Zeneli e Sadiku , kampionët e Finlandës

Erfan Zeneli dhe Berat Sadiku janë shpallur kampionë të Finlandës me Helsinkin. Dyshja shqiptare luajti rol të rëndësishëm në suksesin e ekipit finlandez edhe në këtë sezon. Zeneli të shtunën festoi titullin e tretë rresht me Helsinkin, derisa Sadiku të dytin.
Helsinki i Erfan Zenelit e Berat Sadikut është shpallur kampion i Finlandës, për herë të katërtë rresht. Ekipi i dyshes shqiptare e siguroi epitetin e më të mirit vetëm në xhiron e fundit të sezonit në elitën e futbollit finlandez.
Ekipi finlandez fitoi të shtunën në shtëpi të Jyvaskyla JK me rezultat të thellë 3:6 në kuadër të xhiros së 32-të. Helsinki ka arritur ta mbrojë titullin e kampionit me 64 pikë të tubuara, gjashtë më shumë sesa Inter Turku, që u pozicionua në vendin e dytë.
Në ndeshjen kundër Jyvaskyla JK, në fushën e lojës ishte vetëm Berat Sadik. Sulmuesi shtatlartë është inkuadruar në lojë në minutën e 60’të, derisa ka arritur të realizoi dy herë, fillimisht në minutën e 68’të dhe të 90’tin.
Ndërsa Erfan Zeneli nuk u inkuadrua fare në lojë në këtë takim. Por, ky i fundit ka luajtur një rol të rëndësishëm në suksesin e Helsinkit këtë sezon.
Mesfushori vushtrrias, përkundër lëndimit që pati në fillim të sezonit, ka arritur t’i zhvillojë 24 ndeshje. Gjatë këtyre takimeve, 25 vjeçari ka shënuar një gol, derisa ka dhuruar 10 asistime për bashkëlojtarët e vet.
Për ish anëtarin e përfaqësueses U21 të Finlandës ky është titulli i tretë rresht në kampionatin finlandez me Helsinkin, pjesë e të cilit është që nga viti 2005. Ai thotë se ky është sezoni më i mirë në karrierë.
“Për mua ky është titulli më i mirë pasi nuk ka qenë i lehtë sikur vitin e kaluar që e kemi përfunduar kampionatin me 20 pikë më shumë. Personalisht jam i kënaqur me sezonin, edhe pse dy muaj kam pauzuar shkau i lëndimit të krahut. Megjithatë, e kam marr veten pas lëndimit dhe jam i kënaqur”, ka thënë Zeneli për Express.
Kontribut në skuadrën e Helsinkit ka dhënë edhe Berat Sadik. Ky i fundit këtë sezon ka zhvilluar vetëm 12 ndeshje pasi ishte i lënduar rëndë. Nga takimet që i ka zhvilluar sulmuesi shkupjan ka realizuar pesë gola, derisa ka dhuruar tri asistime për bashkëlojtarët e vet.
“Këtë sezon nuk kam pasur fat pasi m’u deshtë të pushoj 6 muaj shkaku i lëndimit të gjurit. Megjithatë, në këto 12 ndeshje e kam marr vetën ku në dy ndeshjet e fundit kam arritur m’i realizua katër gola. Fatkeqësisht sezoni përfundoi në momentet më të mira për mua”, deklaroi Sadiku për Express.
Për Sadikun ky është titulli i dytë rresht në kampionatin finlandez me Helsinkin. “Atë çka kam dashur ta arrij me Helsinikn e kam arritur: dy sezone, dy tituj”, theksoi ish sulmuesi i Lahtit dhe Armenia Bielefeldit.
Sadiku pohoi se po planifikon ta vazhdojë karrierën larg Finlandës, pasi kontrata me Helsinkin i skadon në fund të këtij viti. Ai po synon të luajë në ndonjë ligë më të fortë evropiane.