Eko Higjiena

Zeqirja Rexhepi ka një porosi: Artistët nuk guxojnë të dorëzohen, popullata duhet të vaksinohet

/ 9 minuta lexim
Fundamenti

Gjilan – Zeqirja Rexhepi piktor me famë botërore këto ditë po qëndron në vendlindjen e tij dhe nuk heziton të ndajë mendimin e tij për kurajën që kanë qytetarët e Gjilanit dhe Kosovës për ta përballuar pandeminë. Zeqa thotë se artistët e të gjitha fushave nuk po dorëzohen as në këto kushte e rrethana. Jam i impresionuar me vullnetin dhe motivin e tyre u shpreh ai.

Zeqirja Rexhepi është piktor që ka tejkaluar kufijtë e Kosovës dhe ka arritur të jetë i pranishëm në çdo cep të Kanadasë ku jeton dhe vepron aktualisht.

këto ditë ai po qëndron në Gjilan dhe thotë se ka vizituar dhe takuar shumë krijues, artistë të mirëfilltë dhe miq e shok me të cilët ka punuar gjatë. “jam shumë i impresionuar me motivin dhe vullnetin e madh që po tregojnë artistët dhe krijuesit e të gjitha zhanreve. Ata nuk po dorëzohen as në këto kushte dhe rrethana dhe këshilla ime është që artistët as që guxojnë të dorëzohen. Mos u dorëzoni para asnjë sfide, punoni e veproni edhe në këto rrethana sepse koha ikën” ishte porosia e Zeqirja Rexhepit.

Piktori Zeqirja tha se shteti i Kosovës duhet ti përkrahë artistët qoftë me projekte ose me forma tjera konkrete. “Unë vije me shumë gëzim e dashuri në Kosovën time, në vendlindjen time dhe për aq ditë sa qëndrojë në Kosovë vizitojë shumicën e të afërmve të mi, pastaj komunitetin e artistëve. U ndjeva i pikëlluar me vdekjen e Muharrem Sylejmanit, më herët të Raif Hazirit. Vërtet është e rëndë humbja e atyre njerëzve që kanë punuar dhe vendosur themele të kulturës e jetës artistike në teatrin e Gjilanit” u shpreh Zeqirja Rexhepi.

Zeqirja Rexhepi shpreson shumë që arti në përgjithësi në Kosovë e Gjilan do të avancojë nivelin e saj profesional e artistik. “Kam takuar krijues të rinj që vërtet do të jenë shtylla e ardhshme e jetës artistike në Kosovë, kam takuar talent me perspektivë krijuese dhe kjo dëshmon se Kosova po ecë në rrugën e duhur. Vetëm se duhet institucionet të punojnë shumë dhe të përkrahin këtë kategori” tha Rexhepi.

Piktori ka një porosi për popullatën në Kosovë.”Merrni vaksinat dhe mos hezitoni sepse gjithçka është në dobi të juajën dhe shëndetit tuaj”.

Ndryshe, piktori me famë ndërkombëtare Zeqirja Rexhepi nga Përlepnica e Gjilanit me punën e tij prej një profesionisti të madh dhe me kontributin e tij që ka dhënë për 25 vite të qëndrimit të tij në Kanada është shembulli më i mirë se si shqiptarët me punën e tyre arrijnë të bëhen të respektuar, të dashur e të avancuar në të gjitha fushat e shtetit ku jetojnë.

Padyshim që Zeqirja Rexhepi si piktor me renome ndërkombëtare më mirë se çdo shqiptarë ka ditur që duke kombinuar aftësitë e tija profesionale në murale, piktura gjigante, prezantime filmike, ligjërime profesionale universitare, prezantime pozitive në mediet e TV Kanadeze ta prezantojë, mbrojë, ruajë dhe kultivojë Kosovën. Zeqirja Rexhepi me punën e tij kulmore është shndërruar në një ambasador të Kosovës jo vetëm në Kanada, por edhe më gjerë.

Rexhepi thotë se gjatë këtyre viteve ka ekspozuar në Kanadë në disa ekspozita personale në Nova Scotia dhe gjetiu ku është pritur mirë nga publiku artëdashës i atjeshëm dhe ka mbajtur edhe ekspozita kolektive në janar 2017.

Zeqirja Rexhepi krahas pikturës dhe afirmimit të vlerave shqiptare në Kanada merret dhe me organizimin e diasporës dhe ndihmon e kontribuon në të gjitha aktivitetet që organizon diaspora.

Kush është Zeqirja Rexhepi, lexojeni biografinë e tij dhe rrëfimin që ka dhënë më herët për Rajonipress

Për rajonipress Rexhepi flet për kohën e luftës, largimin me dhunë nga forcat serbe nga Përlepnica e Gjilanit, takimet me artistët kanadez, integrimin në Kanada, shkollimin, punën afirmative e shumë gjëra tjera që lidhen me jetën e tij dhe familjen e tij që përbëhet nga muzicient, aktor, gazetar e piktor.

Të shkruash e të përmbledhësh krijimtarinë e Zeqirja Rexhepit duhet shumë kohë, sepse para vetës do të kesh shumë shkrime e dokumentar që janë bërë për të në Kanada e kudo që ka marrë pjesë si krijues.

UBT

Zeqirja Rexhepi me të drejtë mund të quhet një maestro në afirmimin e Kosovës në arenën diplomatike. Punën e tij të mrekullueshme, dhe kolosale e shfrytëzojë jo vetëm për vetën, por edhe për ta nderuar popullin e Kosovës dhe vet shtetin e saj.

