Fundamenti

Zgjedhje, s’ka alternativë

/ 5 minuta lexim
ARKATANA

Nga Milaim Shefkiu – Takimi i thirrur nga presidentja Atifete Jahjaga, për t’ua parë surratin të gjithë atyre politikanëve që e kanë sjellë Kosovën në një gjendje amullie, ishte i domosdoshëm për të rishfaqë botërisht armiqësinë ekstreme të palëve në Kosovë.

Shkuarja e Ramush Haradinajt në këtë takim, pavarësisht shumë dilemave, ishte vendim i duhur për t’i bindur edhe bashkësinë ndërkombëtare, se në spektrin politik kosovar ka aq shumë urrejtje, sa që ekuacioni është shumë i vështirë për t’u zgjidhur.

Ajo që doli nga tryeza e Jahjagës, ishin disa deklarata të përsëritura nga liderët politikë, sikur ato refrenet e vjershave monotone pa kurrfarë kompozicioni.

Kryeministri Isa Mustafa dhe zëvendësi i tij, Hashim Thaçi, e ritheksuan atë sintagmën politike se “Kosova po ecën sipas agjendës së paraparë, ndërsa opozita të heqë dorë nga vrasja e policëve, molotovi e gazi lotsjellës”.

Opozita në anën tjetër, e përsërit të njëjtën deklaratë: se Qeveria nuk ka legjitimitet, ka shkelur Kushtetutën dhe këtë “pisllëk” e lajnë vetëm zgjedhjet e parakohshme.

Pra të dy palët nuk lëvizin asnjë milimetër nga qëndrimet e veta, ndërsa presidentja përveç që ka arritur pjesërisht t’i bashkojë në një tryezë, nuk ka marrë mundin ta propozojë një zgjidhje, ose të paktën të jepen konkluzione rreth zbërthimit të enigmës “ezopiane”.

Edhe bashkësia ndërkombëtare po sillet si spektator, që shikon ndeshjen dhe aplaudon për njërën palë, në këtë rast për Qeverinë dhe koalicionin.
Por, shikuar nga një prizëm tjetër, takimi i liderëve nuk çon në asnjë rrugë tjetër përveç asaj të zgjedhjeve të parakohshme. Madje, shkuarja në zgjedhje do të ishte propozimi më real i presidentes Atifete Jahjaga në takimin e së hënës. Në rastin e Kosovës, ndoshta varianti më i pranueshëm është ai i Maqedonisë, ose siç njihet marrëveshja e Përzhinos.

Dikush do të thoshte se kjo marrëveshje nuk po jep rezultate konkrete në Maqedoni, e pse do të ishte e mirë në rastin e Kosovës?

ARKATANA

Në Maqedoni, marrëveshja e Përzhinos u arrit në qershor të vitit të kaluar, ndërmjet katër partive politike, dy maqedonase dhe dy shqiptare me ndërmjetësim të BE-së. Deri te marrëveshja erdhi pasi qeveria e humbi legjitimitetin me fushatën e përgjimeve dhe skandalet për korrupsion të ish-kryeministrit Nikolla Gruevski. Marrëveshja u arrit në qershor, ndërsa zgjedhjet u parashikuan në prill 2016, pas dhjetë muajve.

Edhe në rastin e Kosovës, një marrëveshje e tillë do të ishte e domosdoshme edhe për Qeverinë e cila ka shkelur Kushtetutën me rastin e marrëveshjeve me Serbinë, respektivisht me Malin e Zi, dhe për opozitën që ka bllokuar për gjashtë muaj Kuvendin e Kosovës, e bashkë me të, të gjitha proceset demokratike.

Marrëveshja duhet të arrihet sa më shpejt dhe vendi të shkojë në zgjedhje më së largu deri në nëntor apo dhjetor të këtij viti. Deri atëherë Kuvendit t’i kthehet normaliteti dhe të ecet përpara me agjendën legjislative dhe me proceset integruese. Çdo vonesë është jokonstruktive, jodemokratike dhe me pasoja për qytetarët. Fundi i fundit, shumica e qytetarëve të Kosovës nuk e meritojnë të mbesin peng i një klase politike me ambicie patetike, për ardhje respektivisht mbetje në pushtet.

Shkuarja në zgjedhje të parakohshme do të ishte e shëndetshme (siç po thonë disa politikanë) edhe për koalicionin, për të rikonfirmuar legjitimitetin qytetar. Por, do të jetë peshorja më fleksibile edhe për opozitën e cila po shtiret se po “digjet” për komb e atdhe, që të marrë pushtetin me “kokrra”.

Në një proces të ri zgjedhor, le të maten të dy palët, koalicioni që sipas Hashim Thaçi i ka 500 mijë votues, por edhe opozita që po garanton për 200 mijë gardianë që janë të gatshëm ta mbrojnë Republikën. Këta 200 mijë janë ata që, sipas opozitës, e kanë nënshkruar peticionin kundër Asociacionit dhe Demarkacionit.

Por, gjithë kjo mjegull, dhe krejt këto fraza të kota do të zgjidheshin përmes zgjedhjeve të reja. Këtë proces duhet ta mbështesë edhe Ambasada Amerikane, por edhe diplomatët tjerë ndërkombëtarë të akredituar në Kosovë.

Fjalët e bukura retorike dhe deklaratat politike nga liderët e dy palëve, janë si ato ushtimat e çifteve që shkrepen në qiell-kot. Ndryshe kriza vazhdon deri te ndonjë marrëzi, që do të ishte me pasoja për Republikën dhe qytetarët e saj.