike.

Pozita dhe opozita kosovare, gjatë gjithë këtyre zgjedhjeve, pra edhe këtyre që po zhvillohen tani, nuk kanë udhëhequr politikë pragmatike, por populiste, folkloriste, si dhe jo produktive.

Paraja publike

Miliona euro vetëm brenda gjysmë viti, po avullohen duke shpenzuar për zgjedhje, epilogu i të cilave nuk po dihet. Duke përcjell zgjedhjet e mëhershme, nuk e kemi vështirë të konkludojmë, se dhe këto që po zhvillohen, nuk do të kenë zgjasin në mandatin katërvjeçar.

Përvoja e hidhur e së kaluarës na kujton dhe na mëson, se klasës politike kosovare, i mungon një qasje serioze ndaj zgjedhjeve, procesit të rëndësishëm shoqëror dhe mungesa e një kulture politike, parimore e konceptuale, e kanë delvalvuar rolin dhe rëndësinë që kanë zgjedhjet.

Gjithkund në botë zgjedhjet priten me gëzim, vetëm te në ato priten me trishtim. Në vend se ato të zhvillohen të qeta, të drejta dhe fer, ato manipulohen, duke u keqpërdorur vota si çelës i ndryshimeve, me vjedhje dhe shitje të saj.

Me paratë e harxhuara gjatë procese zgjedhore, me siguri se do të ishin ngritur fabrika punësimi për të rinjtë dhe kategoritë e tjera të rrezikuara ekzistencialisht. Me këto veprime të klasës së papërgjegjshme politike po provokohen vullneti politik i popullit, i cili gjithmonë ka treguar një pjekuri politike lidhur me procesin zgjedhor dhe misionin e tij.

Eco Higjiena

Bajraktarizmi

Prirja për të qenë i pari, jo rrallë i ka sprovuar politikanët shqiptarë, të cilët nuk kursejnë asgjë, vetëm e vetëm të ngrihen në krye të vendit, duke mos i përmbushur detyrimet që kanë ndaj besimit të elektoratit.

Bajraktarizmi, si një fenomen i njohur për skenën politike kosovare, po i kushton shtrenjtë shtetit më të ri në botë, duke ngritur disa kulte politikanësh siç është ai i Albin Kurtit, i cili edhe pse garon për shtet, nuk e njeh atë, duke injoruar flamurin e kushtetutën e vendit.

Po të mos kish vuajtur Albini nga bajraktarizmi, liderizmi dhe izma të tjerë, ai do të kishte lënë një burrëri, mos me u pas kandiduar për deputet e as për kryeministër, jo pse kundër tij udhëhiqet padi penale, por se rivalët e tij potencial, nuk gjenden në garën zgjedhore, por në Hagë, me mision për t’i mbrojtur vlerat e luftës çlirimtare.

Mirëpo, e kanmja e korit burrin, thotë urtia popullore dhe me këtë rast krijimi i rrëmujës politike, zhurmës për asgjë, po e delvalvon Kosovën si shtet dhe shqiptarët si komb në përgjithësi.

Vota

Jo më kot thuhet se vota është çelës i ndryshimeve, mirëpo ajo si e tillë nuk mund të qëndroj pa u kapur nga grupe të ndryshme të interes, disa politikanëve hibridë, gilipterë e matrapazë, të cilët përmes besimit të qytetarëve, mundohen të ngrejnë artificialisht famën, kapitalin dhe moralin.

Të gjitha nuk shkojnë bashkë. Qytetari është i zhgënjyer me këto procese dhe se vota e tij nuk shkon në vend të duhet dhe për njerëz meritorë. Derisa të mos vetëdijesohet qytetari, vota e tij ka për t’u keqpërdorur. Nëse sot jepet një votë për një interes, ajo ka për t’ju hakmarrë për shumë mandate, ndaj vota e lirë dhe e ndershme është ajo që sjell ndryshime dhe progres.

Votoni me kokë, nëse nuk u është vrarë truri, nga ta që Kosovën për ditë e shesin për një çmim të lirë, të ulët dhe cink. Vota e lirë nuk ka alternativë, apo jo?!