Uji Dea

Zeqirja Rexhepi: Maestro e përfaqësimit diplomatik për Kosovën në botë

/ 6 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Zeqirja Rexhepi piktor me renome ndërkombëtare më mirë se çdo shqiptarë ka ditur që duke kombinuar aftësitë e tija profesionale në murale, piktura gjigante, prezantime filmike, ligjërime profesionale universitare, prezantime pozitive në mediet e TV Kanadeze ta prezantojë, mbrojë, ruajë dhe kultivojë Kosovën. Zeqirja Rexhepi me punën e tij kulmore është shndërruar në një ambasador të Kosovës jo vetëm në Kanada , por edhe më gjerë. Për rajonipress Rexhepi flet për kohën e luftës, largimin me dhunë nga forcat serbe nga Përlepnica e Gjilanit, takimet me artistët kanadez, integrimin në Kanada, shkollimin, punën afirmative e shumë gjëra tjera që lidhen me jetën e tij dhe familjen e tij që përbëhet nga muzicient, aktor, gazetar e piktor.

Të shkruash e të përmbledhësh krijimtarinë e Zeqirja Rexhepit duhet shumë kohë, sepse para vetës do të kesh shumë shkrime e dokumentar që janë bërë për të në Kanada e kudo që ka marrë pjesë si krijues.

Zeqirja Rexhepi me të drejtë mund të quhet një maestro në afirmimin e Kosovës në arenën diplomatike. Punën e tij të mrekullueshme, dhe kolosale e shfrytëzojë jo vetëm për vetën, por edhe për ta nderuar popullin e Kosovës dhe vet shtetin e saj.

Zeqirja Rexhepi piktor profesionist, ligjërues universitar , dizajner, skenarist filmash, ka bërë një emër të njohur në tërë Kanadanë e më gjerë. Ishte larguar me dhunë në vitin 1999 nga Përplepnica e Gjilanit. Ishin forcat serbe ato që Zeqirja Rexhepit do ia ndërrojnë tërë kahen e tij jetësore. I shkolluar e i edukuar në Gjilan, Shkup , Prishtinë, e Zvicër, destinacioni i tij i fundit mbetet Kanadaja.

Me Akademinë e arteve të kryer në Prishtinë dhe me specializimin e kryer për dizajn në Sarbona të Zvicrës , Zeqirja Rexhepi nuk e kishte problem integrimin e tij në Halifax të Kanadasë.

Për rajonipress Rexhepi i cili këto ditë po qëndron në vendlindjen e tij në Përlepnicë shpalos detaje interesante, madje për herë të parë për një medium kosovarë. Pakkush mund ta marrë me mend se Zeqirja Rexhepi në qytetin ku jeton vazhdon të mbetet një hero i dashur dhe i adhuruar nga komuniteti i atjeshëm, miqtë e shumë artistë e krijues.

Zeqirja Rexhepi në Kosovë mbahet mend si kuadër i parë dhe i rrallë i fabrikës së Tekstilit në Gjilan dhe më vonë edhe vepra e tij e madhe në pikturimin mural në Kishën e Binqës, vepër e përbashkët me Demir Behlulin.

Thotë se në Kanada shumë shpejt është adaptuar, dhe është integruar. Kjo krejt falë punës, talentit dhe përkushtimit të tij për gjuhën e kulturën dhe traditat kanadeze. Fillimisht punon si violinist në Ships Company Theatre(1999), pastaj fillon me hapjen personale të ekspozitave në vitet 2000 , 2001, 2005, 2007, 2008 dhe 2009. Të gjitha këto ekspozita i ka hapur në galeritë më të njohura universitare në Kanada.

RCCOLA

Rexhepi tha se është piktor i vetëm me pagesë në Dalhouse University derisa me rastin e 30 vjetorit të Galerisë “Art Center” është përzgjedhur një pikturë e tij nga komisioni profesional.

Ajo çka e bënë të veçantë Zeqirja Rexhepin është fakti se ai është kërkuar nga të gjitha shtresat në Halifax të Kanadasë. Ka bërë piktura edhe për ushtrinë kanadeze, jep mësim në Galerinë e Arteve dhe në vet qytetin Halifax ku ligjëron teknikën e vajit. Është anëtar i shumë organizatave e shoqatave figurative e filmike. Ka fituar shumë çmime prestigjioze falë punës së tij profesionale. Ka fituar çmimin prestigjioz të mbretëreshës Elizabet ku është nominuar nga vet krijuesit kanadez.

Gjithashtu Zeqirja Rexhepi ka mbetur në historinë e librave të Kanadasë sepse është autor i disa kopertinave të librave të rëndësishëm universitar. “Nuk kam bërë punë kolosale vetëm për Kanadanë, por edhe për Kosovën. Kosova është ëndrra ime dhe jam përpjekur që në çdo këndë diplomatik ta prezantojë Kosovën, ta avancojë shtetin më të ri” thotë Rexhepi.

Rexhepi e ka ngjallur edhe jetën e komunitetit shqiptarë në Kanada. “E tërë familja ime jemi të kyçur dhe të dhënë pas profesioneve të ndryshme. Kemi arritur që së bashku me fëmijët të japim muzikë të gjallë shqipe në Kanada. Për këto aktivitete dhe programe tonat kanë shkruar shumë gazetat, madje janë 3 kg gazeta që kanë shkruar për punën time. Meqë jam skenarist i 22 filmave për punën time kanë bërë dokumentar disa televizione kanadeze. Tani së fundit jam i nominuar për titullin “Urdhri i Kanadasë” një titull që më nderon mua dhe Kosovën “ shprehet Rexhepi.

Tani kur ndodhet në Gjilan flet pak edhe për krijuesit kosovarë. “Unë kënaqem kur rri me kolegët dhe flasim për hallet e përbashkëta. Më vije keq që ende krijuesi kosovar s`ka tretman, s`ka kushte. Unë derisa takojë ambasador, njerëz të nivelit të lartë diplomatik kudo në Kanada, këtu ende s`jam takuar me askënd. Nuk e di pse, s`jam tip imponues” shprehet Rexhepi.

Rexhepi ka një familje të tërë artistësh. Tringa Rexhepi është një këngëtare e mrekullueshme që po mahnit me zërin e saj, kurse Arta Rexhepi është gazetare e talentuar që shpejt mund të bëhet e famshme.

Zeqirja Rexhepi mbetet shembulli më i mirë i një mërgimtari, por kësaj radhe jo i tretur, i humbur e i nëpërkëmbur, por vizionar, patriotë, dhe njeri me ndikim në shtetin ku jeton.

Veprat e tij që ndodhen në shumë mure e kënde më të frekuentuara të Kanadasë, siç janë ato nëpër aeroporte e aviacione ushtarake lënë gjurmët e mira të një shqiptari intelektual e punëtorë./rajonipress/