Zgjedhja nga populli, e vështirë

Zgjedhja e presidentit nga populli do të ishte zgjidhja më e mirë për demokracinë e brishtë kosovare, por mundësia që kjo të ndodhë shpejt konsiderohet e pamundur nga subjektet politike dhe analistët kosovarë. Për zgjedhjen e drejtpërdrejtë të presidentit duhet të ndryshohet Kushtetuta e Kosovës
Zgjedhja e Atifete Jahjagës në postin e presidentes në vitin 2011, kishte shtyrë liderët e partive politike që me një marrëveshje ta reformojnë Ligjin për Zgjedhjet dhe ta ndryshojnë Kushtetutën, në mënyrë që presidenti i Kosovës të zgjidhet me vota të drejtpërdrejta nga qytetarët.
Por, pavarësisht kësaj, liderët e partive politike asnjëherë nuk treguan vullnet që të ndërrohet Kushtetuta dhe kreun e shtetit ta zgjedhin qytetarët me votën e tyre, e jo përmes pazareve politike.
Më 22 prill të vitit 2011 ishin krijuar Komisioni për amendamentimin e Kushtetutës së Kosovës dhe Komisioni për amendamentimin e Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme në Kosovë, e që do të duhej të përfundonin punën brenda periudhës nëntëmujore.
Por, subjektet politike në atë kohë, nuk kishin treguar vullnet që zgjedhjen e presidentit t’ia linin votës së drejtpërdrejtë të qytetarëve.
Këtë e thotë edhe ish-anëtari i Komisioni për amendamentimin e Kushtetutës nga radhët e PDK-së, Halit Krasniqi, sipas të cilit, PDK-ja ka pasur një qëndrim shumë liberal dhe ka qenë shumë tolerante në qëndrimet e saj karshi kësaj çështjeje, duke ua lënë partive të përfaqësuara në komision bashkë me shoqërinë civile ta gjejnë një konsensus dhe PDK-ja do ta përkrahte.
“Ka qenë në diskutim edhe ndryshimi i Kushtetutës për zgjedhjen e presidentit, por nuk ka pasur vullnet nga subjektet politike që ta trajtojnë dhe ta shtyjnë përpara. Asnjë subjekt parlamentar nuk është identifikuar që ka vullnet që ta zgjedhim drejtpërdrejt presidentin me votën e popullit”, ka thënë Krasniqi, duke shtuar se atij nuk i kujtohet asnjëherë që një subjekt ka këmbëngulur dhe nuk ka dalë me qëndrim të prerë që dëshiron që presidenti të zgjidhet nga populli./zeri/