Fundamenti

Zeqirja Rexhepi, piktori i përmasave ndërkombëtare, tregoi nivel artistik e profesional, me ekspozitën e tij “Retrospektivë”

/ 9 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Piktori me përmasa ndërkombëtare Zeqirja Rexhepi të martën në mbrëmje para shumë artdashësve shpalosi krijimtarinë e tij të pasur dhe me shumë vlera artistike e profesionale, përmes ekspozitës që e titulloi “Retrospektivë”.Zeqirja Rexhepi nga Gjilani tregoi se fuqia e tij, talenti, dhuntia mbi artin e tejkalon çdo kufij dhe barrierë. Me shumë sakrifica, ai arriti t`ua demonstrojë Gjilanit e Kosovës një vlerë, sa të çmuar e artistike, aq edhe domethënese sepse arriti të mbledhë qindra krijues nga mbarë trevat shqiptare. Ekspozita e tij ishte ndër më të mirat dhe më masivet nga këto 25 vitet e fundit.

Ekspozita “Retrospektivë” sjell një rrugëtim të thellë artistik përmes pikturave, vizatimeve dhe veprave të krijuara ndër vite, një udhëtim shpirtëror e estetik që kapërcen kohën dhe distancat.

Vargu i krijuesve, artistëve, aktorëve dhe të tjerëve të interesuar për ta përcjellur ekspozitën e piktorit tashmë të njohur edhe ndërkombëtarisht, Zeqirja Rexhepi ishte i madh.

Të gjithë donin ta shijonin live atmosferën e mirë dhe plotë profesionalizëm që ka krijuar me dekada Zeqirja Rexhepi gjilanas, por që ka emigruar në kohën e luftës në Kanada.

Për Zeqirja Rexhepin është e lehtë të shkruhet për rrëfimet e tij jetësore sepse ka lënë shumë trashëgimi e pasuri, që ka vlera e cilësi të mëdha në disa rrafshe.

Por fusha e tij profesionale dhe arti i tij kërkon saktësi e vlerësime profesionale.

Ekspozita e tij tashmë u vlerësua si ndër më masivet në 25 vitet e fundit sepse mblodhi qindra krijues nga të gjitha trojet shqiptare.

Zeqirja Rexhepi tërë këtë sfidë dhe tërë këtë sakrificë e bëri për ta nderuar vendlindjen, qytetin e tij, Anamoravën e Kosovën sepse në rrafshin ndërkombëtar, ai tashmë ka depërtuar shumë herët dhe njihet për vlerat e tij të çmuara.

Avni Behluli kurator dhe njohës i mirë i kësaj fushe, e ka çmuar dhe lartësuar shumë krijimtarinë e Zeqirja Rexhepit.

“Zeqirja Rexhepi është një maestro i Kosovës, një profesionist që ka dhënë dhe po jep, e rrezaton kudo vlera e profesionalizëm” tha Avni Behluli.

Dom Lush Gjergji gjithashtu i ka dhënë epitete të lartësuara krijuesit nga Gjilani, që nuk diti të ndalet e ndihmojë të gjithë ata krijues, të rinj e të reja, që kërkuan ndihmën e tij.

“Është fat i madh që kemi një njeri, një personalitet dhe një krijues si Zeqirja Rexhepi” tha Gjergji.

Edhe, Leonora Morina Bunjaku e ka përshëndetur hapjen e ekspozitës ndërsa Bujar Nevzati bashkëvendës dhe asambleist komunal tha se “Sot, në këtë ditë të veçantë, kur miku ynë Zeqirja Rexhepi, pas 26 vitesh në mërgim, hap ekspozitën përmbledhëse “Retrospektivë”, ndjej krenari dhe emocion të veçantë si bashkëvendës e mik i tij. Kjo ekspozitë nuk është thjesht një paraqitje veprash artistike, por një udhëtim i thellë shpirtëror e estetik që kapërcen kufijtë e kohës dhe hapësirës.
Nëpërmjet pikturave, vizatimeve dhe veprave të krijuara ndër vite, Zeqa na fton në një rrugëtim që pasqyron jo vetëm zhvillimin e tij si artist, por edhe dhimbjen, dashurinë dhe përkushtimin për vendlindjen, për kulturën, për artin dhe për njerëzit. Gjatë 45 viteve krijimtarie, ai ka dëshmuar se arti i tij është jo vetëm profesion, por edhe mision shpirtëror.

Zeqirja Rexhepi ishte dhe mbetet një artist i vërtetë, valltar me shpirt të lirë, aktivist i palodhshëm dhe mbi të gjitha një njeri i rrallë, i dashur për të gjithë ata që patën fatin ta njohin. Qëndrimi i tij i përulur, energjia e tij pozitive dhe dashuria për njerëzit janë po aq frymëzuese sa edhe veprat që ai krijon.

Në këtë jubile të dyfishtë, 70 vite jetë dhe 45 vite krijimtari, i uroj shëndet, frymëzim të pashtershëm dhe suksese të mëtejme në rrugën e artit tha Bujar Nevzati.

Kurse vet Zeqirja Rexhepi tha se ndihet shumë i lumtur dhe krenar që ekspozita e tij u pritë mirë nga publiku gjilanas.

“Tepër jam i emocionuar dhe krenar sepse mora zemrat e krejt krijuesve dhe të profesionistëve të cilët folën në superlativ për mua dhe punimet” tha Rexhepi.

