Zgjedhjet do të prodhonin situatën e njëjtë

“Zgjedhjet e kishin risjellë Kosovën në të njëjtën situate, por atëherë në një gjendje shumë më të rënduar dhe me mundësi të vogla të zgjidhjes. Nënkryetarja e LDK-së Teuta Sahatqija është skeptike për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme si mënyrë e daljes nga kriza politike në vend.
Nënkryetarja e LDK-së ka thënë se mbajtja e tyre do ta sillte rezultatin e njëjtë.

“Në radhe të parë Presidentja nuk ka bazë ligjore për të shpallur zgjedhjet e reja pa u konstituuar dhe pa u votuar në Kuvend. Së dyti, zgjedhjet e kishin risjellë Kosovën në të njëjtën situatë, por atëherë në një gjendje shumë më të rënduar dhe me mundësi të vogla të zgjidhjes. Së treti, mendoj se nuk janë harxhuar të gjitha mundësitë për të gjetur zgjidhje pasi siç e dimë, në Kuvend ekziston shumica parlamentare”, ka thënë Sahatqija.

PDK ia ka fituar zgjedhjet e 8 qershorit por partitë e tjera shqiptarë janë bërë bllok kundër partisë së Thaçit. Disa pengesa ligjore po ua pamundësojnë atyre marrjen e pushtetit. Sipas Sahatqisë, heqja dorë e PDK-së nga këto pengesa procedurale është zgjidhja e krizës politike.

Tribuna: Po bëhen gati 5 muaj nga zgjedhjet e 8 qershorit dhe vendi është futur në një bllokadë institucionale, sa po humb vendi nga kjo bllokadë?

Sahatqija: Mendoj se tashmë janë evidente pengesat që janë duke iu shkaktuar vendit për shkak të mos konstituimit të Kuvendit dhe Qeverisë. Kjo po vërehet në buxhetet e komunave, në mungesën e vendimeve në nivel qendror, në mungesën e pagesave të ndryshme, të planifikimeve. Por dëmi nuk është vetëm në nivel vendi po edhe në nivelin ndërkombëtar. Kredibiliteti i Kosovës i kontestuar nga një numër i shteteve tashmë po lëndohet edhe më tepër me mungesën e pjekurisë politike për formimin e institucioneve. Një numër i delegacioneve të nivelit të lartë kanë anuluar vizitat. Po dëgjojmë nga miqtë tanë ndërkombëtarë, nga ambasadat e akredituara në Kosovë, por edhe nga nivelet qendrore shtetërore thirrje të vazhdueshme për zhbllokim.

Tribuna: PDK në njërën anë dhe Blloku në anën tjetër nuk po lëvizin nga qëndrimet e tyre, kur prisni që njëra palë të lëshojë pe, në mënyrë që t’i hapet rruga formimit të institucioneve?

Sahatqija: Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, gjetjes së zgjidhjes i është ngushtuar shumë hapësira. Nuk dua të hyjë më thellë në interpretimin e këtij vendimi shumë të kontestuar, por është e qartë se zgjidhja duhet të krijohet nga PDK si parti e cila e mbanë çelësin e derës të cilën derë është e pa aftë ta hapë, pasi nuk po mundet ta krijojë shumicën parlamentare. Kosova nuk meriton të mbetet peng i procedurave dhe të dëmtohet në çdo aspekt.
Prandaj, PDK-ja e ka çelësin, ose ta hapë derën ose ta dorëzojë çelësin e derës.

Tribuna: Në takimet e fundit që presidentja ka pasur me liderët e subjekteve politike, ua ka bërë të ditur se nëse liderët nuk gjejnë zgjidhje, atëherë zgjedhjet janë opsion. A janë zgjedhjet e jashtëzakonshme opsion për LDK-në dhe Bllokun?

Sahatqija: Në radhe të parë presidentja nuk ka bazë ligjore për të shpallur zgjedhjet e reja pa u konstituuar dhe pa u votuar në Kuvend. Së dyti, zgjedhjet e kishin risjellë Kosovën në të njëjtën situatë, por atëherë në një gjendje shumë më të rënduar dhe me mundësi të vogla të zgjidhjes. Së treti, mendoj se nuk janë harxhuar të gjitha mundësitë për të gjetur zgjidhje, pasi siç e dimë, në Kuvend ekziston shumica parlamentare, të cilën po e pengon çështja procedurale të krijojë institucione. Prandaj, jo, zgjedhjet nuk janë opsion.

Tribuna: Marrëveshja e 9 qershorit në mes të LAN-it nuk po gjen zbatim deri tani në praktikë. A mendoni se duhet të rishikohet kjo marrëveshje?

Sahatqija: Nuk është problemi të marrëveshja në mes të partnerëve të LAN+VV, por te pengesat procedurale të cilat PDK po i shfrytëzon për të ndaluar krijimin e institucioneve. Ajo që duhet të bëhet është që secila palë të marrë përgjegjësinë dhe të japë maksimumin për zhbllokimin e situatës, sepse tashmë dëmet janë të mëdha nga moskrijimi i institucioneve.

Tribuna: A do t’i drejtohet LAN-i, Gjykatës Kushtetuese për pikën 127 dhe kur prisni të formohen institucionet?

Sahatqija: Gjykata Kushtetuese përmes vendimit ka ngushtuar hapësirën e zgjidhjes. Ajo po të ishte e interesuar do të linte një derë dalëse dhe nuk do të bllokonte zgjidhjen përmes dhënies së të drejtës ekskluzive një partie që nuk po mundet ta krijojë shumicën e në të njëjtën kohë nuk po e mundëson daljen nga kjo situatë. Ne kemi kërkuar nga presidentja si faktor unifikues të bëjë kërkesën për interpretim, duke pas parasysh se ajo edhe kur nuk i është kërkuar një gjë e tillë i është drejtuar gjykatës. Presidentja po vazhdon te mos veprojë, nuk po jep kontribut për zgjidhje e cila do të kishte mundësi të bëhej përmes drejtimit edhe njëherë kësaj gjykate. Nuk mund të gjendet zgjidhja duke pirë kafe te presidentja, por duke kërkuar sinqerisht zgjidhje përmes veprimeve tjera, përveç pirjes së kafeve.

Tribuna: Tashmë po bëhen gati 4 vjet që kur Isa Mustafa, ishte zgjedhur kryetar i LDK-së. A ka filluar procesi elektoral brenda kësaj partie dhe kush do të jete kryetar i ri i LDK-së?

Sahatqija: Procesi zgjedhor në LDK ka filluar së pari në degën e Prizrenit dhe do të vazhdojë edhe në degët tjera pa ndonjë problem përmes vendimit të Këshillit të Përgjithshëm. Ndërsa në pyetjen se kush do të jetë kryetar i LDK-së mund të përgjigjem shumë lehtë. Personi i cili do ta ketë besimin dhe votat e Kuvendit zgjedhor të LDK-së./Tribuna/

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS