Zeneli mes Kombëtares shqiptare dhe Suedisë
Arbër Zeneli, anëtari i Heerenveenit, është i pavendosur se për cilën përfaqësueses të luaj: Shqipërinë apo Suedinë
Arbër Zeneli, i cili aktivizohet te Heerenveeni, pritet të vendosë shumë shpejtë se cilin shtet do ta përfaqësojë, Shqipërinë apo Suedinë, raporton portali holandez, Vi.nl.
Ai pranon se ka gjasa që të luajë në “Euro 2016” me cilindo shtet që do të zgjedhë, pasi ka shtetësi të dyfishtë.
“Ndoshta mund të shkoj në Kampionat Evropian edhe me Shqipërinë. Trajneri ende nuk më ka kontaktuar, por janë disa biseda. Ende nuk e kam marrë vendimin, por duhet ta marr shumë shpejt”, tha Zeneli që në janar u transferua te Heerenveeni nga Elfsborgu.
“Babai im po shpreson të zgjedhë Shqipërinë, kurse e ëma i do të dyja shtetet. Me Suedinë mund të arrij më shumë, por Shqipërinë e kam në zemër”, ka theksuar ai.
Zeneli ka luajtur për gjeneratat e reja të Suedisë (U-17, U-19 dhe U-21). Gjatë këtij viti ka realizuar dy gola në shtatë ndeshje të zhvilluara në kampionatin e Holandës.