KKVITI

Ndryshe, piktori me renome ndërkombëtare Zeqirja Rexhepi nga Përlepnica e Gjilanit më mirë se çdo kush tjetër në diasporë, ka ditur ta prezantojë Kosovën dhe vlerat e saja. Zeqa ka bërë shumë për Kosovën duke prezantuar dinjitetshëm në fushën krijuese potencialin e tij profesional, duke fituar edhe çmimin e karrierës i njohur si “Established Artist Recognition Award” nga Arts Nova Scotia. Zeqirja Rexhepi ishte me tërë familjen e tij në shërbim të vlerave afirmative dhe tashmë emri i tij mbetet në themelet e rëndësishme të kulturës dhe diplomacisë kanadeze.

Zeqirja Rexhepi edhe në sot është aktiv dhe punon varësisht nga motivi dhe shija artistike. Është shumë i dhënë pas pikturës dhe mbetet model i krijuesit bashkëkohor.

Piktori tashmë me renome ndërkombëtare ka arritur majat e suksesit në Kanada dhe pret që moshën e pleqërisë ta kalojë në Gjilan.

”E dua Gjilanin dhe dua të jetoj këtu afër miqve të mi të shumtë krijues. Kosova ka vlera evropiane dhe ashtu edhe duhet të sillemi. Unë njoh shumë krijues nëpër botë që janë shqiptarë dhe që kanë bërë shumë për shtetin e Kosovës, por janë të harruar. Duhet të kujdesemi për njerëzit tanë, dhe duhet ta përkrahim trurin shqiptarë” shprehet Rexhepi.

Ndryshe, Zeqirja Rexhepi me të drejtë mund të quhet një maestro në afirmimin e Kosovës në arenën diplomatike. Punën e tij të mrekullueshme, dhe kolosale e shfrytëzojë jo vetëm për vetën, por edhe për ta nderuar popullin e Kosovës dhe vet shtetin e saj.

Zeqirja Rexhepi piktor profesionist, ligjërues universitar, dizajner, skenarist filmash, ka bërë një emër të njohur në tërë Kanadanë e më gjerë. Ishte larguar me dhunë në vitin 1999 nga Përlepnica e Gjilanit. Ishin forcat serbe ato që Zeqirja Rexhepit do ia ndërrojnë tërë kahen e tij jetësore. I shkolluar e i edukuar në Gjilan, Shkup, Prishtinë, e Zvicër, destinacioni i tij i fundit mbetet Kanadaja.

Me Akademinë e arteve të kryer në Prishtinë dhe me specializimin e kryer për dizajn në Sarbona të Zvicrës, Zeqirja Rexhepi nuk e kishte problem integrimin e tij në Halifax të Kanadasë.

Pak kush mund ta marrë me mend se Zeqirja Rexhepi në qytetin ku jeton vazhdon të mbetet një hero i dashur dhe i adhuruar nga komuniteti i atjeshëm, miqtë e shumë artistë e krijues.

Zeqirja Rexhepi në Kosovë mbahet mend si kuadër i parë dhe i rrallë i fabrikës së Tekstilit në Gjilan dhe më vonë edhe vepra e tij e madhe në pikturimin mural në Kishën e Binqës, vepër e përbashkët me Demir Behlulin.

Thotë se në Kanada shumë shpejt është adaptuar, dhe është integruar. Kjo krejt falë punës, talentit dhe përkushtimit të tij për gjuhën e kulturën dhe traditat kanadeze.

Ajo çka e bënë të veçantë Zeqirja Rexhepin është fakti se ai është kërkuar nga të gjitha shtresat në Halifax të Kanadasë. Ka bërë piktura edhe për ushtrinë kanadeze, jep mësim në Galerinë e Arteve dhe në vet qytetin Halifax ku ligjëron teknikën e vajit. Është anëtar i shumë organizatave e shoqatave figurative e filmike. Ka fituar shumë çmime prestigjioze falë punës së tij profesionale. Ka fituar çmimin prestigjioz të mbretëreshës Elizabet ku është nominuar nga vet krijuesit kanadez.

Gjithashtu, Zeqirja Rexhepi ka mbetur në historinë e librave të Kanadasë sepse është autor i disa kopertinave të librave të rëndësishëm universitar. “Nuk kam bërë punë kolosale vetëm për Kanadanë, por edhe për Kosovën. Kosova është ëndrra ime dhe jam përpjekur që në çdo këndë diplomatik ta prezantojë Kosovën, ta avancojë shtetin më të ri” thotë Rexhepi.

Rexhepi e ka ngjallur edhe jetën e komunitetit shqiptarë në Kanada. “E tërë familja ime jemi të kyçur dhe të dhënë pas profesioneve të ndryshme. Kemi arritur që së bashku me fëmijët të japim muzikë të gjallë shqipe në Kanada. Për këto aktivitete dhe programe tonat kanë shkruar shumë gazetat, madje janë 3 kg gazeta që kanë shkruar për punën time. Meqë jam skenarist i 22 filmave për punën time kanë bërë dokumentar disa televizione kanadeze”.

Zeqirja Rexhepi mbetet shembulli më i mirë i një mërgimtari, por kësaj radhe jo i tretur, i humbur e i nëpërkëmbur, por vizionar, patriotë, dhe njeri me ndikim në shtetin ku jeton.

Veprat e tij që ndodhen në shumë mure e kënde më të frekuentuara të Kanadasë, siç janë ato nëpër aeroporte e aviacione ushtarake lënë gjurmët e mira të një shqiptari intelektual e punëtorë.

Ndryshe Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 28 Korrik 2025./rajonipress/