Zgjedhja e presidentit ruan stabilitetin e vendit

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Arsim Bajrami, është shprehur i bindur se lideri i kësaj partie, Hashim Thaçi, do të zgjedhet president i Kosovës. Ai ka thënë se Kosova nuk ka kandidat më të denjë dhe më të besueshëm se Thaçin për president.
Në këtë intervistë për “Epokën e re”, Bajrami ka vlerësuar se zgjedhja e kreut të PDK-së në postin e shefit të shtetit do ta fuqizojë Republikën dhe këtë post. “Për momentin vendi nuk ka kandidat më të denjë dhe kandidat më të besueshëm për postin e presidentit të Republikës së Kosovës. Zgjedhja e tij president do ta fuqizojë Republikën, do ta fuqizojë institucionin e presidentit dhe do të ndihmojë që të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës të jenë plotësisht në funksion të agjendave kombëtare”, ka thënë Bajrami.
Ai ka thënë se përvoja e madhe politike e Thaçit do ta shndërronte atë në një unifikues të të gjithë popullit të Kosovës. “Ai është një lider i pjekur në sfida të ndryshme dhe ai premton se do të mund të shndërrohet në një udhëheqës të mirë të Republikës së Kosovës, në një përfaqësues të denjë të republikës, në një ndërtues të mirë të unitetit kombëtar. Me përvojën dhe bagazhin politik që e ka ndërtuar në çaste historike, ai do të mund ta luajë rolin unifikues, duke krijuar një unitet qytetar, unitet kombëtar dhe një unitet me komunitetet që jetojnë në Kosovë, si dhe ta udhëheqë Kosovën drejt integrimeve euroatlantike”, është shprehur Bajrami.
Ai ka bërë me dije se koalicioni qeverisës nuk do t’i ketë problem numrat për zgjedhjen e presidentit. “Partnerët e koalicionit janë zotuar se do ta plotësojnë plotësisht marrëveshjen e koalicionit dhe se zgjedhja e presidentit është një element kyç i kësaj marrëveshje. Mendoj se ekziston një vetëdijesim i partnerëve të koalicionit, se zgjedhja e presidentit është një test i qëndrueshmërisë së koalicionit, por është edhe një mundësi për ta ruajtur stabilitetin e vendit, pra për ta ruajtur stabilitetin institucional”, ka thënë Bajrami. Ai ka shtuar se shkuarja e Thaçit në Presidencë do të jetë një sfidë për PDK-në. “Një sfidë që ta vazhdojmë rrugën e sukseseve të z. Thaçi. Besoj se ky tranzicion do të jetë jashtëzakonisht demokratik”, është shprehur Bajrami.