Zeqirja Rexhepi piktor profesionist, ligjërues universitar, dizajner, skenarist filmash, ka bërë një emër të njohur në tërë Kanadanë e më gjerë. Ishte larguar me dhunë në vitin 1999 nga Përplepnica e Gjilanit. Ishin forcat serbe ato që Zeqirja Rexhepit do ia ndërrojnë tërë kahen e tij jetësore. I shkolluar e i edukuar në Gjilan, Shkup , Prishtinë, e Zvicër, destinacioni i tij i fundit mbetet Kanadaja.

Me Akademinë e arteve të kryer në Prishtinë dhe me specializimin e kryer për dizajn në Sarbona të Zvicrës, Zeqirja Rexhepi nuk e kishte problem integrimin e tij në Halifax të Kanadasë.

Për rajonipress Rexhepi i cili këto ditë po qëndron në vendlindjen e tij në Përlepnicë shpalos detaje interesante, madje për herë të parë për një medium kosovarë. Pakkush mund ta marrë me mend se Zeqirja Rexhepi në qytetin ku jeton vazhdon të mbetet një hero i dashur dhe i adhuruar nga komuniteti i atjeshëm, miqtë e shumë artistë e krijues.

Zeqirja Rexhepi në Kosovë mbahet mend si kuadër i parë dhe i rrallë i fabrikës së Tekstilit në Gjilan dhe më vonë edhe vepra e tij e madhe në pikturimin mural në Kishën e Binqës, vepër e përbashkët me Demir Behlulin.

Thotë se në Kanada shumë shpejt është adaptuar, dhe është integruar. Kjo krejt falë punës, talentit dhe përkushtimit të tij për gjuhën e kulturën dhe traditat kanadeze. Fillimisht punon si violinist në Ships Company Theatre(1999), pastaj fillon me hapjen personale të ekspozitave në vitet 2000 , 2001, 2005, 2007, 2008 dhe 2009. Të gjitha këto ekspozita i ka hapur në galeritë më të njohura universitare në Kanada.

Rexhepi tha se është piktor i vetëm me pagesë në Dalhouse University derisa me rastin e 30 vjetorit të Galerisë “Art Center” është përzgjedhur një pikturë e tij nga komisioni profesional.

Ajo çka e bënë të veçantë Zeqirja Rexhepin është fakti se ai është kërkuar nga të gjitha shtresat në Halifax të Kanadasë. Ka bërë piktura edhe për ushtrinë kanadeze, jep mësim në Galerinë e Arteve dhe në vet qytetin Halifax ku ligjëron teknikën e vajit. Është anëtar i shumë organizatave e shoqatave figurative e filmike. Ka fituar shumë çmime prestigjioze falë punës së tij profesionale. Ka fituar çmimin prestigjioz të mbretëreshës Elizabet ku është nominuar nga vet krijuesit kanadez.

Gjithashtu Zeqirja Rexhepi ka mbetur në historinë e librave të Kanadasë sepse është autor i disa kopertinave të librave të rëndësishëm universitar. “Nuk kam bërë punë kolosale vetëm për Kanadanë, por edhe për Kosovën. Kosova është ëndrra ime dhe jam përpjekur që në çdo këndë diplomatik ta prezantojë Kosovën, ta avancojë shtetin më të ri” thotë Rexhepi.

Rexhepi e ka ngjallur edhe jetën e komunitetit shqiptarë në Kanada. “E tërë familja ime jemi të kyçur dhe të dhënë pas profesioneve të ndryshme. Kemi arritur që së bashku me fëmijët të japim muzikë të gjallë shqipe në Kanada. Për këto aktivitete dhe programe tonat kanë shkruar shumë gazetat, madje janë 3 kg gazeta që kanë shkruar për punën time. Meqë jam skenarist i 22 filmave për punën time kanë bërë dokumentar disa televizione kanadeze. Tani së fundit jam i nominuar për titullin “Urdhri i Kanadasë” një titull që më nderon mua dhe Kosovën “ shprehet Rexhepi.

Tani kur ndodhet në Gjilan flet pak edhe për krijuesit kosovarë. “Unë kënaqem kur rri me kolegët dhe flasim për hallet e përbashkëta. Më vije keq që ende krijuesi kosovar s`ka tretman, s`ka kushte. Unë derisa takojë ambasador, njerëz të nivelit të lartë diplomatik kudo në Kanada, këtu ende s`jam takuar me askënd. Nuk e di pse, s`jam tip imponues” shprehet Rexhepi.

Rexhepi ka një familje të tërë artistësh. Tringa Rexhepi është një këngëtare e mrekullueshme që po mahnit me zërin e saj, kurse Arta Rexhepi është gazetare e talentuar që shpejt mund të bëhet e famshme.

Zeqirja Rexhepi mbetet shembulli më i mirë i një mërgimtari, por kësaj radhe jo i tretur, i humbur e i nëpërkëmbur, por vizionar, patriotë, dhe njeri me ndikim në shtetin ku jeton.

Veprat e tij që ndodhen në shumë mure e kënde më të frekuentuara të Kanadasë, siç janë ato nëpër aeroporte e aviacione ushtarake lënë gjurmët e mira të një shqiptari intelektual e punëtorë./rajonipress/